2013-01-09 11:44:52

Letër e kardinalit Piaçenca për nënat e meshtarëve dhe të seminaristëve


Një letër për nënat e meshtarëve dhe të seminaristëve. E ka shkruar më 1 janar, në Solemnitetin e Nënës së Zotit, prefekti i Kongregatës për Klerin, kardinali Mauro Piaçenca. Prelati falenderon të gjitha gratë, “që përjetojnë amësinë, edhe vetëm shpirtërore” për ata, që ndjekin thirrjen e tyre meshtarake. I kërkuam kardinal Piaçencës të na thotë pse e shkroi këtë letër?
Për shkak të dëshirës, vërtet të ndjerë, për të inkurajuar e për të falenderuar të gjitha nënat e meshtarëve dhe të seminaristëve e, së bashku me to, edhe të gjitha gratë, e shuguruara apo laike, që pranuan ftesën për t’u shprehur Amësi shpirtërore gjatë Vitit të Fesë, të gjithë të thirrurve në shërbimin meshtarak. Këto nëna duan të ofrojnë jetën, lutjet, vuajtjet e lodhjen, por edhe gëzimet, për besnikërinë e për shenjtërimin e shërbëtorëve të Zotit, duke marrë kështu pjesë, në mënyrë krejt të veçantë, në amësinë e Shenjtes Kishë, që ndjek shembullin e Shën Marisë, Zojës së Bekuar.
Hirësi, ju shkruani se përjetimi i nënës së meshtarit është i veçantë, unik. Pse?
Në risinë, që sjell Krishti në jetën e atyre, të cilët i zgjedh e thërret, përfshihen të gjithë familjarët dhe të afërmit, por natyrisht, përjetimi më i veçantë i takon nënës së meshtarit. Sepse, unike e të veçanta janë ngushëllimet shpirtërore, që i vijnë nga fakti se ka mbajtur në kraharor atë, që është bërë shërbëtor i Krishtit. Vërtet, çdo nënë nuk mund të mos gëzohet kur sheh se jeta e të birit jo vetëm është e plotë, por karakterizohet edhe nga prania hyjnore, që e rrethon dhe e shndërron për amshim.
Sa ka ndikuar në përmbajtjen e letrës figura e shën Monikës, e cila lutej pa pushim për kthimin dhe thirrjen e birit të saj, shën Augustinit?
Sigurisht, shën Augustini është gjigant i mijëvjeçarit të parë të krishterë e vetë magjisteri i Papës Benedikti XVI e ndihmon Kishën të shijojë, edhe një herë, kontributin e madh, që Ipeshkvi i Iponës ka dhënë për mendimin e krishterë dhe për zhvillimin e qytetërimit njerëzor. Shën Monika, nëna e tij – reliket e së cilës ndodhen në kishën romake të shën Augustinit, pranë sheshit Navona – është sigurisht pikë e domosdoshme referimi për të gjitha nënat e meshtarëve. Madje, përfaqëson edhe Kishën, që lutet për kthimin e bijve e gëzohet pastaj, kur sheh se bijtë marrin rrugën e Zotit. Lutjet dhe lotët e shën Monikës, e krishterë para të birit, nxorrën prej Zotit hirin e kthimit të Augustinit e madje, edhe shenjtërimin e tij.
Sa i rëndësishëm është roli i familjes për përgjigjen e bijve ndaj thirrjes së Hyjit?
Nganjëherë mund të ndodhë që, edhe nga një familje larg praktikës së krishterë, larg çdo feje, del një fëmijë shenjt, një shërbëtor i Zotit, por normalisht, roli i familjes është i domosdoshëm. Është aq i rëndësishëm, saqë “baritoria e vërtetë e thirrjeve” duhet të jetë së pari, kujdesi për familjet e krishtera. Sidomos, në një epokë, në të cilën edukimi është bërë shumë i ndërlikuar për arsye të ndryshme e familjet, sado të impenjohen, nuk janë në gjendje ta përballojnë vetëm valën e fortë të relativizimit mbizotërues. Kisha është gjithnjë aleate e familjes në punën e edukimit, si edhe bashkëpunëtorja e parë edhe për detyrën tepër delikate të shoshitjes së thirrjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.