2013-01-09 13:21:26

Kalorësit e Maltës mirëpresin Mesazhin e Papës për Ditën Botërore të Paqes.


Kalorësit e Urdhërit Sovran Ushtarak të Maltës e mirëpritën mesazhin e Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes 2013, me temë “Lum veprimtarët e paqes”. Fjalët e këtij mesazhi jehojnë fuqimisht në zemrat e Kalorësve, sepse ata jetojnë sipas tetë Lumturive, që simbolizohen edhe në tetë cepat e kryqit të Maltës. E pohoi këtë mjeshtri i madh, vëllau Matthew Festing, që i drejtoi dje fjalimin për fillimin e vitit të ri, Trupit diplomatik të akredituar pranë Urdhërit. Ndërmjet diplomatëve, edhe ambasadori i Shqipërisë, shkëlqesia e Tij, Zoti Rrok Logu.
Vetëm solidariteti i vërtetë mund të veprojë si ilaç për shërimin e plagëve të papunësisë, të varfërisë, të konflikteve civile, theksoi vëllau Festing, duke cituar fjalët e shkëputura nga mesazhi papnor. Për mjeshtrin e madh, mesazhi më domethënës i paqes për vitin 2012, është ai i shtegtimit të Papës në Liban, shtatorin e kaluar. U prekëm thellësisht nga dëshmia e fortë e nga guximi i Atit të Shenjtë që, një një çast kaq vendimtar, i mbështeti të krishterët dhe pohoi me forcë nevojën e bashkëjetesës së feve, nënvizoi mjeshtri i madh. E kjo, sepse mbrojtja e lirisë fetare është pjesë përbërëse edhe e misionit të Urdhërit të Maltës, si Urdhër laikal i Kishës katolike. Prej këndej Kancelaria jonë, duke nisur nga vitit 2007, po realizon një plan për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, posaçërisht në zonën Mesdhetare. Prandaj, së bashku me Komisionin Evropian, Republikën e Qipros dhe UNESCO-n, nisëm një sërë konferencash, për të nënvizuar impenjimin tonë e edhe kërkimin e rrugëzgjidhjeve të mundshme.Në fjalimin e tij, mjeshtri i madh shtoi se në vitin 2013 parashikohet pjesëmarrja e rreth 3.500 anëtarëve e vullnetarëve, që do të arrijnë nga të katër anët e botës, për të kremtuar, në bazilikën e Shën Pjetrit, në praninë e Papës Benedikti XVI, 900-vjetorin e shpalljes së Bulës së Papës Paskuali II, dorëzuar Urdhërit më 15 shkurt 1113, që formalizoi natyrën dhe identitetin e tij shpirtëror. Lidhur me këtë, kujtoi edhe se në vitin 2012 Urdhëri i Maltës ishte i pranishëm në Liban, Siri e Burkina Faso, për të ndihmuar refugjatët malianë; ndërsa në Filipine e Haiti, të shpërngulurit për shkak të stuhive e tifoneve. E ndjeshme ishte edhe prania në Kenia, ku përfaqësuesit e Urdhërit mbështetën popullsinë e dëmtuar rëndë nga kriza ushqimore e Bririt të Afrikës. Vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve në Gjermani, Francë, Belgjikë, Itali e edhe në Kubë. Fra Matthew Festing numëroi, në përfundim, vizitat e shumta të presidentëve e kryeministrave, që priti gjatë vitit 2012 si dhe shtegtimet në disa nga 120 vendet, ku Urdhëri është i pranishëm me veprimtaritë e tij mjekësore-humanitare: posaçërisht, në Austri, ku u prit nga presidenti Fischer e në Rusi, ku bisedoi me Patrikun Kirill si për bashkëpunimin humanitar e kulturor, ashtu edhe për shqetësimin e përbashkët përballë shekullarizmit e diskriminimit fetar.







All the contents on this site are copyrighted ©.