2013-01-08 13:14:37

Në Irak theret në fyt një mësuese e krishterë, martire e re e fesë.


Policia e Mosulit, në veri të Irakut, gjeti kufomën e një gruaje të krishterë, me fyt të prerë. Gruaja u gjet dje, në një zonë ku pakica e krishterë është prej kohe viktimë e dhunës dhe e vrasjeve të bëra me qëllim të caktuar, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, kur në shënjestër u mor ipeshkvi, imzot Faraj Rahho, që u rrëmbyer më parë e pastaj edhe u vra. E me të u vra edhe atë Raged Gani. Njoftimin e jep agjencia AsiaNews, burimet e së cilës vërtetojnë vdekjen e gruas, Shdha Elias, mësusee kaldeje, 54 vjeçare.
Punonte mësuese, saktësojnë burimet, në një shkollë të lagjes al Bath, ndërsa banonte në lagjen bar Nigal, pranë universitetit. Edhe kjo grua i shtohet listës së gjatë të martirëve të krishterë në Mosul. E sikur të mos mjaftonte sulmi i fanatikëve islamikë kundër të krishterëve, në vend vijon edhe tensioni i fortë ndërmjet sunnitëve e shiitëve e në horizont nuk shihet asnjë shenjë, që të flasë për paqe e pajtim kombëtar.Mosuli është fortesë e fondamentalistëve sunnitë vahabitë, që lidhen ngushtë me Arabinë Saudite. Specialistë të politikës irakiane shpjegojnë se objektivi është të formohet një shtet, që mbështetet plotësisht mbi Kuranin e sunnën e që ka një fe të vetme shtetërore, Islamin. Tri rrugë kanë besimtarët e feve të tjera: të kthehen në fenë islame, të paguajnë taksën e caktuar për jo myslimanët ose të ikin nga vendi. Prej kohe bashkësia e krishterë në veri të Irakut është viktimë e vrasjeve të qëllimshme, e rrëmbimeve dhe e një lufte të pamëshirshme ndërmjte arabëve, turkomanëve e kurdëve për marrjen e pushtetit dhe kontrollin e burimeve të pashterrshme të naftës, me të cilat është tejet e pasur nëntoka e këtyre trojeve. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit flitet për përgjysmimin e pakicave, pas ikjeve biblike, shkaktuar nga vrasjet e njëpasnjëshme. Një personalitet i krishterë i qeverisë së Mosulit, që nuk dëshiron t’i kujtohet emri, për siguri, konfirmon se shumë familje të krishtera të qytetit tashmë kanë ikur, sepse e kanë humbur çdo shpresë. Qeveria nuk është e aftë t’i mbrojë. Prej këndej, nuk mund të mos lindë pyetja tragjike: “Cila do të jetë ardhmëria për jo myslimanët, në këto vende, ku sundon logjika e dhunës?”.







All the contents on this site are copyrighted ©.