2013-01-08 11:17:38

Kardinali Toran: persekutimet e të krishterëve nuk duhet ta ligështojnë dialogun.


Shpresat dhe projektet e Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar, pasqyrohen në bilancin e shërbimit të tij gjatë vitit të sapopërfunduar.
Një botë, që ia hap zemrën dialogut për Zotin: kështu e përfytyron skenën e vitit të sapofilluar, kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar, instervistuar nga gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”.
Duke bërë një lloj bilanci të vitit 2012, kushtuar veprimtarisë së dikasterit papnor që drejton, kardinali Toran vë theksin mbi aktualitetin e debatit ndërmjet të krishterëve e shekullarizmit: “U përpoqëm, sidomos, t’i qëndrojmë besnikë detyrës, që na është ngarkuar nga kushtetuta apostolike ”Pastor bonus”, sipas së cilës Këshilli Papnor për Dialogun ndërfetar duhet të japë ndihmesën e vet në zhvillimin e formave të ndryshme të marrëdhënieve me besimtarët e feve të tjera e të punojë për realizimin e studimeve e të takimeve, lidhur me njohjen dhe nderimin reciprok, pa harruar punën e përbashkët për të promovuar dinjitetin e njeriut dhe vlerat e tij shpirtëore e morale si dhe formimin e atyre, të cilët i kushtohen këtij tipi të dialogut.

Ndonëse një pjesë e popullsisë botërore, posaçërisht në Perëndim, është faktikisht e shekullarizuar, nuk mund të mohohet fakti se Zoti mbetet argumet i aktualitetit. Mjafton të mendosh, nënvizon kardinali Toran, për numrin e madh të librave e të revistave, që i shikoj të ekspozuara, për shembull, në pikat e shitjes së gazetave të aeroporteve, në të cilat duket vazhdimisht fjala “Hyj”; “Zot”. Prandaj mund të themi me plot gojën se bota mbarë e kërkon këtë lloj dialogu.

E pastaj prelati deklaron se impenjimet kryesore të vitit të sapopërfunduar, synonin kryesisht në dialogun me myslimanët. Fatkeqësisht disa pakica, që kanë dredhuar rrugë, e përdorin fenë për të përligjur përdorimin e dhunës, ose kërkojnë t’ua imponojnë të gjithëve, pa dallim, ligjin islamik, edhe me forcë, gjë që përbën një rrezik serioz jo vetëm për shoqëritë e tyre, por edhe për mbarë botën. Krijojnë, kështu, pengesa edhe për dialogun ndërmjet feve. Mjafton të kujtojmë, lidhur me këtë, fatin e disa bashkësive të krishtera në vende, si Pakistani ose Nigeria. Askush e për asnjë arsye, nuk mund ta përligjë këtë zell të tepruar.
Po e përsëris, për fat të keq, shton perlati, pesha e integralizmit krijon rrezikun që të harrohet përmasa fetare e shpirtërore e Islamit.
Një domethënie të veçantë, pohon kardinali Toran, pati vizita në Nigeri, majin e kaluar. Munda të shikoj me sytë e mi se nigerianët duan të rrinë bashkë, pavarësisht nga ndryshimet ndërmjet veriut e jugut. Kujtoj, me emocion, vizitën në shkollën teknike, në një zonë me shumicë islamike. E drejtuar nga një prift katolik, kjo shkollë mbledh rreth tridhjetë të rinj, që punojnë drurin. Atmosfera dhe marrëdhëniet ndërmjet të rinjve, vijon kardinali, ishin për mua provë, që vërteton se dialogu ndërfetar jep ndihmesën e vet të pallogaritshme në shërbim të së mirë së përbashkët. E, sidomos, dëshmon se, pavarësisht nga dramaticiteti i disa situatave, është plotësisht e mundur që këta njerëz të jetojnë e të punojnë së bashku.
Kemi, pastaj, edhe situata të tjera, më pak inkurajuese, si në Egjipt, vend në shndërrim të vazhdueshëm. Edhe vitin e kaluar dialogu me Al Azhar u ndërpre, sipas dëshirës së partnerëve myslimanë. Përsa na përket ne, vijojmë të pohojmë se portat tona janë gjithnjë të hapura për dialog të sinqertë e plot respekt.
Kardinali Toran përfundon duke u ndaluar tek Viti i Fesë, gjatë të cilit, thekson, do të jemi të gjithë të impenjuar për ta rigjallëruar fenë tonë të krishterë, në mënyrë që të njihet më mirë përmbajtja e saj e të propozohet me fjalë e vepra, mesazhi i Jezu Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.