Imzot Massafra paraqet Mesazhin papnor të Paqes 2013
Kryeipeshkvia metropolite Shkodër-Pult paraqet sot pas dite në ora 18.00 në teatrin
“Migjeni” në Shkodër, Mesazhin e Papës Benediktit XVI për Ditën e 46-të Botërore të
Paqes, kremtuar më 1 janar 2013. Me nismën e kryeipeshkvit imzot Angelo Massafra,
mesazhi papnor për Ditën Botërore të Paqes 2013 me temë: “Lum veprimtarët e paqes”
është paraqitur, përkthyer e shpërndarë qytetarëve shkodranë, me qëllim që porosia
e Atit të Shenjtë të jetë një nxitje e mëtejshme për mishërimin e vlerës së paqes
e të pajtimit në zemra e në jetë të besimtarëve e të të gjithë qytetarëve, për të
mirën e përbashkët. Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes 2013,
është një përmbledhje e shkurtër e Doktrinës shoqërore të Kishës. I ngjet një doracaku
të vogël, në ndihmë të katolikëve, që impenjohen në fushën shoqërore e politike, por
edhe të gjithë qytetarëve që e kanë përzemër paqen e vlerat e patjetërsueshme njerëzore.
Papa Jozef Ratcinger propozon programin e Lumnive Ungjillore, për t’i bërë ballë së
keqes, që vijon ta tronditë rëndë njerëzimin mbarë. Kujton konfliktet e përgjakshme
në vijim, pabarazitë ndërmjet të pasurve e të varfërve si dhe nga sundimin e një mendësie
egoiste dhe individualiste, që gjen kushte të favorshme në një kapitalizëm të çrregullt
financiar. Pastaj, përveç terrorizmit e kriminalitetit ndërkombëtar, Benedikti
XVI kujton se paqja rrezikohet edhe nga fundamentalizmat e fanatizmat, që e shtrembërojnë
natyrën e vërtetë të fesë në Zotin. Pa harruar një dramë tjetër, edhe më të hidhur:
dramën e urisë. Kriza ushqimore, është edhe më e rëndë se ajo financiare, pohon me
forcë Papa, që nuk i harron as shkeljet, në rritje, të lirisë fetare. E kujton se
vijon të shkelet e drejta për të jetuar, se sulmohet familja e sot, gjithnjë më shumë,
edhe të drejtat shoqërore. Një mision i veçantë në dobi të paqes, thekson akoma
Papa, u takon institucioneve kulturore, shkollore e universitare. Prej tyre kërkohet
një kontribut i ndjeshëm jo vetëm për edukimin edhe formimin e breznive të reja të
liderëve, por edhe për risimin e institucioneve publike, kombëtare e ndërkombëtare. Papa
bën thirrje të kultivohet pasioni për të mirën e përbashkët të familjes e të drejtësisë
shoqërore si dhe impenjimi për edukimin e vlefshëm shoqëror. Është e nevojshme të
nxiten e të përhapen mendime, fjalë e gjeste paqeje, që të krijojnë mendësinë dhe
kulturën e paqes, atmosferën e respektit, të ndershmërisë e të përzemërsisë. Duhen
mësuar njerëzit ta duan njëri-tjetrin e të edukohen me dashurinë për paqen, për një
jetë të bazuar mbi dashamirësinë, e jo vetëm mbi tolerancën. Kisha, përfundon Papa,
është e bindur për urgjencën e kumtimit të ri të Jezu Krishtit, faktor i parë e kryesor
i zhvillimit të gjithanshëm të popujve e edhe i sigurimit të paqes. Veprimtar i paqes,
sipas lumnisë së Jezusit, është ai, që kërkon të mirën e tjetrit, të mirën e plotë,
të shpirtit e të korpit, sot e nesër. Përballë kësaj situate, Papa fton të jetohen
Lumnitë ungjillore, për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi të vërtetën, mbi lirinë,
mbi dashurinë e mbi drejtësinë. Me pak fjalë, me rastin e Ditës Botërore të Paqes,
Benedikti XVI uroi një model të ri ekonomik dhe fundin e diktaturës së relativizmit.
Po të dëgjojmë kryeipeshkvin e Shkodër-Pultit imzot Angelo Massafrën në mikrofonin
e Radio Vatikanit........