Më 8 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së ipeshkvit shqiptar shkodran imzot
Ernest Çobës. Pra si sot, më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari i fesë së krishterë,
imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës duke dëshmuar me qëndresë të pashoq Krishtin
ndër tortura mizore shkaktuar nga regjimi komunist, që ia shkurtuan edhe jetën. U
bë kështu model për të krishterët e grigjës kishtare që i qe besuar. Ipeshkvi shembullor,
imzot Ernest Çoba lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër qytetare shkodrane.
Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në Seminarin Papnor të qytetit. U shugurua
meshtar më 9 shkurt 1936. Kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnor, ku ishte
përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit. Pas vdekjes
së Imzot Thaçit dhe arrestimit të Dom Mikel Koliqit, kreu njëherësh detyrën e zëvendës-famullitarit
dhe të famullitarit të Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë që u shugurua në kohën
më kritike për Kishën katolike në Shqipëri, kur bëheshin përpjekjet për ta shkëputur
nga Selia e Shenjtë. Në atë kohë, i vetmi ipeshkëv që ishte ende gjallë e jo në pranga,
Imzot Bernardin Shllaku, e shuguroi atë, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, Imzot
Pjetër Demën më 20 prill të vitit 1952. Imzot Ernest Çoba merrte në duar një mision,
që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishterimit, të cilët shumë
shpesh e bënë edhe më të theksuar veprimtarinë e tyre si ungjillëzues e dëshmitarë
të Mësuesit Hyjnor e të Ungjillit të Tij, duke e vulosur misionin e tyre shpirtëror
me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit dhe Kishës së të
tij mbi tokë, me në krye Papën e Romës. Pak kohë pas shugurimit të tij, imzot Shllaku
vdiq. Dioqeza e Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqeza e Tivarit, kishte pasur pesë
ipeshkvij të mëdhenj: Imzotë Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin, Lazër Mjedën
dhe Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol i gjallë
i dashurisë së krishterë, imzot Ernest Çobës. Ja si e përshkruan ipeshkvi ndihmës
i Shkodrës, që mbijetoi nga persekutimi komunist, Imzot Zef Simoni në librin e tij
"Portrete klerikësh katolikë": " Imzot Coba kishte trup të shkurtë, sy të shkathët,
gjysmë të mshehun mbas syzeve të errta kur shërbente në kishë apo në zyrë. Kishte
cilësi të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun, i palodhun në shërbime,
deri ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë,
mbasi kremtonte Meshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit, ndër koliba, tue
çue sakramendet shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv, kur Kisha e madhe
gumëzhinte nga zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet të madh e simpati,
sidomos ndërmjet të vorfënve. Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve të vegjël pranë
etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të huaja, specialist i teologjisë morale dhe
i lëndëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të liturgjisë. Nuk
mujti të marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë e tij, bani
të depërtojë fryma e Koncilit në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të mblidhte një
grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shatë prej tyre, ashtu
si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue të
gjitha mjetet dhe rrugët e mundëshme". Në prag të mbylljes së Kishave e tempujve
nga regjimit komunist e ateist në Shqipëri, në një të diel të hidhur, derisa ishte
thirrur që të akuzohej nga regjimi diktatorial, u kthye në akuzues, duke mbajtur një
fjalim të fortë e bindës në mbrojtje të fesë në Zotin e sulmuar, e të Kishave në
prag të rrënimit të madh. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert e Kishave do
të mbylleshin nga komunizmi. Atëherë imzot Ernest Çoba u detyrua të kthehej pranë
familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi komunist
e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte mbajtur
lidhje me Selinë e Shenjtë të Vatikanit me anën e legatës italiane. Vuajti me durim
të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa
vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje misterioze,
- siç dëshmon në librin e lartpërmendur Imzot Zef Simoni. Mbyllte sytë pas një
injeksioni që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit të
Shën Ernestit. Për figurën e tij është shkruar disa herë, e sigurisht që do të shërbenin
shumë dëshmitë mbi qëndrimin ungjillor, heroik dhe fundin e jetës së tij, që e flijoi
për Fe e Atdhe.