2013-01-07 18:04:30

Protestë në Gjakovë për personat e pagjetur të luftës


Shoqata “Thirrjet e nënave” dhe aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me qytetarët e Gjakovës, sot e kanë bllokuar hyrjen e Kishës Ortodokse në Gjakovë, për të mos mundësuar ardhjen e “kriminelëve serbë të Gjakovës, të infiltruar në grupin e shtegtarëve serbë, për të marrë pjesë në liturgjinë e Krishtlindjes, që serbët ortodoksë” kremtojnë sot”, njoftoi Vetëvendosja.
Mëtutje, në njoftim theksohet se “ndaj protestuesve ndërhyri policia e Kosovës, e cila i arrestoi dy aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje dhe i ka shtyrë protestuesit 20 metra larg hyrjes në Kishë”, për të mundësuar hyrjen e autobusit me besimtarë serbë.
Sipas lëvizjes Vetëvendosje, “protestuesit mbanin në duar pankarta me emra kriminelësh serbë të Gjakovës, disa nga të cilët edhe u identifikuan në grupin e serbëve, që erdhën në Kishën Ortodokse të Gjakovës”.
Në kumtesë theksohet se pas mbarimit të liturgjisë, “autobusi me kriminelë serbë u largua nga Kisha Ortodokse, nën përcjelljen e forcave të shumta të Njësiteve Speciale të Policisë së Kosovës” dhe konstatohet se “Policia e Kosovës, kujdeset për sigurinë e atyre, që para 14 viteve, në Gjakovë, sikurse në gjithë Kosovën, kanë kryer krime të mëdha të planeve për spastrim etnik” të Kosovës.
Pastaj Vetëvendosja thotë se “mbi 60 persona nga Gjakova janë ende të pagjetur; 1200 civilë nga Gjakova janë vrarë gjatë luftës së fundit; rreth 1000 gra gjakovare janë dhunuar; 6500 shtëpi dhe 715 lokale afariste dhe objekte të trashëgimisë kulturore në Gjakovë u shkatërruan”.
Në njoftim pastaj konkludohet se “shteti i Serbisë dhe kriminelët, që kryen këto krime, asnjëherë nuk janë dënuar dhe se duke i lejuar që të bëjnë vizita provokuese, këta kriminelë po rehabilitohen nga vetë Qeveria e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.