2013-01-07 16:43:56

Papa Kishës kamboxhiane: martirët tuaj e feja juaj, farë shprese për vendin.


“Kisha kamboxhiane është plot gjallëri e dëshmia e fesë së besimtarëve e martirëve të saj, sot, ashtu si dje, është burim shprese për mbarë vendin”. Kështu u shpreh Papa në një video-mesazh, drejtuar pjesëmarrësve në Kongresin “Koncili II i Vatikanit dhe Kisha”, që përfundoi sot në Pnom-Pén, organizuar me rastin e Vitit të Fesë. Në përfundim, të pranishmëve iu dorëzuan tekstet e Koncilit II e të Katekizmit, përkthyer në gjuhën kamboxhiane.
Fytyra e Papës dukej në një vend e në një ditë, e cila për historinë bashkëkohore, e sidomos, për Kishën e vogël, që jeton në këtë vend, ishte tejet simbolike, me kuptim jashtëzakonisht të thellë. Është fjala për vendin, ku do të lartohet përsëri katedralja e Pnom-Pénit, pikërisht aty ku ishte më 1975, kur u rrënua nga regjimi gjakatar i Khmerëve të kuq të Pol Potit, e për ditën që të kujton 34 vjetorin e rënies së diktatorit. Fjalët e Benediktit XVI në videomeszh jehuan si himn për paqen e rikthyer dhe për kontributin e gjakut, që i dha kësaj paqeje Kisha kamoxhiane:
“Duke kujtuar periudhën e çregullimeve, që e zhyti vendin tuaj në errësirë, dua të nënvizoj se guximi, feja e heroizmi i barinjve tuaj dhe i vëllezërve e motrave tuaja të krishtera, shumë nga të cilët gjetën edhe vdekjen, përfaqëson një dëshmi fisnike për të vërtetën e Ungjillit”.
Kështu nënvizoi Papa, e shtoi:
“Të jeni të sigurtë se vëllezërit e motrat tuaja, gjaku i të cilëve u derdh rrëke nëpër orizoret, luten për ju, e ju kujton se duhet të jeni tharmi i brumit të shoqërisë suaj, ta dëshmoni dashurinë e Zotit për të gjithë e të ecni në rrugët e drejtësisë e të përdëllimit”.
Fjala e Papës ishte një përqafim i vërtetë, që i rroku të gjithë e për secilin pati një fjalë të mirë, një nxitje, një këshill, duke nisur nga kongresistët, tek të rinjtë, nga meshtarët, tek seminaristët e tek pjesëmarrësit në Meshën e sotme, në përfundim të së cilës u shpërndanë tekstet konciliare dhe Katekizmi, përkthyer në kamboxhisht. Është shenjë e qartë, që tregon se Kisha, përfaqësuese e 1% të popullsisë, është e gjallë, vepron në një shoqëri me 96 % budistë e përgatitet për një numër të madh pagëzimesh të reja.
Papa e përfundoi video-mesazhin duke iu drejtuar posaçërisht të rinjve e duke theksuar se Kisha ka besim të plotë në rininë, hovin, çiltërisë e guximin e moshës së re. Prej këndej iu drejtua atyre dhe të gjithë besmitarëve të krishterë, me fjalët:
“Lutem për ju e ju ftoj të jeni dishepuj bujarë të Krishtit. E ju të gjithë, që e kërkoni Krishtin, të jeni të sigurtë se Zoti ju do e ju dhuron paqen e tij”.
A s’e dëshmonte pikërisht kjo ditë se Zoti ngadhënjeu edhe në këtë tokë, ku u ngritën male me rrashta? Që të kujtojnë pikërisht Golgotën!








All the contents on this site are copyrighted ©.