Papa, Trupit Diplomatik: paqja nuk është utopi, para se të flitet për “diferencialin
bankar” të mendohet për të varfërit
Paqja, kriza ekonomike, respekti për jetën: këto ishin tri shtyllat e fjalimit të
Papës Benedikti XVI para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë. Si zakonisht,
në fillim të vitit, Ati i Shenjtë shkëmbeu urimet me ambasadorët, që përfaqësojnë
vendet e tyre në Vatikan. Ndër ta, edhe ambasadori i Shqipërisë, Sh.T. z. Rrok Logu.
Papa bëri një thirrje të fuqishme për paqen në shtete si Siria, Kongo e Nigeria, ku
popullsia vuan nga pasojat e luftës e të dhunës. Duke folur për krizën ekonomike,
tha se nuk duhet t’i ngremë duart para “diferencës në mirëqënie”, ndërsa luftojmë
“diferencialin bankar”, rritur për faj të financës. Që nga zanafilla, qenë fjalët
e para të Benediktit XVI, Kisha punon për çdo popull. Pikërisht për këtë arsye, impenjimi
i saj nuk është “ndërhyrje” në punët e brendshme të shoqërisë, por kontribut për zhvillimin
e njerëzimit. Një fjalim 360 gradësh, ai i Atit të Shenjtë, që përmendi sfidat e mëdha
të botës së sotme, duke u nisur nga urgjenca e paqes. Papa kujtoi udhëtimet e tij
apostolike gjatë vitit 2012, në Meksikë, në Kubë e në Liban. Janë vizita, nënvizoi,
që ripohojnë impenjimin qytetar të të krishterëve në ato vende për promovimin e dinjitetit
njerëzor dhe për hedhjen e bazave të paqes. E pikërisht fjalën “paqe”, Benedikti XVI
e lakoi vërtet në të gjitha rasat: “Sot, priremi nganjëherë të mendojmë se
e vërteta, drejtësia dhe paqja janë utopi e se e përjashtojnë njëra-tjetrën. Njohja
e së vërtetës duket e pamundur dhe përpjekjet për ta nxjerrë në dritë shpesh kalojnë
në dhunë. Nga ana tjetër, sipas një mendimi mjaft të përhapur, impenjimi për paqen
reduktohet në kërkimin e kompromisit, që garanton bashkëjetesën ndërmjet popujve,
ose ndërmjet qytetarëve të një kombi. Në të kundërt, sipas këndvështrimit të krishterë
ekziston një lidhje e thellë ndërmjet lavdërimit të Hyjit e paqes së njerëzve mbi
tokë, prandaj paqja nuk lind vetëm nga përpjekjet e njerëzve, por në të shihet vetë
dashuria e Zotit”. E është pikërisht lënia e Hyjit në harresë, problemi i
kohëve tona, që sjell dhunë, theksoi Papa. Nëse njerëzit nuk i referohen më së vërtetës
objektive transhendente, si mund të arrijnë në dialogun e vërtetë? Pa Zotin, theksoi
Benedikti XVI, njeriu bie pre e relativizmit e si pasojë, e ka të vështirë të veprojë
me drejtësi e të impenjohet për paqen. Nëse nga njëra anë, harrohet Hyji i vërtetë,
nga ana tjetër, rritet fanatizmi fetar, denoncoi Ati i Shenjtë, duke vënë në dukje
se ai është falsifikim i fesë. Këtu, vështrimi i Papës përfshiu të gjithë popujt,
që vuajnë nga luftrat e konfliktet, duke filluar nga Siria: “Bëj edhe një herë
thirrje që të ulen armët e të fillojë sa më shpejt një dialog konstruktiv për t’i
dhënë fund konfliktit, i cili, nëse vazhdon, nuk do të ketë fitimtarë, por vetëm të
mundur, e do të lerë pas vetëm shkatërrim”. Papa u kërkoi autoriteteve politike
të kenë parasysh gjendjen e vështirë humanitare të popullsive, për ta hedhur më pas
vështrimin mbi Tokën Shenjte. Benedikti XVI kujtoi njohjen e Palestinës si shtet vëzhgues
në OKB, uroi që izraelitët e palestinezët të impenjohen për bashkëjetesën paqësore
në kuadrin e dy shteteve sovrane e shprehu sërish dëshirën e Kishës Katolike që Jeruzalemi
të jetë “Qytet i paqes dhe jo i ndarjes”. Për Irakun uroi paqe e stabilitet, për Libanin,
që dëshmia e të krishterëve të frymëzojë një të ardhme në paqe për të gjithë njerëzit
vullnetmirë, e pastaj, nënvizoi: “Edhe në Afrikën e Veriut, është përparësi
bashkëpunimi i të gjithë sektorëve të shoqërisë, të cilëve u duhet garantuar qytetaria
e plotë, liria për ta shpallur publikisht fenë dhe mundësia për të kontribuar në të
mirën e përbashkët”. Mendimi i Benediktit XVI shkoi në Afrikën subsahariane,
në Bririn e Afrikës, në Lindje të Republikës Demokratike të Kongos, në Mali e në Afrikën
Qendrore, ku popullsia vuan nga lufta. Përmendi veçanërisht Nigerinë, teatër atentatesh
terroriste, që shkaktojnë viktima sidomos ndër të krishterët e mbledhur në lutje,
si për të dashur shndërrimin e tempujve fetarë të paqes në qendra frike e ndarjeje.
Me trishtim të thellë, Papa vuri në dukje se edhe për Krishtlindje, besimtarët e krishterë
nigerianë u vranë barbarisht. Arritja e paqes, theksoi Ati i Shenjtë, kalon nga
kujdesi për njeriun e nga respektimi i të drejtave të tij themelore. Ndër to, në plan
të parë mbetet respektimi i të drejtës për jetën, në të gjitha fazat e saj. Benedikti
XVI shprehu kënaqësinë për rezolutën e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës,
e cila ndalon eutanazinë, jo vetëm si akt, por edhe si mungesë ndihme mjekësore. Nga
ana tjetër, kritikoi liberalizimin e abortit, edhe në shtete me traditë të lashtë
të krishterë: “Aborti i drejtpërdrejtë, pra i përdorur si qëllim në vetvete
ose si mjet, është thellësisht kundër ligjit moral. Duke pohuar këtë, Kisha Katolike
nuk ka ndërmend të mos tregojë mirëkuptim dhe mirëdashje ndaj nënës. Por, duhet vigjëluar
që ligji të mos ndryshojë padrejtësisht ekuilibrin ndërmjet së drejtës për jetën të
nënës e asaj të fëmijës së palindur”. Papa vuri në shënjestër Perëndimin,
ku të drejtat njerëzore po fillojnë të kuptohen sipas dëshirës. Njeriu bëhet autonom
dhe i referohet vetëm vetvetes e jo më edhe të tjerëve e Zotit. Nevojat e tij bëhen
zot. Por, paralajmëroi Benedikti XVI, të drejtat mbrohen si duhet vetëm kur kujdesemi
për zhvillimin e gjithanshëm personal e shoqëror të njeriut. Pjesa e fundit e
fjalimit të Atit të Shenjtë para Trupit Diplomatik, jo rastësisht pas të drejtave
të njeriut, i kushtohej krizës ekonomike e financiare. Shkaku i saj, sipas Papës,
duhet kërkuar në etjen e shfrenuar për fitim, në dëm të vetë punës. Kështu, tha Benedikti
XVI, bota u zhyt në një aventurë financiare pa fre, në vend që të ecte në rrugët e
ekonomisë reale, pra të prodhimit: “Duhet rifituar ndjenja e punës dhe e atij
fitimi, që vjen vetëm nga puna. Për këtë qëllim, u duhet rezistuar tundimeve të interesave
të veçanta afatshkurtra, për t’u orientuar drejt së mirës së përbashkët”. Ati
i Shenjtë e konsideroi urgjencë formimin e drejtuesve, që në të ardhmen, do të udhëheqin
institucionet publike kombëtare e ndërkombëtare. Bashkimi Evropian, permendi Papa
njërin nga institucionet, ka nevojë për përfaqësues largpamës e të kualifikuar, të
cilët duhet të marrin vendime të vështira, të nevojshme për të nxjerrë nga kriza ekonominë
e për të vendosur baza të qëndrueshme në zhvillimin e saj të mëtejshëm. E këshilloi:
“Ndoshta disa vende do të ecin më shpejt, por të gjithë së bashku, do të shkojnë pa
dyshim më larg”: “Nëse shkakton shqetësim diferenciali bankar, duhet të shkaktojnë
ankth diferencat në rritje ndërmjet pak njerëzve, gjithnjë e më të pasur e, shumë
të tjerëve, pashmangshmërisht, gjithnjë e më të varfër. Pra, nuk duhet të ngremë duart
para ‘diferencialit të mirëqënies shoqërore’, ndërsa luftojmë atë të financës”. Papa
bëri thirrje të investohet në arsimin e vendeve në zhvillim, në mënyrë që vetë popullsitë
të mësojnë si të dalin nga varfëria e nga sëmundjet. Kritikoi sërish mungesën e lirisë
fetare, për shkak të së cilës, të krishterëve nuk u lejohet të kontribuojnë në shoqëri
me institucionet e tyre edukative dhe asistenciale. Aty ku kjo është e mundur, theksoi
Papa, u duhet njohur atyre e drejta për të punuar sipas ndërgjegjes në strukturat
shëndetësore, pa u imponuar praktikimin e abortit dhe të eutanazisë. Ati i Shenjtë
kujtoi impenjimin e Kishës në ndihmë të popullsive të dëmtuara nga fatkeqësi natyrore,
si përmbytjet në Azinë Juglindore, uragani Sandy e tërmeti në veri të Italisë. E duke
bërë të tijat fjalët e Papës Pali VI në përfundim të Koncilit II të Vatikanit, iu
drejtua kështu ambasadorëve të 179 vendeve: “Ju takon juve të jeni promovuesit e rendit
e të paqes ndërmjet njerëzve. Por mos harroni: është Zoti… protagonisti i madh i rendit
dhe i paqes mbi tokë”.