2013-01-05 13:48:51

Shenjtorët e javës 6-13 janar 2013


E diel 6 janar, Kisha katolike kremton solemnitetin e Dëftimit të Zotit. Dëftimi i Zotit është festë e ngjalljes, sepse përmbushet plotësisht në ngjarjet e Pashkëve. Kështu, dëftimi i Zotit para Mbretërve Dijetarë, duket si akti i parë i vazhdimësisë së dëftimit dhe dukjeve, që përshkojnë gjithë jetën tokësore të Jezusit.
Ai, drita e botës, është caku i fundmë i historisë, pikarritja e daljes, fundi i udhës providenciale të shëlbimit, që arrin kulmin me vdekjen, ngjalljen dhe ngjitjen e Tij në qiell. Prandaj, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, liturgjia parashikon edhe Kumtimin e Pashkëve, sepse Viti liturgjik përmbledh gjithë shembëlltyrën e historisë së Shëlbimit, në qendër të së cilës është Triditëshi i Zotit të kryqëzuar, të varrosur e të ngjallur.
Të hënën më 7 janar, bie përkujtimi i shën Rajmondit de Penafort, shën Krispinit e shën Kanutit. Ata na kujtojnë se Krishti kërkon edhe shëlbimin e paganëve e se ai ngadhënjen mbi vdekjen e mbi të gjithë shpirtrat e ndyrë. Ngjallja e Jezusit hapi rrugën për t’ia predikuar Ungjillin mbarë njerëzimit.
Të martën me 8 janar, kalendari liturgjik përkujton shën Severinin, abat, apostull i Norikut, pajtor kryesor i Austrisë dhe i Bavarisë, zonë që në antikitet quhej Norik. Me veprat bamirëse dhe ndërmjetësitë e tij si qytetar romak pranë fiseve barbare gjermane që merrnin peng të huajt, shën Severini na kujton se sa e rëndësishme është ta duash të afërmin në çaste të vështira. Banorët e Norikut përqafuan fenë e Krishtit falë pikërisht veprave dhe dhuntive të këtij shenjti.
Të mërkurën më 9 janar Kisha përkujton shën Julianin dhe shën Basilisën, bashkëshortë, të dy shenjtër, që me kujdesin e tyre për të shtegtarët dhe endacakët treguan dashurinë ndaj Kishës dhe të varfërve në shpërblim të mëkateve të veta.
Të enjten më 10 janar Kisha kremton shën Agatonin, papë e shën Aldon, murg benedektin irlandez, i varrosur në Pavi të Italisë, që gjatë gjithë jetës zbatoi fjalët e shën Benediktit, abat: “ora et labora”- “lutu dhe puno”.
Të premten më 11 janar kalendari kishtar përkujton shën Igjinin Papë, filozof, rregullues i hierarkisë kishtare. Vetë veprat dhe vdekja e tij si martir gjatë persekutimeve të perandorit romak Antonino Pio na sjellin ndërmend se sa sakrifica duhen për të mbrojtur besimin.
Të shtunën më 12 janar, kalendari kishtar përkujton shën Ernestin apo Arkadin e shën Çezirën apo Çezarien, qe lidhet ngushtë me të vëllain shën Çesarin, ipeshkëv. Në fakt ishte ky që shkroi Rregullën e urdhërit murgëtar në të cilin do të bënte pjesë e motra, Urdhër që bazohet tek heqja dorë nga çdo pronë private, klauzura e përjetshme, përjashtimi nga juridiksioni ipeshkvnor dhe bindja ndaj superiores së quajtur “mater”. Ungjilli i ditës na mëson se Jezu Krishti nuk është një skrib i çfarëdoshëm, apo thjesht një ekspert i Shkrimit Shenjt. Ai mëson me autoritet, një doktrinë të re. Zemra ime galdon në Zotin, shpëtimtari im.
Të dielën e ardhshme më 13 janar Kisha do te kremtoje festen e Pagezimit te Krishtit. Pagëzimi i Krishtit është dëftimi i misionit të tij në botë. Ati Qiellor shpall dashurinë e tij për Të. Shpirti i Shenjtë e shndrit me dritën e vet. Jezusi “i zhytur” në ujë nga shën Gjon Pagëzuesi, me vdekjen dhe ngjalljen e tij, do të na “zhysë” edhe ne në jetën e amshuar.

Ja Ungjilli i Hyjit na thote: Mbretëria Qiellore është afër, kthehuni e besoni në Fjalën e Zotit. Kështu reflekton lirtugjia e së dielës.
E gjithnje me 13 janar kalendari përkujton shën Hilarin, ipeshkëv i Puatjesë, që në vitin 353 u bë mbrojtës i flakët i Koncilit të Nikesë që luftoi herezinë ariane. Vepra e tij më madhe mbetet “De Trinitate” – “Mbi Trininë Shenjte”, shën Gofredin e shën Remigjin.
Ja o Zot, po vij të bëj vullnetin tënd. Ungjilli na tregon se si Jezusi përshkoi të gjithë Galilenë për t’u mësuar njerëzve punët e Hyjit e për të dikuar mrekullitë e Zotit në secilin prej atyre që e dëgjonin.







All the contents on this site are copyrighted ©.