Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Epifanisë
Festa e Dëftimit të Zotit! Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e
Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike
të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të festës së Dëftimit të Zotit tonë Jezu Krishti.
Prej shpellës së Betlehemit në botë; prej Izraelit tek të gjithë popujt. Është
udha e fesë së krishterë, është rrezatimi i dritës, Jezusi drita e vërtetë që ndriçon
çdo njeri; është misteri i fshehur në shekuj e përfundimisht i dëftuar, çka do të
thotë që të gjithë popujt "janë të thirrur në Jezu Krishtin, për të marrë pjesë në
të njëjtën trashëgimi" që Biri i Hyjit e ka merituar me gjakun e tij. Është mbi
këtë besim të përbotshëm (universal) që duhet të ritmohet edhe jeta jonë, nëse duam
ta përjetojmë gëzimin që lind nga feja në Jezusin. Krishti për ne bëhet Fjalë
e Bukë në mënyrë që edhe ne duke u bërë fjalë e bukë për vëllezërit tanë, mund të
ja dëftojmë Jezusin të gjithë njerëzve. Kisha me këtë festë kremton dëftimin
e Zotit që u bë i dukshëm dhe i prekshëm "në plotësimin e kohërave". Dëftimi apo
shfaqja ndodhi mes dritash e errësirës. Errësira dhe kohërat. Izaia,
shtatë shekuj para Krishtit, nguli vështrimin (sytë) prej shqiponje drejt të ardhmes,
dhe pa tokën e zhytur në errësirë: "ja, errësira e mbulon tokën, mjegulla e ngulm
i pështjellë kombet"(Iz 60,2)… Bebëzat e syve të tij fokalizohen mbi vitet e lindjes
së Mesisë, që Pali apostull e quan "plotësi" e kohërave: "Vëllezër, kur erdhi plotësimi
i kohës, Hyji e dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje…" (Gal 4,4). Nga pikëpamja
njerëzore, perandoria romane ishte në shkëlqimin më të madhe të saj: kurrë më të ardhmen
nuk do të lëshonte (jap) dritë po të gjallë kulturore, pushtet politik e ushtarak,
bashkim e marrëveshje mes popujsh. Nga pikëpamja fetare, njeriu kishe marrë vendin
e Zotit: Virgjili, Oraci, Ovidi e quanin Cezar Augustin Zot. Mirëpo Hyji nuk e shikon
pushtetin politik, por mjerimin moral e fetar të njerëzve. Zoti është dritë, e kush
rri larg prej drite, pushtohet e zhytet në errësirë. Sfida e Zotit Derisa
njeriu mundohet të bëhet Zot, Zoti bëhet njeri dhe i fton njerëzit ta adhurojnë. Mirëpo
pyesim nëse njeriu, që nuk e adhuron Zotin, a mund ta adhurojë një Njeri-Zot? E megjithëkëtë
Virgjili, Oraci e Ovidi patën adhuruar vetëm një njeri, Gjeniun e Augustit! Sfida
që bëri Zoti qëndron në nxjerrjen në pah të absurditetit të njeriut që e adhuron shumë
më lehtë një njeri – edhe nëse është Cezar – në vend të një Njeriu që është Zot i
vërtetë. Ylli e dielli Simbolizmi biblik arrijnë kulmin kur një yll
i udhëheq Dijetarët drejt atij që është i quajtur "Diell i lindur prej së larti".
Ylli simbolizon dritën e zbehët të feve false (rreme), që kanë ruajtur vetëm një
rreze të dëftimit primitiv (të kahershëm) të Zotit i cili, në fillim, zbriste për
të folur me njerëzit në kopshtin e Edenit. Udhëtimi i Dijetarëve drejt Jezusit
– do të thotë udhëtim që çdo fe tjetër duhet ta bëj drejt fesë kristiane, e vetmja
fe e vërtetë, sepse në të shkëlqen në plotësi dielli i Zotit të dëftuar në Njeriun-Jezus.
Tè "vetët" e të tjerët Kur Gjoni thotë se Fjala, duke u mishëruar, "erdhi
ndër të vetët", i referohet të gjithë njerëzve të krijuar "përmes tij", pasi që, "pa
të, asgjë nuk është krijuar prej asaj që është bërë". Po ne e dimë se, ndër të
gjithë popujt, Hyji pati zgjedhur Izraelin porsi "pronësi" të veten. Kur Fjala u mishërua,
"të vetët" ishin Hebrenjtë, të cilët nuk e njohën, nuk e pranuan, derisa nuk e dëbuan
përjashta qytetit të shenjtë dhe e gozhduan mbi kryq. Megjithëse, Krishti do t'ia
kushtojë tërë jetën e vet tokësore kthimit të popullit të zgjedhur – delet e humbura
të shtëpisë së Izraelit – i urdhëroi pastaj apostujve të zgjeroheshin e të ungjillëzonin
"të tjerët", paganët. Një risi e pamendueshme e gati e papranueshme nga populli që
deri asokohe konsiderohej i "parazgjedhur". Pali e quan "mister të fshehur para breznive
të mëparshme" faktin që "paganët (gjentilët) janë të thirrur në Jezu Krishtin të
marrin pjesë në të njëjtën trashëgimi, se janë të ftuar ta formojnë të njëjtin trup,
e të jenë pjesëmarrës premtimeve përmes ungjillit (Ef 3,5s). E dimë se sa iu deshtë
të quante Pjetrit para e pas i dha pagëzimin familjes së centurionit Kornelit! Shën
Pali thotë se misteri i tillë – i hapur ndaj paganëve – "është dëftuar në kohën e
tashme apostujve të shenjtë e profetëve". Mirëpo nuk mund të mendohet se Zoti
ka ndryshuar planet e veta. Ardhja e dijetarëve nga linda deri te linde e Foshnjës,
dëshmon se kthimi i paganëve në krishterim ishte gjithmonë në planet e Zotit. Madje,
leximi i parë i kësaj së diele, na paralajmëron se qysh Izaia pati parashikuar popuj
e mbretër të ecnin në dritën e Zotit, aradhe kamelesh, deve me gunga nga Madianit,
nga Efa e Saba vinin duke "bartur ari e kem", shenja të njohjes së mbretërisë e hyjnisë
së Krishtit, "duke i dhënë lavde Zotit". Tre simbolet shqetësuese . Kështu
pra, Kisha kremton "dëftimin" e Zotit të gjithë njerëzve vullnet mirë, që ai i do.
Jezusi nuk është pronë private e disave të privilegjuarve, por është dhuratë e bërë
për të gjithë. Me qenë se Zoti ka ardhur në mesin e njerëzve, duhet që, sikur
Dijetarët, njerëzit të shkojnë tek Ai: "Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur
e të shtypur, e unë do të ripërtërij". Por qysh në lashtësi mund të konstatohet
se si njerëzit janë munduar ta "ndajnë" e "kenë" për vete Krishtin duke bartur secili
një pjesë në shtëpi të vet. Tri simbolet e arit, kemit e mirrës, të vendosura
nga tre Dijetarët tek këmbët e Foshnjës, do të thonë se ajo Foshnje e vetme është
së bashku Njeri, Zot, Mbret. Janë simbole të pa ndashme.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë (Is 60, 1-6) Jerusalemi
është paraqitur si drita që kundërshton errësirën, pikërisht sepse në të shkëlqen
drita e Zotit. Drejt Jerusalemit, aty ku banon drita e Zoti, udhëtojnë të gjithë popujt.
Sot është Kisha që ka këtë detyrë, të jetë e varfër dhe e domosdoshme si
foshnja në Betlehem, për të ndezur në qiell një yll dhe për të udhëhequr të gjithë
njerëzit drejt kësaj foshnje.
Lexim prej Izaisë profet
Ngrehu,
shkëlqe, se po vjen drita jote, mbi ty po lind Lavdia e Zotit! Sepse tokën po e mbulon
terri dhe një errësirë e madhe popujt, kurse mbi ty, dritë bën Zoti e Lavdia e tij
mbi ty, do të shihet! Në dritën tënde do të ecin popujt edhe mbretërit, në lindjen
e shkëlqimit tënd. Lartësoji përreth sytë e tu e shiko: të gjithë këta po mblidhen,
te ti po vijnë. Bijtë e tu po vijnë prej së largu, bijat e tua para duarsh po i sjellin.
Atëherë do të shikosh, fytyra do të të ndriçojë, zemra do të të rrahë e do të të zgjerohet,
sepse pasuritë e detit do të zbrazen te ti, të mirat e popujve do të vijnë te ti.
Mori gamilesh do të mbulojnë, gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa. Të gjithë do të
vijnë nga Saba, ar e kem do të sjellin e do t’i këndojnë lavde Zotit. Fjala
e Zotit!
Psalmi 72 (71) Ref: Do të lavdërojnë,
o Zot, të gjithë popujt e botës _________________
O Hyj, jepja
mbretit gjyqin tënd dhe drejtësinë tënde birit të mbretit, që ta gjykojë popullin
tënd me drejtësi e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën. _________________
Në
ditët e tija do të lulëzojë drejtësia dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna. Do
të sundojë prej detit në det, prej lumit e deri në skajin e botës... _________________
Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve dhurata do të sjellin, mbretërit
e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat, të gjithë mbretërit para tij përmbys
do të bien, e popujt mbarë do t’i shërbejnë. _________________
Ai do
ta shpëtojë skamnorin që fshan, të varfërin që nuk ka ndihmëtar. Mëshirë do
të ketë për të mjerin e të vobektin, dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën. _________________
Leximi i dytë (Ef 3, 2-3. 5-6) Mister do të thotë
plani i shpëtimit të Hyjit realizuar nga Krishti në historinë tonë. Shën
Pali përshkruan këtë plan duke thënë që do të marrin shpëtimin e Krishtit jo vetëm
hebrenjtë, por edhe të gjithë popujt paganë, që më parë ishin të përjashtuar nga besëlidhja
me Hyjin.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër,
mendoj se patjetër do të keni marrë vesh për hirin që Hyji, për ta çuar në vend synimin
e vet, ma ka dhënë për të mirën tuaj, se me zbulesë qesh vënë në njohuri të misterit,
për të cilin shkurtimisht posa ju vura në dijeni. Misteri i Krishtit nuk u qe
zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirtin Shenjt
apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve: se paganët – në Jezu Krishtin – janë bashkëpjesëtarë
të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të
njëjtit premtim në saje të Ungjillit. Fjala e Zotit!
ALELUJA, Aleluja. E
pamë yllin e tij duke lindur, dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona. Aleluja.
VUngjilli (Mt 2, 1-12) Paganët janë të tërhequr drejt
dritës së Jezusit Mbret. Nuk takohet më Shpëtimi në Jerusalem, por në Betlehem. Dijetarët
e lënë veten e tyre të udhëhiqen nga ylli deri në Betlehem. Ndërsa Herodi dhe kryepriftërinjtë
hebrenj kërkojnë të zhdukin foshnjën e Betlehemit. Kështu sot ashtu si dje, shpesh
janë të tjerët jo të krishterë që rinjohin Jezusin si Mesia.
Leximi
i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë,
në kohën e mbretit Herod, kur qe, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë,
e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve? Sepse e pamë
yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.” Mbreti Herod,
posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. I bashkoi
të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti ku duhet të lindë Mesia.
Ata i përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti: ‘E
ti, o Betlehem tokë e Judesë, ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi ndër qytetet princore
të Judesë, sepse prej teje do të dalë prijësi, që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin’
”. Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej
sish rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë:
“Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që edhe
vetë të vij e t’i shpreh nderimet e mia.” Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën.
Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa nuk zuri vend
aty ku ishte fëmija. Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. E, si hynë në shtëpi,
panë fëmijën me Marinë, t’ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre.
Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan ar, kem, e mirrnë. Të mësuar në ëndërr prej
Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rrugë tjetër në vendin e vet. Fjala
e Zotit!
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj feste të
Dëftimit të Hyjit, mund të dëgjoni këtu........