Festa e Dëftimit të Zotit është për ata që e kërkojnë Zotin në jetën e përditshme
Me 6 janar Kisha kremton festën e Dëftimit të Zotit, festë që ndër shqiptarë njihet
si festa e ‘Ujit të Bekuar’. Me këtë kremtim Kisha përkujton ardhjen e tre Mbretërve
Dijetarë në Shpellën e Betlehemit e momentin e adhurimit të Foshnjës Hyjnore nga ana
e tyre. Melkiori, Baltasari e Gaspri u nisën në kërkim të diçkaje për t’u
siguruar se intuita e tyre shkencore qe e drejtë. Sipas tyre, ngjarja qiellore që
vunë re, ylli kometë që ndoqën ishte shenjë lajmesh të mira. Nuk e dinin Dijetarët
se kurioziteti i tyre do t’i çonte para Birit të Zotit, para Foshnjës Hyjnore. Në
Jerusalem njerëzit u shqetësuan: kush janë këta të tre e ku shkojnë? Herodi u terrorizua:
pra profecitë e vjetra që ai vetë i konsideronte përralla po u realizokan! Mesia do
t’i marrë vendin, Zotin e paska konkurrent? Meshtarët e Tempullit e skribët e dinë
vendin ku do të lindë Mesia, por kontrollojnë më kot Shkrimet: nuk do të dalin nga
pallatet për ta verifikuar profecinë. Të mbetur vetëm, Mbretërit Dijetarë, paganë
e pa Zot, ndjekin kometën e mbërrijnë para shën Marisë e Birit të saj. Kërkonin
përgjigje për teoritë e tyre dhe gjejnë Zotin. Festa e Dëftimit të Zotit është për
të gjithë ju që kërkoni Zotin në jetën e përditshme, duke bërë punë të tjera, në dukje
jo aq të rëndësishme, festa e Dëftimit të Zotit është festa juaj, është festa jonë.
Është festa e të gjithë atyre që nëpërmjet artit, shkencës, filozofisë e jetës së
përditshme i bëjnë pyetje vetes e përpiqen të kapërcejnë kufizimet e teorive e mendimet
e ndryshime. Mbretërit Dijetarë njohin në të Foshnjën e sapolindur e të brishtë Zotin
e panjohur për ta, dhe i ofrojnë kem Mbretit, i ofrojnë ar –shenja e kundërshtive
që zbulon zemrat e secilit, dhe i ofrojnë mirrë që përdorej për të vdekurit, si shenjë
e kryqit që ishte në jetën e Jezu Krishtit. Mbeten në hije pallatet e pushtetit
në Jerusalem, ku lajmi mbi lindjen e Mesisë çohet paradoksalisht nga vetë Mbretërit
Dijetarë, dhe sjell jo gëzim, por frikë dhe reagime të urrejtshme. Plan i mistershëm
hyjnor: “drita erdhi në botë, por njerëzit preferuan errësirën ndaj dritës, sepse
veprat e tyre janë të këqija. Mbretërit Dijetarë janë paria e popujve, të thirrur
edhe ata që të bëjnë pjesë në Kishë, janë populli i ri i Zotit, bazuar tashmë vetëm
te besimi i përbashkët në Jezusin, Bir i Zotit. Në festën e Dëftimit të Zotit edhe
njëherë ripohohet rëndësia e të “Dëftuarit të Zotit” Mbretërve Dijetarë, shenjë e
kthimit të popujve paganë në besimin e vërtetë në një Zot të vetëm: Dëftimi i Krishtit
është prandaj në të njëjtën kohë edhe dëftim i Kishës, pra i të shfaqurit e thirrjes
dhe të misionit të saj të universal: dëshmimin e Dashurisë së Krishtit ndaj çdo njeriu
e çdo populli.