Arben Ndreca: Atë Anton Harapi dhe krijimi i inteligencies së re shqiptare
Më 5 janar kujtojmë përvjetorin e lindjes së françeskanin të jashtëzakonshëm, Atë
Anton Harapit( lindi në Shirokë me 5 janar 1888 – pushkatue në Tiranë me
15 shkurt 1946). Dalja në skenë e Rilindjes kombtare në shekullin XIX solli me
vete shndrrime të paimagjinueshme politike e shoqnore, ekonomike dhe kulturore. Nji
prej këtyne, e që nuk mund të lehet në heshtje, asht krijimi i nji shtrese intelektuale
kompakte në vijat e përgjithshme, përsa i përkitte pavarësisë së vendit. Mbas gati
400 vjetësh shqiptarët po u orvatshin me u ngritë në kambë edhe nji herë. Jo rastësisht
kur flasim për klasën intelektuale shqiptare të Rilindjes e identifikojmë me atë që
mâ vonë, në 1912, u ba klasa politike udhëheqëse. Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane
që jetonin të pavaruna e që drejtoheshin prej parlamenteve apo monarkëve tashma të
mbështetun prej nji parlamenti demokratik, në Shqipni sundonte nji klasë udhëheqëse
e huej, ajo e pushtuesit osman. Kështu me daljen në skenë të Rilindjes sonë Kombtare
si lëvizje çlirimtare e ripërtëritëse e kombit u krijue nji dikotomi e pashmangshme
ndërmjet politikës turke, administratës së saj dhe inteligencies së re shqiptare.
Për me e thanë ndryshe, bota e librave të mirëfilltë filloi me hye dalëngadalë
e marrshëm në jetën e shqiptarëve e me iu kundërvue botës së defterave, të regjistrave
të doganave që nuk shenjojshin gja tjetër veçse numrin e lëkurave të regjuna e të
dengjeve të pregatitun për vendet jashtë. Nuk rrodhi pra Rilindja jonë prej nji klase
fisnike në vështrimin gjenealogjik të fjalës, e aq ma pak borgjeze. Të fundit drejtues
të vendit ishin zhdukë bashkë me familjet e mëdha qysh në kohën e Kastriotit. Mbas
tij nuk kishte mbetë veçse nji vakuum që thekatueshëm ishte zanë prej pushtuesit turk.
Kjo gja bante që intelektualët shqiptarë në gjysmën e dytë të shek XIX të viheshin
para disa detyrave me karakter jo vetëm iluminist e përparimtar, por edhe me tipare
të theksueme politike. E në fakt shkrimtarët tanë të asaj periudhe njihej si jo vetëm
krijues të letërsisë, por edhe të nji vije politike shqiptare, njihen si themelues
të ideve të shtetit të pavarun shqiptar. Të zgjidhun problemi i madh i pavarësisë,
inteligencia jonë u vue përballë detyrave që tashma kishin përgjithësisht karakter
ekonomik, shoqnor e kulturor: nji populli të pavarun i duhej sigurue edhe arsyeja
se pse me jetue tash e mbrapa i lirë. Duhej justifikue shpallja e pavarësisë me anë
të progresit që do të mbrrinte shoqnia shqiptare deri atëherë e shtypun jo aq prej
taksave të pushtuesit osman sa prej injorancës e mbrapambetjes. Për me realizue këtë
duhej që idetë e inteligencies të përqafoheshin prej popullit mbarë o së paku populli
të ndërgjegjësohej për vetë gjendjen e mjerueme e të përpiqej doradorës me u drejtue
kah drita e së ardhmes. Por kur flasim për popullin tonë duhet me pasë parasysh
se kemi të bajmë me nji popull që duem apo s’duem asht i lashtë — për ata që janë
mâ skeptikë ndoshta duhet me thanë se jemi nji popull i përbamë prej shumë shtresave
— çka e përjashton mundësinë e homogjenitetit. (Sidoqoftë mungesa e homogjenitetit
asht patjetër tipar i popujve të të vjetër. Mjafton me u hjedhë nji sy fqinjëve tanë
jugorë apo perëndimorë për të cilët nuk ka farë dyshimi se rrjedhin prej antikitetit
greko-romak.) Krijimi i nji korpusi të ri inteligenciet në trungun e nji populli
shumë të moçëm Asht ky problemi ma i parë me të cilin ndeshemi te libri i
Atë Anton Harapit “Valë mbi Valë”. Vepra hapet me përshkrimin e pazarit të Shkodrës
në një ditë vere – nji laborator psikologjije. Atë Anton Harapi, emnue famullitar
në Grudë për ku edhe asht nisë, mbetet i habitun e në të njajtën mënyrë i mrekulluem
prej shumëllojshëmnisë së kostumeve popullore, siç thekson edhe ai vetë “edhe brenda
krahinës së Shkodrës”. Në vetvete e veçanta e kostumit popullor qëndronte në faktin
se asokohe, e ndoshta deri diku edhe sot e kësaj dite, shërbente si letërnjoftimi
i personit që e mbante. Prej kostumit dallohej zona e prejardhjes, besimi fetar, mosha
e shpesh edhe gjendja civile. Paraqiste pra identitetin e individit, i cili mbrohej
në një shoqni që nuk kishte nji identitet të përcaktuem mirë e që gjindej gjithnjë
nën kërcënimin e faktorëve të jashtëm. Pra, sa kostume e mënyra të veshunit aq edhe
ide e koncepte mbi ekzistencën njerëzore. E atëherë mbi ç’baza me krijue nji ide të
përbashkët intelektuale për përparimin e shoqnisë në të gjitha drejtimet në nji shoqni
jo të njinjishme e që këtë ide mandej me ia përçue shì kësaj shoqnije? Për Pater
Antonin — siç mund të shihet lehtë prej leximit të librit “Valë mbi Valë” si edhe
serisë së konferencave mbajtun në Korçë në vitet ’40 me titullin “Vlerë Shpirtnore”
(fq. 80), — asht e kjartë se ajo çka inteligencia e re duhet me përqafue si parim
bazë e kriter bashkues drejt përsosjes së idealit të përgjithshëm kombëtar, asht integriteti
i pacënueshëm i çdo individi. Problemet, mundimet, vuejtjet janë të ndryshme për çdo
person, por subjekti i tyne asht gjithmonë individi, pra edhe zgjidhja e problemeve
duhet me u bazue te respektimi dhe mbrojtja e dinjitetit të çdo individi. Në këtë
pikë, — e cila nuk i kundërshton as parimeve fetare e as atyne që mbajnë në kambë
shtetin, — duhet të bashkohen të gjithë intelektualët e ri. Mbrritja e bashkimit
të inteligencies Problemi i vorfnisë dhe i domethanijes së jetës janë dy temat
kyçe që preken në dialogjet ndërmjet Gasprit e Shanit, dy vëllazën peshkatarë shirokas
e Atë Antonit udhëtar te vepra “Valë mbi Valë”. Kah njena anë Gaspri e Shani ndihen
jo vetëm të vorfën, por edhe të përbuzun prej asaj çka mund të quhej deri atëhere
klasa udhëheqëse. Menjiherë e gabimisht e identifikojnë Pater Antonin me “zotninë”,
me atë që nuk e din se çka janë vuejtjet e tjetrit e që nuk ua kupton hallet, me atë
që asht shkëputë përgjithmonë prej jetës së veshtirë që çojnë njerëzit e thjeshtë.
Çka të vret ma tepër asht se prej fjalëve të tyne kuptohet sesi i gjykojnë intelektualët,
si një kastë me të cilën ata si peshkatarë nuk kanë të bajnë, me nji botë e cila mund
të vijnë vetëm si udhëtare në lundrën e tyne në shtegtimin e jetës. “Kobi dhimba,
vuejtjet! O përbindsha, qi turrshëm mësyni, e pa farë mëshrire, rrudhni e plandosni
tanë ata shka asht e njomë e të kërthnesët në jetën e nierit!” — thotë Pater Antoni.
(fq. 70) Me ngadalë e me durim frati mundohet me ua ba të kjartë dy vëllezënve
pikësëpari se çka asht vuejtja e për çka shërben. Vuejtjet duhet me i shërbye njeriut
për me e naltësue kah idealet (fq. 72). Këtë koncept kryesor kristian që i referohet
jo vetëm këtyne dy peshkatarëve por mbarë shoqnisë, e që u përket vlerave universale
të njerëzimit, Harapi kërkon me ia përcjellë të gjithë inteligencies së re. Mbas
bisedës me të, dy vëllaznit ndihen të përtrimë shpirtnisht. “Faleminders zotnisë që
ndejti me ne, na freskoi zemrën.” — shprehet Gaspri. Peshkatarët e kanë të kjartë
se Pater Antoni nuk ua ka zgjidhë problemet, por se ka dijtë me i dashtë e me u dhanë
ngushllim për travaje të jetës tue u thanë se dhimbja nuk asht dobsi sikurse vorfnimi
nuk asht poshtnim. E në fakt Pater Antoni u mëson sesi me i përballue dhimbjet me
dinjitet. Kjo asht ajo çka populli pret prej inteligencies si klasë e ndritun e drejtuese:
me ia njohtë dinjitetin edhe atëherë kur pesha e vuejtjeve asht randue së tepërmi.
E prej këtij dinjitetit të njohtun e të pranuem buron mandej edhe respekti e barazia
me të gjithë përpara ligjit. Këtu e ka bazën drejtësia shoqnore. Nji popull
duhet të jetë i virtytshëm po të dojë të jetë i lirë George Washington Asht
fakt i dijtun se klerikët katolikë i ofruen gjithnji popullit shqiptar të njajtat
ide e koncepte mbi botën, jetën, zhvillimin njerëzor, progresin mendor e atë ekonomik
tue ruejtë kështu koherencën me atë çka besojshin e në të njajtën kohë tue tregue
se i kishin të qarta rrugët që duheshin ndjekë për arritjen e synimeve. Tue qenë se
shoqnia shqiptare po kalonte nji periudhë të turbullt reformimit e po dilte prej nji
epoke që kishte lindë, zhvillue e po vdiste tue lanë mbas vetes nji tymnajë të dendun
ku ishte bjerrë orientimi shoqnor, shkolla u ba mjeti numër nji i klerit katolik për
transmetimin e këtij morali universal. Përveç se nji faqe e mrekullueshme letërsije
me karakter filozofik, biseda e çiltër me oficerët austriakë në Tuz përban programin
për zhvillim intelektual të kombit shqiptar. Gjatë saj rrahen çashtje që intelektualët
shqiptarë në përgjithësi do t’u kujtojshin me i shqyrtue vetëm në vitet ’30 apo ’40. Pyetjes
së profesorit austriak të gjeografisë nëse shqiptarët kanë tekste shkollore të mjaftueshme
e gjuhë kombtare të zhvillueme për mbajtjen e shkollave, Atë Antoni i përgjegjet krejt
drejt tue i thanë se kanë pasë vullnet e guxim me fillue e mandej vijon: “[...]E sa
ma parë të fillojmë me mësue e me bâ që shqyptari t’a mendojë shqyp mendimin e vet,
aq mâ shpejt do të mund të gatojmë nierz, mjete e shka lypet për këtë qellim. (fq.106)” Me
mendue shqip nuk don me thanë vetëm me e formulue mendimin shqip por edhe simbas rregullave
e normave të mendësisë shqiptare tue shartue në to kulturën evropiane. Don me thanë
pikësëpari me i kuptue problemet shqiptare, së dyti me i jetue, e së treti e me u
dhanë zgjidhje. Shkolla shqiptare u pa gjithmonë prej klerit katolik, e veçanërisht
në vitet njëzet, si insitucion kryesisht i transmetimit të vlerave, të virtyteve,
në bazë të së cilave do t’u filtrojshin mandej edhe ditunitë aq të nevojshme për përparimin
e vendit. Në bazë të këtyne kritereve do të formohej nji inteligencie e ndërgjegjshme
për rolin e saj historik, nji inteligencie që nuk do të kishte frikë me u përballë
me sfidat e kohës. Kërkohej pra, prej këtij brezi të ri intelektual që të jepte gjithçka
për çashtjen e madhe të përparimit të kombit. U deshtën pak a shumë 30 vjet që
Shqipnia të krijonte nji klasë intelektuale, e kjo falë përpjekjeve të shumëanshme
si të klerit katolik po ashtu edhe të shtetit shqiptar apo edhe të të huejve që ngritën
shumë shkolla. Sidoqoftë menjiherë sa filloi stuhia e Luftës së Dytë Botnore u
vunë re dallimet rranjësore ndërmjet grupimeve të intelektualëve. Inteligencia shqiptare
u gjet krejt e përçame përballë situatave të jashtëzakonshme e tepër të ndërlikueme
në të cilat gjindej vendi, e sikur kjo të mos mjaftonte, nji pjesë e kësaj inteligencie
të re të porsakrijueme në vend jo vetëm që nuk dijti me e udhëheqë vendin, por edhe
u ba përgjegjëse për luftën civile që tashma po vijonte pa fre anekand vendit. Shumëkush
tue pa sakrificat, trimninë, guximin e pashoq të komunistëve nuk ngurroi me i ndihmue
apo edhe me u bashkue me ta. Asokohe jo të gjithë dyshojshin se intelektualët ekstremistë
po e shtijshin vendin në nji rrugë të pakrye. E këto dyshime u davaritën vetëm me
marrjen e pushtetit nga ana tyne, atëherë kur u vue re se ky grup individësh për me
zbatue konceptin që ata kishin për barazinë shoqnore nuk ngurroi me zhbi anën e djathtë
të barazimit, çka bjen në kundërshtim me parimin ma elementar të matematikës: nji
barazim kur asht i vërtetë presupozon që të dyja anët e tija të jenë të vërteta, përndryshe
asht i rremë. Kështu parimi udhëheqës se të gjithë njerëzit gëzojnë dinjitet të barabartë
të cilin inteligencia e re shqiptare duhet ta kishte pasë si udhërrëfyes, u rrëzue.
Inteligencia e re për me vërtetue se kishte të drejtë sakrifikoi, po, vetveten, por
nuk u step kur u ba fjalë me sakrifikue edhe vetë popullin. Kjo gja vijoi për nji
gjysmë shekulli kur trashigimtarët e kësaj inteligencie tue u shtye gjithnji e ma
thellë sa në nji ferrë në një tjetër reformash të pafund dermishën e morën zvarrë
mbas vetes edhe krejt popullin tue mos ia kursye vuejtjet e pakuptimta në rrugën drejt
asaj që quhet humnerë. Qe pra se dijet e fitueme në shkollë nuk mjaftuene me qeverisë
nji vend. Çka mungoi qe shpirti e mbi të gjitha koncepti se para vuejtjeve të gjithë
jemi të barabartë e se dinjiteti i çdo personi asht i shenjtë. Mungoi virtyti për
me udhëheqë vendin. Në vend të dashtunisë, urrejtja u ba forca lëvizëse e shoqnisë
shqiptare e pasojat e saj i shohim edhe sot. Fatkeqësisht as vetë komunistët nuk
besuen tek ideali i tyne tue mos u ndejtë besnikë as atyne ideve që vetë i kishin
zgjedhun lirisht si prijëse në jetë. E vërteton fakti se në Shqipni, — dikur nji nga
vendet me partitë komuniste ma të forta në botë, — sot nuk kemi sindikata që të mbrojnë
puntorët, çka asht detyra numër nji e së majtës. Ai grup intelektualësh ishte shkëputë
prej popullit për me u ba nji kastë e jo nji klasë. Inteligencia komuniste u ba sunduese
e vendit, por jo udhëheqëse e tij. Në1990 komunizmi ra por mënyra e tij e konceptimit
të shoqnisë vazhdon me pluskue e sigurtë në llomin shoqnor. Në nji shoqni ku individi,
pra nji person real nuk ka vlerë, nuk ka sesi me pasë vlerë ligji që asht nji gja
abstrakte anipse i vendosun prej shumicës. E tue mos pasë vlerë ligjet krejt kuptimi
i rendit e i rregullit shoqnor bjen poshtë. Sot, sikurse këtu e njiqind vjet ma
parë popullit shqiptar i duhet dhanë nji arsye se pse me jetue i lirë e pse me ndërtue
nji shtet demokratik. Prej intelektualëve duhet justifikue si i drejtë e i dobishëm
ai shndrrim i jashtëzakonshëm politik e shoqnor që ndodhi në 1990, sepse kryesori
që vuejti qe populli e këtë ia kanë me borxh. E në fund, nuk duhet me harrue se
fjala “inteligencie” në vetvedi nuk nënkupton nji grup personash që kanë lexue shumë
libra, por nji klasë njerëzish që besojnë në mënyrë të patrandshme në atë çka kanë
nxanë prej librave, nji grup individësh të dijtun që, në rasën tonë jo vetëm krijojnë
e përcjellin kulturë, por udhëheqin popullin e që pavarësisht se kanë ide e mendime
të ndryshme bashkohen në vlerat e përbashkëta njerëzore, në ato vlera që Atë Anton
Harapi qortueshëm na i ka lanë trashigim për inteligencien që ka me ardhë. nga
Arben Ndreca 06-05-2008