2013-01-04 17:08:27

Solemniteti i Dëftimit të Zotit - Epifania!


Me zanafillë nga Lindja, Solemniteti i Dëftimit të Zotit, që Kisha Katolike kremton më 6 janar, e merr kuptimin nga vetë emri: “epifani”, ose “dëftim”, zbulim. Latinët e quanin “festivitas declarationis”, ose “apparitio”, pikërisht për të theksuar dëftimin e hyjnisë së Krishtit para botës pagane përmes adhurimit të Dijetarëve, para judejve përmes pagëzimit në ujrat e lumit Jordan dhe para dishepujve përmes mrekullisë së shumëfishimit të bukës e të peshqve në dasmën e Kanës. Ardhjen e Dijetarëve, pavarësisht nga përpjekjet për gjetjen e bazës historike, mund ta konsiderojmë, së bashku me Etërit e Kishës, simbol dhe manifestim i thirrjes për shëlbimin e popujve paganë. Mbretërit Dijetarë tregojnë se Ungjilli, vërtet u duhet predikuar të gjithë njerëzve. Sipas traditës, ata, duke ndjekur yllin kometë, vijnë nga Lindja, ku Epifania konsiderohet “festë e dritave”, për t’i bërë dhurata Foshnjës Hyjnore.
Në ciklin e vitit liturgjik te Kishes, Dëftimi i Zotit, apo Epifania, ka një vend të rëndësishëm. Vërtet, nëse Krishtlindja mund të konsiderohet si Dëftimi i parë i Jezusit, që duket para krejt popullit të Izraelit, simbolizuar nga barinjtë, kjo festë e Epifanisë, që kremtohet më 6 janar, është zbulimi i hyjnisë së Krishtit, i cili njihet nga popujt paganë, simbolizuar nga Mbretërit Dijetarë të Lindjes së Mesme. Prandaj, ka rëndësi të veçantë, sepse Zoti ynë Jezu Krisht nuk ka ardhur vetëm për popullin e Izraelit, por për krejt njerëzimin, që sheh në atë fëmijë, Birin e Hyjit. Vërtet, dhuratat e Mbretërve Dijetarë janë simbolike: ar, kem e mirrë. Ari, për të treguar faktin, që Jezusi është mbret; kemi, për të treguar hyjninë e Tij; mirra për të na thënë se Ai është edhe njeri: Fjala u bë njeri.
Solemnitet në ditës se sotme duhet ta shohim me sytë e fesë. Duhet të jemi vërtet si Mbretërit Dijetarë. Shën Augustini shpreh një mendim shumë të bukur në një predikim të tij mbi Dëftimin e Zotit. Ati i madh i Kishës shpjegon se Dijetarët e kërkuan Jezusin, duke thënë: “ku është Mbreti i Judejve, që ka lindur? Pamë yllin e tij në Lindje e erdhëm ta adhurojmë”. Komenti i shën Augustinit përmbahet në katër fjalë: “Lajmërojnë dhe pyesin, besojnë e kërkojnë”. Si për të simbolizuar ata, që ecin në rrugën e fesë e duan ta shohin Zotin. Është vërtet e nevojshme të rikthehemi tek përmasa më shpirtërore e jetës. Duhet që në Jezusin të mos shohim vetëm përmasën njerëzore, njeriun më të mirë e më të drejtë, të mos e lexojmë Ungjillin vetëm nga këndvështrimi sociologjik apo antropologjik. Ndoshta sot, duhet të kthehemi tek një përmasë më e thellë e fesë, sepse pikërisht kjo po humbet. Të arrijmë pra ta shohim hyjninë e Krishtit, që Zoti vazhdon të na e dëftojë. Ai yll, që dijetarët e ndoqën deri në Betlehem, vazhdon të ndriçojë të gjitha ngjarjet e jetës se njerezimit e të historisë, të cilat, nëse interpretohen si duhet, na bëjnë ta shohim veprimin e Zotit në botë. Pra solemniteti i Deftimit te Zotit na fton të rifillojmë e te nisemi nga e para, ne të krishterët, për t’u kthyer në përmasën shpirtërore e për ta shpallur Ungjillin më mirë e me më tepër forcë te gjithe njerezve.







All the contents on this site are copyrighted ©.