2013-01-04 15:49:38

Nis Misioni i Koordinimit i ipeshkvijve, në ndihmë të të krishterëve të Tokës së Shenjtë.


Fillon nesër takimi i 13-të i ipeshkvijve të Koordinimit të Konferencave ipeshkvnore evropiane e veri-amerikane, në ndihmë të Tokës së Shenjtë. Sivjet do të mbahet në Betlehem. Qëllimi i nismës, organizuar që prej vitit 1998 nga Konferenca ipeshkvnore e Anglisë dhe e Uellsit, është të shprehë bashkimin e solidaritetin e Kishës universale me bashkësinë e krishterë vendase dhe të fuqizojë shpresën për paqe në rajon.
Në sesionet e ndryshme do të flasin edhe anëtarë të Asamblesë së ipeshkvijve katolikë e të Rojtarisë të Tokës së Shenjtë, si dhe nunci apostolik në Izrael e në Palestinë, imzot Giuseppe Lazzarotto. Ashtu si në takimet e hershme, para se të fillojnë punimet, pjesëmarrësit do të takohen me Patrikun latin të Jeruzalemit, Fouad Twal, si dhe me nuncin, për të njohur nga afër situatën në vend. Delegacioni do të ndahet në dy grupe pune. I pari do të shkojë në Jordani, për të vizituar kampet e refugjatëve sirianë e irakianë, ngritur e drejtuar nga Karitasi vendas në kryeqytetin Aman. Është planifikuar edhe një takim me pedagogët dhe studentët e Universitetit të Patriarkanës latine të Jeruzalemit, në Madaba, guri i parë i të cilit u bekua nga Papa Benedikti XVI gjatë vizitës së tij në Tokën e Shenjtë, në vitin 2009.
Grupi tjetër i delegacionit do të vizitojë Rripin e Gazës, për të njohur realitetin e bashkësisë së krishterë në vend. Këtu ipeshkvijtë do të takohen edhe me studentët dhe pedagogët e Universitetit të Betlehemit. Sipas programit të vizitës, në Jeruzalem do të organizohen takime me diplomatë të vendeve perëndimore, me autoritete civile e fetare si dhe me përfaqësues të shoqërisë qytetare vendase. Vizita do të përfundojë paraditen e 10 janarit, me një kremtim solemn eukaristik në Kishën e Varrit të Krishtit, në Jeruzalem dhe me një konferencë shtypi.
Në delegacion sivjet bëjnë pjesë imzot Joan-Enric Vives, kryeipeshkëv i Urgell, Spanjë; imzot Gerald Kicanas, ipeshkëv i Tucson, SHBA; imzot Richard Smith, kryeipeshkëv i Edmonton, Kanada; ipeshkvijtë Declan Lang e William Kenney të Konferencës ipeshkvnore të Anglisë e të Uellsit; imzot Michel Dubost, ipeshkëv i Evry, Francë e imzot Stephan Ackermann, ipeshkëv i Treviri-t, Gjermani.










All the contents on this site are copyrighted ©.