Mbretëria e Bashkuar: një grup rregulltaresh anglikane pranohen në Kishën katolike.
Një bashkësi motrash anglikane nisi, më 1 janar 2013, misionin pranë Ordinariatit
personal të Zojës së Valsingamit. Gjatë Meshës, kremtuar në Oxford, njëmbëdhjetë rregulltare
të Bashkësisë anglikane u pranuan në gjirin e Kishës katolike. Motrat, lexojmë në
një komunikatë, botuar nga Ordinariati e rimarrë nga agjencia Sir, do të ngrenë një
bashkësi të re e do të vijojnë të jetojnë sipas traditave të bashkësisë së zanafillës,
por duke ndjekur zyrtarisht Rregullën e Shën Benediktit. Me këtë rast ndërruan veshjen
e tyre të zakonshme, me zhgunin dhe velin e Urdhërit Benediktin e edhe emrin, duke
u quajtur Motrat e Zojës së Bekuar, siç parashikohet nga KushtetutaApostolike
Anglicanorum coetibus. Kujtojmë se Kushtetuta Apostolike Anglicanorum coetibus,
nënshkruar nga Benedikti XVI më 4 nëntor 2009, ka për qëllim t’u përgjigjet kërkesave
të shumta, që vijojnë të arrijnë pranë Selisë së Shenjtë nga grupe klerikësh e besimtarësh
anglikanë, të cilët dëshirojnë të hyjnë në bashkim të plotë e të dukshëm me Kishën
Katolike, duke u krijuar kushtet të ruajnë disa nga elementet e veçanta të trashëgimisë
shpirtërore e liturgjike anglikane.