2013-01-04 15:49:24

Krishtlindja me Papën: “Si ta kuptojmë gjithë këtë histori?” .


Edhe emisioni i parafundit i rubrikës “Krishtlindje me Papën” nis me një pyetje: “Si ta kuptojmë gjithë ç’është thënë në këtë libër”? Natyrisht, edhe në emisionet tona që e shfletuan? Është e vërtetë historike, që ka ndodhur, fëmijëria e Jezusit, apo vetëm meditim teologjik, i shprehur në formë historie? Lidhur me këtë, Jean Daniélou, me të drejtë, vëren: “Në ndryshim nga rrëfimi i Lajmërimit të Marisë, adhurimi i Mbretërve Dijetarë nuk prek asnjë aspekt themelor për fenë. Mund të jetë krijim i Mateut, i frymëzuar nga një ide teologjike; por edhe në këtë rast, asgjë nuk do të shembej” (Les Évangiles de l’Enfance, fq 105). Vetë Daniélou shton me bindje se kemi të bëjmë me ngjarje historike, kuptimi i të cilave u interpretua teologjikisht nga bashkësia judeo-kristiane e nga Mateu.
Thënë me dy fjalë, kjo është edhe bindja ime, shkruan Papa Ratcinger. Por, shton, duhet pohuar se gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit, përsa i përket vërtetësisë historike të rrëfimit mbi “Fëmijërinë e Jezusit”, vërehet një farë ndryshimi në opinionet. Ky ndryshim nuk bazohet mbi arritjet e reja shkencore, por mbi lindjen e një qëndrimi të ri ndaj Shkrimit Shenjt dhe mesazhit të krishterë në tërësinë e tij. E ndërsa Gerhard Delling, në vëllimin IV të veprës “Enciklopedia Teologjike e Besëlidhjes së Re” (Theologisches Wörterbuch zum Neuen Testament, 1942), e shikon karakterin historik të tregimit mbi Mbretërit Dijetarë të mbëshetur në mënyrë bindëse nga studimet shkencore historike (cfr fq. 362, nota 11), tashmë edhe ekzegjetë me orientim të qartë kishtar, si Ernst Nellessen ose Rudolf Pesch janë në kundërshtim me vërtetësinë historike, ose së paku, e lënë të hapur këtë çështje.
Përballë gjithë këtyre përfundimeve, meriton t’i kushtohet vëmendje qëndrimeve të kujdesshme të Klaus Berger, në komentin e tij të vitit 2011, kushtuar mbarë Besëlidhjes së Re: “Edhe në rastin e një dëshmie të vetme, duhet hamendësuar, deri në një provë të kundërt, se ungjilltarët nuk e kanë fare në mend t’i gënjejnë lexuesit e tyre. Përkundrazi, duan të tregojnë pikërisht fakte historike. Ta kundërshtosh vërtetësinë historike të këtij rrëfimi, vetëm pse dyshon, do të thotë ta kapërcesh kufirin e çdo kompetence të imagjinueshme të historianëve” (Kommentar zum Neuen Testament, fq 20).
Nuk mund të bëj tjetër, veçse të pajtohem me këtë pohim, shkruan Papa në veprën “Fëmijëria e Jezusit”. Dy kapitujt e rrëfimit të fëmijërisë tek Mateu, nuk janë meditim i shprehur në formë historish. Përkundrazi: Mateu na rrëfen historinë e vërtetë, që u meditua dhe u interpretua teologjikisht, e kështu, ai na ndihmon ta kuptojmë më thellësisht misterin e Jezusit. Ashtu si na ndihmon edhe ne vepra e Benediktit XVI. Ajo nuk është përsëritje e thjeshtë e historive, që i kemi dëgjuar në një mori formash, por pasqyrim i fjalës së fundit të ekzegjezës dhe të historisë moderne, të cilat vijojnë të gërmojnë në thellësinë e shekujve, për të zbuluar ç’është e pavërtetë, pra e padenjë për t’u besuar, e ç’është vërtetë, e denjë për besim. E denjë, sepse na prin kah jeta e pasosur, e ëndërruar nga të gjitha breznitë, që nganjëherë nuk e dijnë a nuk duan ta dijnë prej nga vijnë e ku shkojnë. E mbyllim librin e Benediktit XVI kushtuar Fëmijërisë së Jezusit, si mbyllen flegrat e dritares prej nga, para syve tonë, parakaloi shkurtimisht gjithë historia e shëlbimit, nga Parajsa e humbur, tek Parajsa e rifituar mbi grazhdin e Betlehemit e, sidomos, mbi Kryq. Mister, që asnjë mendje njerëzore nuk mund ta shqyrtojë deri në thellësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.