Mbërritëm në emisionin e parë të vitit 2013, me të cilin ju urojmë edhe një herë “për
nga mot, gëzuar”. Me një farë ironie, mund të themi: “Gëzuar të gjithë atyre,
që mbijetuan nga 21 dhjetori, ditë në të cilën profecia Maya parashikonte fundin e
botës”. Dikush me të qeshur e dikush me gjithë mend, të gjithë folën për këtë
ditë, duke e analizuar nga të gjitha anët e duke parashikuar të gjitha mundësitë,
të qena e të paqena. Nëse bëjmë një kërkim në Google për këtë argument, do të na dalin
së paku 40 milion rezultate për përvijimin e supozuar të planeteve e të Diellit me
qendrën e Rrugës së Qumështit, që duhej të sillte përmbysjen e poleve magnetike të
Tokës. Nuk ia vlen të diskutojmë për bazën shkencore të këtyre pohimeve, natyrisht,
të rreme. Por, në programin e sotëm, do të flasim për botëkuptimin e krishterë mbi
fatin e gjithësisë. Shkenca na thotë se universi ka filluar të ekzistojë
si i tillë rreth 14 miliard vjet më parë. Ai përbëhet nga 4% lëndë, ta quajmë “e zakonshme”,
nga 23% lëndë e zezë, apo e errët dhe, nga 73% energji e errët. Sipas të dhënave më
të besueshme, universi zgjerohet vazhdimisht e ky zgjerim përshpejtohet nga energjia
e errët. Ky shpjegim shkencor parashikon që fillimisht, gjithësia të ketë pasur një
zgjerim eksponencial, domethënë shumë të shpejtë e pastaj, kjo shpejtësi është zvogëluar
e në të ardhmen, do të çojë në të ashtuquajturën “grisje”, apo “shqyerje” të universit.
Dikush mendon se kjo “grisje” do të bëhet herë pas here, në vende të ndryshme, në
kohë të ndryshme, pra gjithësia nuk do të marrë fund njëherësh. Kaq, shkenca, deri
më sot! Duhet të kujtojmë se njohuritë tona mbi botën, pavarësisht se mjaft të përparuara,
nuk janë të plota e mund të ndryshojnë me kohën. Në këndvështrimin e krishterë,
universi e historia kanë kuptim të caktuar. Thellë në shpirtin e njeriut banon
bindja se vdekja nuk mund ta ketë fjalën e fundit. Kozmologjia na mëson se gjithësia
shkon drejt një gjendjeje përfundimtare ftohjeje dhe errësire; mesazhi i krishterë
na tregon se me ringjalljen e ditës së fundme, Zoti do të rikrijojë çdo burrë e grua
e të gjithë universin. Ky realitet i së ardhmes shprehet në fjalët e Zbulesës
së shën Gjonit apostull: “Pashë një qiell të ri e një tokë të re… Ja Tenda e Hyjit
me njerëz! Hyji do të banojë me njerëz! Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë
Hyji, do të jetë me ta [Hyji i tyre]”(21, 1.3). Zbulesa është tekst profetik,
jo informacion shkencor për të ardhmen e kozmosit e të njeriut. Është profeci, që
na zbulon themelin më intim e orientimin e historisë. Në kontekstin historik, në të
cilin shkruan, autori ungjillor përpiqet ta inkurajojë bashkësinë e të krishterëve,
që vuan nga persekutimi. Historia njerëzore e ajo e gjithësisë ka një kuptim,
që i është dhënë nga Zoti-me-ne. Edhe nëse nuk vuajmë persekutimin, kemi gjithnjë
nevojë për inkurajim. Fjala e Zotit na kujton se shkojmë drejt një të ardhme, në thelb,
më të mirë, pavarësisht nga krizat e çdo lloji, që karakterizojnë çdo epokë. Na
siguron se e ardhmja e njerëzimit dhe e gjithësisë është në Krishtin.