2013-01-03 11:57:14

Kisha kremton sot festën e Emrit të Shenjtë të Jezusit


Kisha kremton sot festën e Emrit të Shenjtë të Jezusit, festë që na kujton misionin Shëlbimprurës të Tij: sjelljen në botë të dashurisë së Zotit. Emri i Shenjtë i Jezusit gjithmonë qe lavdëruar e nderuar në Kishë qysh në kohët e para, mirëpo vetëm në shekullin XIV filloi të ketë kultin e posaçëm liturgjik. Shën Bernardini, i ndihmuar nga sivëllezërit rregulltarë, posaçërisht nga Alberti i Sarteàno-s e Bernardini i Feltre-s, e përhapi me vrull e zell përshpirtërinë ndaj Emrit të Shenjtë të Jezusit çka bëri që përfundimisht të themelohet edhe si festë liturgjike për mbarë Kishën. Në vitin 1530 Papa Klementi VII autorizoi Urdhrin françeskan të recitonte Lutjet e Ditës në festën e Emrit të Shenjtë të Jezusit. Papa Gjon Pali II e rivendosi këtë festë më 3 janar si përkujtim fakultativ, pra jo të detyrueshëm në Kalendarin Romak.
Kështu shkruan shën Pali në Letrën drejtuar Filipianëve “Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë” dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti është Zoti!”!(Fil 2,9-11). E shën Gjon Apostull në Letrën e tij të Parë shkruan: “Po ju shkruaj, fëmijëzit e mi: “Mëkatet tuaja janë falur në fuqi të Emrit të Tij!” (1Gjn 2,12), derisa shën Pali në Letrëndrejtuar Romakëve shton: “Kushdo ta thërrasë Emrin e Zotit, do të shëlbohet”! (Rm 10,13).
Mos kij frikë! Maria do të nxjerrë në dritë një djalë e ti do t’ia ngjitësh emrin Jezus. Ai do ta çlirojë popullin nga mëkati” (cfr Mt.1-21). Njëherësh me ftesën për ta marrë me vete, nën strehën e tij, Vashën, urdhri për t’i vënë edhe emrin fëmijës, duke e bërë kështu ligjërisht bir në shpirt. E duke i ngjitur të njëjtin emër, që Engjëlli ia kishte thënë edhe Marisë: “Jezus”!
Emri Jezus (Jeshua), në gjuhën hebraike, do të thotë YHWH është shpëtim.
I dërguari i Hyjit, pasi e lajmëron Jozefin, në ëndërr, për natyrën e Foshnjës që pret Maria e siguron edhe se Biri i tij në shpirt do ta shpëtojë popullin e vet nga mëkatet, domethënë do ta shëlbojë. Engjëlli i shpjegon edhe kuptimin e fjalës shpëtim, na e kujton Benedikti XVI në librin “Fëmijëria e Jezusit”, ne, njerëzve në pritje të shpëtimit nga mijëra kurthe e pusi, që na ngre jeta në çdo hap. Në këtë mënyrë, nga njëra anë, Foshnjës i ngarkohet një detyrë e lartë teologjike, sepse vetëm Hyji vetë mund t’i falë mëkatet. Kështu Jezusi hyn menjëherë në marrëdhënie me Hyjin, në lidhje të drejtpërdrejt me pushtetin shenjt e shëlbues të Tij. Nga ana tjetër, ky mision, që i ngarkohet Mesisë, e që përmblidhet në emrin e Tij, shumëkujt mund t’i duket zhgënjyes. Në këtë çast judenjtë nuk mendonin për mëkatet. Mendimi i tyre i parë ishte shpëtimi i Izraelit, e edhe i vetvetes, nga gjendja e tmerrshme e skllavërisë romake. Ata ishin në pritje të rikthimit të mbretërisë së Davidit, donin lirinë, kërkonin pavarësinë, të cilën e gëzonin dikur, nën mbrojtjen e Mbretit të madh. I kërkonin të gjitha këto, sepse lidheshin edhe me mirëqenien materiale të një populli, të varfëruar deri në palcë. Premtimi për faljen e mëkateve u dukej i papërfillshëm, e njëkohësisht, edhe i tepruar. I tepruar, sepse mëkatet mund t’i falë vetëm Zoti, i papërfillshëm, sepse duket sikur Mesia i premtuar nuk do t’ia dijë fare për vuajtjet tronditëse të Izraelit nën thundrën romake, për etjen e tij të vërtetë, për kërkimin e ethshëm të lirisë, në kuptimin më njerëzor të fjalës. Në fund të fundit në vetë emrin Jezus përmblidhet gjithë polemika mbi mesianizmin e Zotit. A e shpëtoi vërtet Izraelin? Apo ai erdhi e shkoi e gjithçka mbeti siç ishte? Misioni, ashtu si e jetoi Jezusi, ishte apo s’ishte përgjigje që i jepej premtimit të Hyjit Atë për popullin e zgjedhur? Sigurisht nuk përkonte fare me shpresën për shpëtimin e menjëhershëm mesianik të njerëzve, që rënkonin nën barrën e rëndë të mëkateve, më shumë se nën thundrën e pushtuesit. Por që ndjenin më shumë barrën e dytë, sesa të parën. Mbasi, më tepër se për mungesën e jetës shpirtërore, mendonin për lirinë njerëzore. Nuk donin të shuanin aq urinë e shpirtit, sa urinë e korpit. Jezusi vetë, më se një herë, e pranon se njeriu ka edhe nevoja materiale. Por duke theksuar se, mbi të gjitha, është qenie e arsyeshme. Ka korp, por kryesisht shpirt. Korpi lyp bukën, shpirti Zotin. E në se këputet lidhja themelore, ajo e njeriut me Zotin, atëherë ngatërrohen të gjitha lidhjet e tjera. Prej këndej, mjafton vetëm emri Jezus, për t’i folur njeriut, për t’i treguar se nuk mund të gëzojë shëndet të plotë, në se nuk shërohet më parë shpirtërisht.E po prej këndej, njeriut të gjymtë, që i lutet ethshëm ta bëjë të ecë, Jezusi më parë i thotë: “Bir, të janë falur mëkatet”, e më pas, edhe “Çohu e ec!”. Në këtë kuptim, duke ia shpjeguar Jozefit emrin e Jezusit në ëndërr, Zoti na sqaron plotësisht ç’do të thotë shëlbim dhe cili është kuptimi i emrit të Atij, që po vinte, e po vjen, për të shëlbuar, duke u mishëruar në kraharorin e Vashës virgjër. Në emrin Jezus, njeriu shikon fillimin e jetës së pasosur; cakun, ku mund të arrijë, kur këmbët ngarkohen me peshën e dëborës, në dimrin e moshës; lartimin kah qielli, i sigurt se toka nuk mund ta ngrehë më prej vetes; daljen prej gjirit të errët të drojës nga vdekja, për të hyrë përgjithmonë në dritë; shikon shëlbimin e mbarë universit!







All the contents on this site are copyrighted ©.