2013-01-03 11:49:44

Bashkësia e Taizé-së: pas takimit të Romës, etapë në Stamboll për festën e Dëftimit të Zotit


Disa nga vëllezërit e Bashkësisë së Taizé-së dhe rreth 100 të rinj nga vende të ndryshme, që morën pjesë në takimin evropian të Romës nga 28 dhjetori 2012 deri dje, 2 janar 2013, kanë shkuar sot në Stamboll për të kremtuar më 6 janar festën e Dëftimit të Zotit. Kontaktet e para të Bashkësisë Ekumenike të Taizé-së me Patrikanën Ekumenike të Kostandinopojës janë vendosur që në vitin 1960. Themeluesi i bashkësisë, frère Roger Schutz i pati bërë një vizitë Patrikut të atëhershëm Atenagora, në vitin 1962 e, edhe më vonë. Në dhomën e themeluesit, në Taizé, ndodhet akoma ikona e shën Marisë Virgjër, që Patriku i pati dhuruar në njërën nga vizitat.
Sot, “Shtegtimi i besimit në Tokë” për të rinjtë e Taizé-së, vazhdoi në Stamboll, ku aktualisht, është patrik, Bartolomeu I. Në qendër të kryeqytetit turk, të rinjtë morën pjesë së bashku me të krishterët e vendit në kremtimin e Mbrëmësoreve në kishën greko-ortodokse të Trinisë Shenjte në sheshin Taksim. Të shtunën, ata do të marrin pjesë në kremtimin e Mbrëmësoreve të festës së Dëftimit të Zotit në Fanar, seli e Patrikanës Ekumenike. Edhe në Kostandinopojën e vjetër, të rinjtë do të strehohen nga familjet e qytetit, ashtu siç ndodhi në Romë.
Nesër mbrëma, lutja karakteristike e Taizé-së do të kremtohet në kishën armene katolike të Shën Gjon Gojartit. Të shtunën, përveç lutjes, të rinjtë do të takohen me bashkëmoshatarët e tyre të krishterë e myslimanë, në zona të ndryshme të Stambollit. Gjatë këtyre ditëve, ata do të kenë mundësi të vizitojnë vende të rëndësishme për krishterimin, si Shën Sofia e shën Salvatori në Kora, manastiri i Baliklit, ku ndodhet varri i Patrikut Atenagora dhe, manastiri i Trinisë Shenjte në ishullin e Hejbeliadës, ku ngrihet seminari teologjik i Halkit.







All the contents on this site are copyrighted ©.