2013-01-02 13:05:11

Të rinjtë e Taizé-së kthehen në shtëpi nga takimi i Romës. Mirupafshim në Strasburg!


Të rinjtë e mbledhur në Romë nga Bashkësia e Taizé-së për takimin e tyre evropian të fundvitit, u kthyen sot në shtëpitë e tyre. Grupi i rreth 50 shqiptarëve, nga Shqipëria e Kosova, qe ndër të parët, që u nis për udhë. Pas gati një jave, që kaluan në Qytetin e amshuar, në kapërcyell të viteve, të rinjtë shkojnë tani nëpër bashkësitë e tyre, ku pa krijuar ndonjë grup të veçantë, përhapin frymën e afrimit ndërmjet të krishterëve e të lutjes së përbashkët. Ashtu siç bënë në Romë, ku së bashku, të shpërndarë në bazilikat kryesore të qendrës, u lutën tri herë në ditë me vëllezërit e bashkësisë ekumenike, me qendër në Taizé të Francës, të shoqëruar nga shumë besimtarë romakë, fillimisht të habitur e pastaj të mahnitur nga kjo turmë jo e zhurmshme të rinjsh, që mbushën shtëpitë e famullitë e tyre.
Kulmi i veprimtarive qe takimi me Papën, më 29 dhjetor, në sheshin e Shën Pjetrit, gjatë të cilit u vu në dukje se të krishterët, para se të jenë të bashkuar e të bërë një, ashtu siç i deshi Krishti, duhet të jenë të pajtuar në shpirt e të bindur se ndarjet ndërmjet ndjekësve të Jezusit nuk janë dallime të rëndësishme. 45 mijë të rinjtë, ortodoksë, katolikë e protestantë, e dëshmuan më së miri këtë, gjatë këtij takimi të Romës, e cila e pret për të katërtën herë Bashkësinë e Taizé-së, themeluar nga frère Roger Schutz.
Strasburgu, seli e Parlamentit Evropian, e Këshillit të Evropës dhe e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut, do të presë në fund të këtij viti, takimin e ardhshëm të Taize-së “Shtegtim i besimit në tokë”. Lajmin e dha eprori i Bashkësisë ekumenike, frère Alois, i cili kujtoi se Strasburgu është qytet ndërmjet dy vendeve, Francës e Gjermanisë, simbol i pajtimit në Evropë.







All the contents on this site are copyrighted ©.