2013-01-02 16:23:42

Siri.Thirrje e imzot Hindo: gruri ynë u plaçkit e iu shit turqve.


Dy thirrje urgjente iu drejtuan presidencës së Fao-s (Organizatë e Kombeve të Bashkuara për ushqimin e bujqësinë), me seli në Romë, dhe kryeministrit irakian, Nuri al-Maliki, me kërkesën për ndërhyrje të menjëhershme përballë emergjencës humanitare, që po i dërrmon qindra mijëra sirianë në zonën e Zhazirës, në Mesopotaminë e Epërme siriane. Autor i thirrjeve është imzot Zhak Behnan Hindo, kryeipeshkëv i kryeheparkisë siro-katolike të Hassaké-Nisibit. Prelati e përshkruan me hollësi gjendjen tragjike që, sipas tij, mund të shndërrohet shumë shpejt në situatë katastrofike. E nuk mund të jetë ndryshe, në një vend me ekonomi të paralizuar, me qarkullim rrugor të ndërprerë, me zhdukje të prodhimeve më të domosdoshme për jetesën e me rritje marramendëse çmimesh. Pa llogaritur mungesën e energjisë elektrike dhe amullinë e plotë të bujqësisë. E kësaj situate i shtohet edhe grabitja e drithit që, nën hundën e doganierëve turq, u shitet tregtarëve në Turqi. E kjo, në sa afrohet koha e mbjelljeve të reja. “Ju lutemi të na ndihmoni sa më shpejt, me karburant, benzinë e drith!”. Me këto fjalë i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare dhe kryeministrit al-Maliki ipeshkvi sirian, përmes agjencisë Fides, me shpresë se dikush do ta zgjasë dorën, për të ndihmuar një popull, që po kalon vështirësi e vuajtje të papërshkrueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.