2013-01-02 13:05:27

Presidenca e turnit e BE-së i kalon Irlandës: në qendër, çështja e bashkimit bankar


Që nga 1 janari, Irlanda mori në dorë presidencën e turnit të Këshillit të Bashkimit Evropian, pas semestrit qipriot. Nga fjalët e ministrit të jashtëm irlandez, Gilmore, doli në pah përparësia e Dublinit në gjashtë muajt, që do të udhëheqë Evropën: përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe rritja e vendeve të punës. Për sfidat, që e presin kontinentin e vjetër, gjatë këtij viti të ri, folëm me ekonomistin italian Paolo Guerrieri, pedagog i Ekonomisë ndërkombëtare në Universitetin “La Sapienza” të Romës:
Urgjenca më e madhe për Bashkimin Evropian është bashkimi bankar, një problem absolutisht i rëndësishëm. Nga njëra anë, sepse bankat dhe sistemi bankar evropian mbeten edhe sot hallka e dobët e kontinentit; nga ana tjetër, sepse ekziston kjo lidhje e mbrapshtë, që duhet këputur, ndërmjet krizës së bankave e të sistemit bankar të disa vendeve dhe borxheve shtetërore. Do të jetë vendimtare mënyra e veprimit të mëtejshëm, realizimi i këtij projekti për bashkimin bankar. Dimë që ka filluar me miratimin e vigjëlimit unik.
Çfarë do të sjellë me vete presidenca irlandeze? Vetë Dublini po përballon probleme të rënda ekonomike…
Irlanda po zbaton një plan shumë të rreptë, në një farë mënyre e për disa aspekte, shumë të frytshëm. Siç e dimë, bankat e mëdha irlandeze kanë qenë shkaktaret e krizës së borxhit sovran të vendit. Tani, si presidente e turnit e Bashkimit Evropian, Irlanda duhet të gjejë zgjidhje brenda këtyre muajve. Interesohet drejtpërdrejt sidomos për njërin nga aspektet: që bashkimi bankar të mos shërbejë vetëm për të ardhmen, për të parandaluar krizat e mëtejshme, por edhe për të kaluarën, pra, për të përballuar krizat bankare të akumuluara deri tani. Më të rëndat janë pikërisht në Spanjë e në Irlandë. Duhet ndihma evropiane, përndryshe burimet e këtyre dy vendeve nuk do të jenë të mjaftueshme e sidomos lidhja ndërmjet krizës bankare e krizës së borxheve nuk do të këputet kurrë. Muajt e ardhshëm janë gur prove.
2013-a është viti, që i kushtohet qytetarit evropian, i cili ka nevojë sidomos për punë. Viti i Ri, a do të sjellë risi në këtë fushë?
S’ka dyshim se kriza evropiane sot, është sidomos krizë e mos-zhvillimit; madje, kemi kthim mbrapa, me gjendje dramatike përsa i përket punësimit në Evropë. Prandaj, duhen politika të tjera, që të mos heqin dorë nga rreptësia e rregullave, por të dinë të hapin edhe mundësi të reja zhvillimi. Në një farë mënyre, kjo do të varet nga vendime të guximshme, që urojmë të merren. Por, kam frikë se gjatë këtij viti do të mbizotërojnë ciklet zgjedhore: më parë në Itali e më pas në Gjermani, ku shqetësimi kryesor është të ruhet një gjendje e qetë. Unë mendoj se vendimet e guximshme, nismat e mëdha politike, vështirë të merren deri në tetor o nëntor. Të shpresojmë se të paktën do të ruhet gjendja e muajve të fundit, sepse edhe ky do të ishte rezultat i mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.