2013-01-02 15:09:53

Patriku Tval: forca e lutjes për paqen në Tokën Shenjte e në Siri


Në Solemnitetin e festës së Nënës së Zotit e në Ditën e djeshme Botërore të Paqes, Patriku latin i Jeruzalemit, Fuad Tval foli gjatë homelisë së meshës për paqen në Tokën Shenjte e në Siri. “Si të mos e dëshirojmë me zjarr paqen në Siri e fundin e bllokadës në Gazë! – tha ai. Lutemi pa pushim për t’i inkurajuar njerëzit vullnetmirë të vazhdojnë deri në fund përpjekjet e tyre, duke i thënë ‘jo’ urrejtjes e duke respektuar dallimet e ligjshme fetare, kulturore, ose historike”.
Patriku komentoi mesazhin e paqes së Papës Benedikti XVI, tema e të cilit është marrë pikërisht nga lumnitë: “Lum veprimtarët e paqes”, e vuri në dukje se reflektimi i Atit të Shenjtë është udhërrëfyes për impenjimin e katolikëve në jetën shoqërore, ekonomike e politike e në përpjekjet e tyre për zgjidhjen e konflikteve të përgjakshme në zonë, për kapërcimin e tensioneve e të pabarazive, të mendësisë egoiste e individualiste të një kapitalizmi financiar pa rregulla, që e thellon ndarjen ndërmjet të pasurve e të varfërve.
“Lindja jonë e Mesme e Toka jonë e Shenjtë, kaq e dashur për ne - vazhdoi Patriku Tval – vuajnë nga rritja e fondamentalizmit fetar, i cili vë në rrezik perspektivën e dialogut e të bashkëjetesës ndërmjet feve”. Përgjigjja për këto sfida të paqes gjendet në lumnitë ungjillore, falë të cilave – tha imzot Tval, duke cituar Benediktin XVI – është e mundur të ndërtohet një shoqëri, e bazuar mbi të vërtetën, mbi lirinë, mbi dashurinë e drejtësinë. Paqja ndërmjet popujve mund të vendoset vetëm nëse ekziston më parë në zemrën e çdo njeriu, në çdo bashkësi fetare e në çdo popull.
Patriku i Jeruzalemit nënvizoi se njohja e Palestinës nga OKB-ja si shtet jo anëtar, duhet të favorizojë në tokën e Krishtit paqen, për arritjen e së cilës nuk duhet përdorur kurrë dhuna. Fjalë afërsie shpirtërore edhe për Sirinë e Gazën, ku paqja është larg. Imzot Tval u kërkoi të krishterëve ta ndjejnë veten të bashkuar e lavdëroi nismën e katolikëve, të anglikanëve e të luteranëve për t’i festuar Pashkët e vitit 2013 sipas kalendarit julian, pra, bashkë me ortodoksët. Uroi, së fundi, që edhe ortodoksët të bëjnë hapin e rëndësishëm për ta festuar Krishtlindjen sipas kalendarit gregorian, ashtu siç e festojnë, për shembull, ortodoksët e Shqipërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.