2013-01-01 16:36:30

Me 1 janar Kisha kremtoi solemnitetin e Nënës së Zotit


Më 1 janar Kisha kremton misterin e Marisë, Nënë e Zotit. Fillojmë pra, sot, një vit të ri e na merr për dore shpresa e krishterë; e fillojmë duke iu lutur Hyjit të na japë bekimin hyjnor e duke kërkuar, me ndërmjetësi të Marisë, Nënës së Zotit, dhuratën e paqes: për familjet tona, për qytetet tona, për botën mbarë. Mund të jemi të sigurt: në se nuk lodhemi s’e kërkuari fytyrën e Zotit, në se nuk i nënshtrohemi tundimit të humbjes së besimit e të dyshimit, në se përmes vështirësive të panumërta, mbetemi gjithnjë të lidhur ngushtë me Të, do të provojmë patjetër pushtetin e dashurisë së Tij e të mëshirës së Tij Hyjnore, Jezusi, Foshnja e njomë e Betlehemit që Virgjëra Mari ia dëfton sot botës, na bën veprimtarë të paqes, dëshmitarë të Tij, Princit të Paqes.
Po çfarë peshe ka kjo e vërtetë e fesë? Ka peshë të pamatshme e njëkohësisht edhe ngushëllim të jashtëzakonshëm. Vetë fakti që Kisha e kremton këtë festë në fillim të Vitit të Ri, na thotë: “Shikoni se e vetmja portë pas së cilës gjendet gëzimi i vërtetë, kuptimi i jetës, është porta e Amësisë Hyjnore të Marisë. E kjo, sepse po të hapim librin e gjendjes civile të njerëzimit, në të do të gjejmë emra të tmerrshëm: të mendojmë vetëm për emrin e Neronit, të Dioklecianit, të diktatorëve të mëdhenj, të xhelatëve të kohëve tona: Hitleri, Stalini, Pol Poti, Enver Hoxha… e njerëz të tjerë, që gjithë jetën s’bënë tjetër, veçse të mbytnin botën në gjak. S’ke ç’thua tjetër kur i mendon, veçse: Më vjen turp t’i përkas një njerëzimi të tillë! Por ja, na ngushëllon mendimi i Amësisë Hyjnore. Në librin e gjendjen civile të botës, në një nga rreshtat, gjejmë edhe emrin Jezu Krishti.
Amësia hyjnore e Marisë na thotë se Hyji hyri në historinë tonë, u bë farefis me njeriun, me ne. Hyji na deshi deri në këtë pikë, e Maria ishte porta nëpër të cilën Zoti u bashkua me ne, u bë vëlla me të gjithë njerëzit, me secilin prej nesh. Prandaj nuk mund ta falënderojmë kurrë aq sa duhet Marinë, sepse Zoti trokiti në portën e lirisë së saj, portë që atë çast përfaqësonte mbarë njerëzimin. E përmes Marisë, Zoti u bë i afërmi i secilit nga ne, u bë Emanueli.







All the contents on this site are copyrighted ©.