2012-12-31 16:33:59

Papa në Engjëllin e Tënzot: familja duhet të mbetet shpresë e sigurtë për mbarë njerëzimin


Familja të mbetet shpresë e sigurtë për mbarë njerëzimin: është thirrja e fuqishme e Papës, dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në festën e Familjes Shenjte të Nazaretit.
Biri i Zotit deshi të lindte në një familje, e madje në një familje të varfër, duke nënvizuar rolin e saj të pazëvendësueshëm për njeriun e për shoqërinë. Benedikti XVI rikujtoi, kështu, vlerën themelore të familjes për njeriun e për mbarë njerëzimin. Shtytjen e mori nga Ungjilli i humbjes së Jezusit në Jeruzalem, që flet për kërkimin e ankthshëm të Marisë e të Jozefit dhe për rigjetjen vetëm pas tri ditësh në Tempull, duke folur me mësuesit e Ligjit. Shqetësimi i Marisë e i Jozefit për Jezusin, nënvizoi Papa, është shqetësimi i gjithë prindërve, që edukojnë fëmijë, që u prijnë në hapat e para të jetës, i mësojnë të kuptojnë realitetin. Prej këndej, Benedikti XVI i lartoi një lutje të veçantë Zotit, për të gjitha familjet e botës:
“Duke i përngjarë Familjes Shenjte të Nazaretit, prindërit duhet të shqetësohen seriozisht për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre, që të fitojnë pjekurinë si njerëz plot përgjegjësi e si qytetarë të ndershëm, pa harruar kurrë se feja është dhuratë e çmuar, që duhet ushqyer në bijtë me shembullin vetjak”.
Në vijim Papa u lut që çdo fëmijë të pranohet si dhuratë e Hyjit, të rritet me dashuri nga nëna e ati, ashtu si u rrit Zoti Jezus, në dije, mote e hir, para Hyjit Atë e para njerëzve:
“Dashuria, besnikëria e përkushtimi i Marisë e i Jozefit duhet të jenë shembull për të gjithë bashkëshortët e krishterë, të cilët nuk janë miq e as pronarë të jetës së bijve të tyre, por kujdestarë të kësaj dhurate të pakrahasueshme të Zotit”.
Heshtja e Jozefit, njeri i drejtë (cfr Mt 1,19) dhe shembulli i Marisë, që i ruante të gjitha gjërat në zemrën e vet (cfr Lk 2,51), vijoi Benedikti XVI, duhet të na nxisin të hyjmë plotësisht në misterin e fesë e të humanizmit të Familjes Shenjte:
“U uroj të gjitha familjeve të krishtera të jetojnë në praninë e Zotit me dashurinë e gëzimin e Familjes së Jezusit, Marisë e Jozefit”.
Në përfundim të lutjes mariane, Benedikti XVI iu drejtua, në gjuhën spanjolle, përmes video-lidhjes, mijëra njerëzve, mbedhur në Madrid për Meshën tradicionale kushtuar Familjes:
“Pidamos que la familia siga siendo un don precioso…
T’i lypim Zotit, u lut Papa, që familja të mbetet dhuratë e çmuar për secilin nga anëtarët e saj e edhe shpresë për mbarë njerëzimin”.
Benedikti XVI i ftoi, më pas, të gjitha familjet ta bëjnë botën shtëpi të vërtetë, vend harmonie, solidariteti, respekti reciprok, duke ia besuar Familjes Shenjte të Nazaretit, për të kapërcyer vështirësitë e jetës. Së fundi, Papa u uroi të gjithëve një fundviti në dritën dhe paqen e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.