2012-12-31 17:31:35

Në Senat, salla mortore për Rita Levi Montalçinin


Është vendosur në një nga sallat e Senatit italian, në Romë, trupi i Rita Levi Montalçinit, që ndërroi jetë dje, në banesën e saj, në Romë. Çmim Nobel për mjekësinë, Rita Levi Montalçini ishte 103 vjeçe.
“Figurë e shquar, e jo vetëm për meritat e saj të larta shkencore, por edhe për impenjimin qytetar e moral, që e bëri personalitet shembullor e frymëzues në bashkësinë italiane e ndërkombëtare”, kështu u shpreh atë Federiko Lombardi, drejtor i Radio Vatikanit e i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë dhe zëdhënës i Benedikti XVI, për agjencinë Ansa, duke shtuar se është spontane dhe e detyrueshme të bashkohesh me pikëllimin universal për humbjen e saj.
E lindur më 22 prill 1909, në një familje hebreje sefardite, u specializua në neurologji. Në periudhën e Luftës II Botërore, për shkak të ligjeve racore, u detyrua të mërgonte në Belgjikë. Qe mysafire e Institutit të neurologjisë, pranë Universitetit të Brukselit, ku vijoi studimet mbi diferencimin e sistemit nervor. Si u rikthye në Itali, në vitet ’50, kërkimet e saj shkencore çuan në zbulimin dhe identifikimin e faktorit të rritjes së fibrës nervore, ose NGF, zbulim për të cilin u vlerësua, më 1986, me Çmimin Nobel për mjekësinë. Më 1 gusht 2001 u emërua senatore përjetë, me motivacionin “Për shkëlqimin dhënë Atdheut me meritat tejet të larta në fushën shkencore e shoqërore”. E ndjera ishte anëtare e Akademisë së Lincei për shkencat fizike, e Akademisë Papnore të Shkencave si dhe një nga anëtaret dhe themelueset e Fondacionit Idis-Città Scienza. Laike, jo besimtare, u impenjua në shumë fronte civile e shoqërore. Thirrja e saj e fundit, pak muaj më parë, iu drejtua qeverisë Monti, që të mos e shlyejë ardhmërinë e shumë të rinjve, të cilët impenjohen në kërkime shkencore, duke shpresuar t’i vijojnë këto kërkime në Itali. Shqetësohej për ikjen e trurit nga vendi, fenomen që duhet të shqetësojë edhe shumë qeveri të tjera.
Vdekja e Rita Levi Montalçinit është zi e rëndë jo vetëm për qytetin e Romës dhe për Italinë, por për mbarë njerëzimin. Personalitet, që përfaqësonte vetëdijen civile, kulturën e frymën e kërkimit të kohës sonë e që diti të bashkojë rreptësinë shkencore me kulmin e humanitetit, la pas një emër, që nuk do të vdesë në kujtesën e njerëzimit!









All the contents on this site are copyrighted ©.