2012-12-31 16:47:33

Gëzuar Vitin e Ri me dritën, dashurinë, paqen dhe bekimin e Jezusit Zot.


Nga redaksia e programit shqip të Radio Vatikanit, të gjithë dëgjuesve e shqiptarëve kudo që ndodhen e kremtojnë në atdhe apo nëpër botë, urimet më të përzemërta për një përfundim të mirë të këtij Viti dhe fillim të mbarë të Vitit të Ri: qoftë Vit gëzimi, paqeje, dashurie, drejtësie e begatie shpirtërore e njerëzore
Çdo vit sjell me vete gëzime e dhimbje, realizime e dështime, perspektiva e çështje, që presin përgjigje e zgjidhje. Po sidoqoftë, ende pa e kapërcyer mirë kufirin ndërmjet dy vitesh, sot, t’ia lartojmë lutjen e falënderimit Zotit për të gjitha të mirat, që ka bërë për ne, e për çdo çast që kemi përjetuar gjatë vitit që po përfundon. Po kështu t’i lutemi të na japë forcë të vijojmë udhën e jetës në Vitin e Ri, të bindur se përmes planeve të mistershme të shtegtimit tonë tokësor, prej Zotit na vjen ngushëllimi, gëzimi e paqja dhe çdo e mirë që mund të dëshirojmë. Hyji është Ai që pret e do çdo njeri, secilin prej nesh. Në Të e kemi pikënisjen dhe cakun e jetës.
Sonte, ndërsa në orët e mesnatës, ky Vit i Vjetër, i lë vendin Vitit të Ri, ndërsa njerëzit trokasin gotat për t’i uruar njëri-tjetrit një motmot të ri të gëzuar e në qiell ndizen yjet e dritat e fishekzjarrëve, Papa, në heshtjen e lutjes në kapelën e tij private, do t’i kërkojë Zotit që Viti Ri të jetë vit i paqes, i humanizmit të vërtetë, i lirisë njerëzore e fetare, themel i të gjitha të drejtave njerëzore, siç ripohon Dita Botërore e Paqes, që kremtohet pikërisht nesër, më 1 janar, ditën e parë të vitit të ri.
Pritja e Vitit të Ri në lutje nga ana e Papës, prej shumë vitesh tashmë është bërë traditë, qysh nga Papa Gjoni XXIII e deri më sot. Kështu, në orën e qetë të mesnatës, Papa do t’i japë lamtumirën këtij Viti të Vjetër të ngarkuar me shqetësime, me probleme, me frikë e konflikte, luftëra dhe situata të vështira në shumë vise të botës.
Kisha është e vendosur të veprojë e të punojë kurdoherë për paqen njerëzore në botë, pikërisht sepse e konsideron atë paralajmërim të Mbretërisë së Zotit e të qytetërimit të dashurisë ndërnjerëzore.
Kisha e shikon realitetin e tanishëm të njerëzimit pikërisht në Dritën e Fjalës së Zotit, duke u nisur nga fundi i të gjitha kohërave e nga ardhja e Krishtit në lavdi. Prandaj na fton drejt pajtimit, që sjell faljen e paqen, dhuratë e Zotit, kur i bëjmë vend në zemra tona, dhuratë e Atij që na ndihmon të jetojmë.
Ndërsa lamtumirën publike vitit të vjetër që po e mbyllim, Papa ia dha sot pasdite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ku udhëhoqi kremtimin solemn të lutjes së mbrëmësores dhe të lutjes së mirënjohjes e falënderimit “Te Deum”, përmes së cilës falënderoi Zotin për të gjitha bekimet e të mirat.
“Vepra e ditë, bekojeni Zotin, falënderojeni e lavdërojeni Emrin e Tij të Shenjtë”. Në mbarim të vitit civil, në bashkim me Shën Marinë Virgjër, Nënën e Zotit, liturgjia dhe lutja e mbrëmësores bëhen lavd e falënderim për të gjitha të mirat që Hyji Atë ka bërë për ne gjatë këtij viti që po kalon. Dhuratat e tij hyjnore kanë qenë më të mëdha se sa pa besnikëritë tona. Të këndojë, pra, zemra jonë plot mirënjohje për gjithçka kemi marrë prej Tij, dhe të këndojë më shpresë të sigurt për të mirat e ardhshme.
Prandaj, në mbarim të vitit, Kisha na fton ta përqendrojmë vështrimin tonë mbi Jezusin Foshnje, Diellin e ri që u shfaq në horizontin e njerëzimit, sepse në Të koha merr domethënien dhe përmasën e vet vërtetë. Udha drejt lumturisë së vërtetë është Jezu Krishti, e vetëm në Të njeriu gjen bukurinë dhe kuptimin e jetës. Pikërisht për këtë besimtarët e krishterë janë të thirrur t’i jetojnë këto orë duke i bërë të vetat ndjenjat e Virgjërës Mari e së bashku me Të ta mbajnë të fiksuar shikimin mbi Krishtin Zot e Shpëtimtar, dhe, të ngushëlluar nga drita e Tij Hyjnore, të jenë përherë të lidhur me Atë, të cilit, duhet t’i paraqesin gëzimet e shpresat, trishtimet dhe vështirësitë e jetës së përditshme, problemet e të varfërve e sidomos të atyre që vuajnë (krh Konc- Vat. II, Kush. Gëzim e shpresë, 1), sepse ngjarja e Mishërimit të Zotit, Krishtlindja e “mbush” me vlerë e domethënien historinë e jetën e mbarë njerëzimit. Hyji nuk e ka mbushur kohën duke zbritur e depërtuar në të prej së larti, por “nga brenda”, duke u bërë farë e vogël për ta udhëhequr njerëzimin deri në rritjen e pjekurinë e plotë.
Në mbarim të Vitit, e ndjejmë nevojën të lutemi në mënyrë krejt të veçantë për ndërmjetësimin e të Shenjtueshmes Mari Virgjër për familjet tona, për qytetet, fshatrat e popujt tanë e për mbarë botën. Asaj, Zojës së Bekuar, që është Nënë e Mëshirës Hyjnore të mishëruar, ia besojmë sidomos ato situata në të cilat vetëm hiri i Zotit mund të sjellë paqen, ngushëllimin, drejtësinë. “Asgjë nuk është e pamundshme për Zotin” (Lk 1,37), këtë dëgjoi Virgjëra Mari nga Engjëlli i Zotit, që i kumtonte amësinë e saj hyjnore. Maria besoi, e për këtë është e lumtur (krh Lk 1,45). Ajo që është e pamundshme për njeriun, bëhet e mundur për atë që beson (krh Mk 9,23).
Prandaj ndërsa mbyllet ky Vit e duket agimi i Vitit të Ri, t’i kërkojmë Nënës së Zotit të na fitojë dhuratën e fesë së gjallë; atë fe që t’i përngjajë asaj sa më tepër, një fe të bindur, të pastër, të përvujtë e njëkohësisht guximtare, plot shpresë e entuziazëm për Mbretërinë e Zotit e për qytetërimin e dashurisë, një fe, që shpartallon çdo fatalizëm e që bashkëpunon me gëzim e gatishmëri me vullnetin e planin hyjnor, e bindur se Zoti nuk do asgjë tjetër përpos dashurisë dhe jetës, gjithmonë e për të gjithë!
O Mari, na e fal fenë e vërtetë e të pastër në Hyjin. Qofsh ti përherë e falënderuar dhe e bekuar, shenjta Nënë e Tënzot! Amen!.
Zoti që kurorëzon këtë vit me mirësinë e Tij Hyjnore, ju pasuroftë me dhanti e të mira qiellore gjatë tërë Vitit të Ri.
Urimi jonë për Vitin e Ri shndërrohet në lutje drejtuar Zotit që t’i bëjë të frytshme përpjekjet e mira të të gjithëve.
T’ia besojmë, pra, Atij dëshirat e planet tona, si dhe tërë jetën tonë.
Atij t’ia lartojmë lavdet e lutjet plot besim:
“Ty, o Atë i jetës, zanafillë pa fillesë, e mira e pambaruar e drita e amshuar, me Birin e me Shpirtin Shenjt nderim e lumturi, lavdi e mirënjohje, në shekuj pa mbarim. Amen!
Në ty, o Atë i jetës shpresuam dhe në Ty do ta mbështesim përsëri shpresën tonë. Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës, duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde, të cilën s’ka forcë që mund ta shuajë.
Urojmë, pra, që çdo njeri vullnetmirë ta provojë dashurinë e paqen tënde Hyjnore, o Atë i ynë Qiellor. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.