E diel 30 dhjetor, Kisha katolike kremton festën e Familjes së Shenjtë të Jezusit,
Marisë e Jozefit. Po këtë të diele të fundit të këti viti, më 30 dhjetor, kalendari
kujton shën Feliçin I, papë. Familja e krishterë, kur e jeton dashurinë si bashkim
e shërbim, si dhuratë reciproke, si bashkëpunim me të gjithë, përmes kthimit të vazhdueshëm
në rrugën e Zotit, e ndihmuar nga Hiri Hyjnor, reflekton në botë shkëlqimin e Krishtit
dhe bukurinë e Trinisë Hyjnore. Të hënën më 31 dhjetor, ditën e fundit të
Vitit, kalendari kishtar kujton shën Silvestrin I, papë. Kisha mbarë falënderon Zotin
për të gjitha bekimet e të mirat që ka pasur gjatë këtij viti që po përfundon e ia
beson Përdëllimit Hyjnor Vitin e Ri, që po agon. Të martën më 1 janar, bies
festa e Shenjtueshmes Mari Virgjër, Nënës së Zotit. Gjithnjë më 1 janar kalendari
kujton edhe shën Vinçencin Strambi, pasionist. Më 1 janar kremtohet Dita Botërore
e Paqes. Të mërkurën më 2 janar, kalendari përkujton shën Bazilin e Madh
e shën Gregorin Nazianzen, ipeshkëvij e doktorë të Kishës. Të enjten më 3 janar,
bie festa e Emrit të Shenjtë të Jezusit. Po këtë ditë kalendari përkujton edhe shën
Anterin, papë, shën Gjenovefën, virgjër. Të ngazëllejmë në Zotin, shpëtimi ynë. Na
bekoftë Zoti me dritën e fytyrës së vet. Të premten më 4 janar, kalendari
kalendari përkujton shënjtorët Ermete e Kajo, të Lumen Anxhela nga Folinjo. Të
shtunën më 5 janar, kalendari përkujton shën Eduardin, mbret të Anglisë, e shën
Gjonin Njuman, ipeshkëv të Filadelfisë. Të dielën e ardhshme më 6 janar,
Kisha do të kremtojë solemnitetin e Dëftimit të Zotit. Dëftimi i Zotit është festë
e ngjalljes, sepse përmbushet plotësisht në ngjarjet e Pashkëve. Kështu, dëftimi i
Zotit para Mbretërve Dijetarë, duket si akti i parë i vazhdimësisë së dëftimit dhe
dukjeve, që përshkojnë gjithë jetën tokësore të Jezusit. Ai, drita e botës, është
caku i fundmë i historisë, pikarritja e daljes, fundi i udhës providenciale të shëlbimit,
që arrin kulmin me vdekjen, ngjalljen dhe ngjitjen e Tij në qiell. Prandaj, në solemnitetin
e Dëftimit të Zotit, liturgjia parashikon edhe Kumtimin e Pashkëve, sepse Viti liturgjik
përmbledh gjithë shembëlltyrën e historisë së Shëlbimit, në qendër të së cilës është
Triditëshi i Zotit të kryqëzuar, të varrosur e të ngjallur.