2012-12-30 18:04:54

Papa: familja është institucion i pazëvendësueshëm e shpresë e sigurt për mbarë njerëzimin


“Biri i Zotit ka dashur të lind në një familje, duke i dhënë kështu asaj “domethënie fisnike e rol të pazëvendësueshëm për njeriun e për shoqërinë”. Kështu pohoi në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa Benedikti XVI gjatë përshëndetjes drejtuar besimtarëve e shtegtarëve të pranishëm sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. “Familja – kujtoi Ati i Shenjtë Ratcinger – është djep e vatër e natyrshme e fëmijës. Ajo është tokë e parë dhe e pazëvendësueshme ku vënë rrënjët, ku njeriu formohet e ku ndërtohen lidhjet njerëzore”. “Dashuria, besnikëria e përkushtimi i Marisë dhe Jozefit qofshin shembull për të gjithë të martuarin e krishterë, të cilët nuk janë miq apo pronarë të jetës së fëmijëve të tyre, por rojtarë të kësaj dhurate të paçmueshme të Zotit”. Prandaj, “uroj që të gjitha familjet e krishtera të jetojnë më praninë e Zotit, me të njëjtën dashuri e me të njëjtin gëzim që pati familja e Jezusit, Marisë dhe Jozefit”.
Papa i ftoi, pastaj, familjet “ta shndërrojnë e ta bëjnë botën shtëpi të vërtetë, vend harmonie, solidariteti e respekti të anasjelltë”, dhe ia besoi Familjes së Shenjtë të Nazaretit vështirësitë e jetës që ka çdo familje e sotme njerëzore, përherë të bindur se me ndihmën dhe hirin e Zotit mund të kapërcehet çdo vështirësi e pengesë që hasim në jetë.
Mes tjerash Papa tha: “Të lutemi që çdo fëmijë të pritet e të pranohen si dhuratë e Zotit, që të ndihmohet me dashuri të babait e të nënës, për t’u rritur kështu si Jezusi “urti, në moshë e në hir para Zotit e para njerëzve”.
Së fundit, iu lut Virgjërës Mari e Shën Jozefit për t’i ndihmuar prindërit në edukimin e fëmijëve të tyre dhe në transmetimin e fesë” në Hyjin e Gjallë. E duke përshëndetur të gjithë pranishëm në Sheshin e Vatikanit e ata që e përcjellnin përmes radio televizionit, Papa Benedikti XVI uroi “mbarimin e mbarë të vitit në dritën e në paqen e Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.