2012-12-29 13:50:47

Tezé, Takimi evropian i të rinjve në Romë, shtegtim i besimit.


Më 28 dhjetor, filloi takimi i të rinjve, organizuar nga Bashkësia e Tezesë, në bashkëpunim me Shërbimin Baritor Rinor të Vikariatit të Romës dhe me Komunën. Të rinjtë, shtegtarë nëpër udhët e mbarë Evropës, drejt Romës, do të jenë bashkë deri më 2 janar.
Është një nga etapat e shtegtimit të besimit, shestuar e realizuar nga themeluesi i bashkësisë franceze, vëllau Roger, 35 vjet më parë. Qyteti i Amshuar, i lashtë, do të rinohet përsëri këto ditë, kur do të ketë në gjirin e vet 40 mijë të rinj, shumë prej të cilëve, nga Evropa Lindore. Kujtojmë se vetëm nga Polonia kanë arritur tashmë në Romë 10 mijë të rinj e të reja. Shumë janë edhe nga Rumania, Ukraina, Bjellorusia. e edhe nga Shqipëria. Që të gjithë, miq të 200 famullive romake, që i strehuan të rinjtë, duke u siguruar edhe hapësira për dëshmitë, katekizmin dhe kremtimet e tjera të ditës. Rreth 20 mijë familje hapën dyert për ta jetuar së bashku me të rinjtë këtë përvojë thellësisht fetare.
Në qendër të vëmendjes, në programin e pesë ditëve të takimit, është zbulimi i burimeve shpirtërore të besimit në Zotin. Në bazë të takimeve të paradites e të pasdites, do të jenë katër propozime: “Biseda e përbashkët për udhët e fesë; përgjigjja e pyetjes ‘ku mund të takohet Jezusi’; mbështetja në Zotin dhe hapja e zemrës për ta mikpritur pa frikë Atë e të afërmin”. Të katër propozimet mbështeten fort në reflektimin mbi tekstet biblike si dhe në shkëmbimin e përvojës ndërmjet grupeve të ndryshme.
Çdo ditë të rinjtë do të vizitojnë bazilikat e kishat më në zë të Qytetit të Amshuar, ku do të gjunjëzohen në lutje të përbashkëta. E do të njihen edhe me hollësira të tjera të Romës së krishterë, duke nisur nga katakombet, Muzetë e Vatikanit, varret e martirëve, bazilikat e lashta e mrekulli të tjera feje, arti e kulture të krishterë, të cilat e mahnisin gjithnjë vizitorin e një qyteti, që njihet si muze nën qiell të hapur. Në veprimtaritë e larmishme, do të marrin pjesë edhe Qendra Astali e Jezuitëve, ku do të flitet për mikpritjen e refugjatëve; shoqëria Libera, ku do të shkëmbehen mendime për luftën kundër mafies; Shtëpia Shën Gjaçinta e Karitasit, ku do të reflektohet për Koncilin II të Vatikanit dhe për marrëdhëniet ndërmjet shkencës e fesë.
Për të gjithë, pastaj, është parashikuar mundësia për t’u rrëfyer në Bazilikën e Sh’na Krygjës së Jeruzalemit.
Më 29 dhjetor, në orën 18, takimi do të arrijë kulmin: në mes të të rinjve, në Sheshin e Shën Pjetrit, do të jetë Ati i Shenjtë, Benedikti XVI .
Më 31, Nata e Vitit të Ri, të rinjtë do të marrin pjesë në Mbrëmësoren e lutjes në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës e në famullitë, pasuar nga “Festa e Popujve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.