Krishtlindja me Papën: “Ndalesa e Tre Mbretërve në Jeruzalem”.
Në emisionin e 21-të, të Rubrikës “Krishtlindje me Papën”, Benedikti XVI na fton të
rikthehemi tek teksti i Ungjillit. Mbretërit tashmë arrijnë tek vendi, që besonin
se ishte ai i profecisë, në pallatin e mbretit të Jeruzalemit. Kërkojnë menjëherë
të posalindurin, “mbretin e Judenjve”. E shprehja, që përdorin, është tipikisht jo
hebraike. Në mjediset hebraike do të ishte folur për mbretin e Izraelit. E pikërisht
ky term “mbreti i Judenjve” rikthehet vetëm në gjykimin e Jezusit e në mbishkrimin,
që varet mbi Kryq, në të dy rastet, i përdorur nga një pagan, Pilati (cfr.Mk 15,9;
Gjn 19,19-22). Kështu mund të themi se, që në çastin kur paganët e parë interesohen
për Jezusin, tejduket në një farë mënyre misteri i Kryqit, lidhur pazgjidhshmërisht,
me pushtetin mbretëror të Jezusit. E kjo duket qartë në reagimin pas pyetjes së
Mbretërve për të posalindurin, “Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua
vetë, e me të, mbarë Jeruzalemi” (Mt 2,3). Ekzegjetët vërejnë se turbullimi
i Herodit kur merr lajmin e lindjes së një pretendenti misterioz për fronin, është
plotësisht i kuptueshëm. Ndërsa, në këtë çast, do të ishte shumë më pak i kuptueshëm
shkaku i shqetësimit të mbarë Jeruzalemit. Ndoshta këtu kemi të bëjmë me parafoljen
e hyrjes së ardhshme ngadhënjimtare të Jezusit në Qytetin Shenjt natën e Mundimeve,
hyrje për të cilën Mateu shkruan se shkaktoi një trazirë të madhe në mbarë qytetin
(21.10). Kështu të dyja skenat, në të cilat duket në një farë
mënyre pushteti mbretëror i Jezusit, lidhen me njëra-tjetrën e, njëkohësisht, edhe
me tematikën e Mundimeve. Më duket se lajmi për shqetësimin e qytetit lidhet edhe
me vizitën e Mbretërve. Në këtë situatë tejet të acaruar, Herodi i thërret “të gjithë
krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, për të sqaruar kuptimin tejet të rrezikshëm
të pyetjes lidhur me pretendentin e fronit”(Mt2,4). Kjo mbledhje dhe shkaku
i organizimit të saj, nuk mund të mbeteshin të fshehura. Lindja e mundshme, ose reale
e një mbreti mesianik, nuk mund të sillte tjetër, veçse grindje, sherre e ligësi për
banorët e Jeruzalemit. Ata e njihnin mirë Herodin. E Foshnja, që në perspektivën e
madhe të fesë ishte yll shprese, në perspektivën e jetës së përditshme, në çastin
e parë, dukej shkak shqetësimesh, frike, trazirash të reja, për këtë vend tejet të
trazuar. E në të vërtetë Hyji e trazon gjithnjë rehatinë tonë të përditshme. Pushteti
mbretëror i Jezusit e Mundimet e Tij shkojnë përherë krah për krah. Yll i vërtetë,
shigjetë zjarri, lartuar mbi shtyllën e jetës, Ai e ndante më dysh rrugën njerëzore:
gjysma akull e gjysma diell! Por, të kthehemi përsëri në Jeruzalem, na fton Benedikti
XVI në librin “Fëmijëria e Jezusit”. Ç’përgjigje i dhanë pyetjes për vendin ku kishte
lindur Jezusi, personalitetet e ndritura, mbledhur rreth Herodit? Sipas Mateut, dhanë
një përgjigje të thurur me fjalët e Mikesë Profet e të Librit II të Samuelit: “E
ti Betlehem, tokë e Judës, s’je kurrsesi më i vogli ndër qytete të Judës; nga
ti do të dalë Prijësi[cfr Mi 5,1] që do ta kullosë popullin tim, Izraelin”[cfr
2 Sam 5,2]. Duke cituar këto fjalë, Mateu u dha dy ngjyrime të ndryshme. Ndërsa
pjesa më e madhe e përkthimit të tekstit, posaçërisht përkthimi grek i të Shtatëdhjetëve,
thotë: “[Ti je] më i vogli, për të qenë kryqendër e Judës”, Ungjilltari shkruan:
“S’je kurrsesi më i vogli ndër qytete të Judës”. Të dy variantet e tekstit
lënë të kuptohet paradoksi i veprimit të Zotit, që përshkon gjithë Besëlidhjen e Vjetër
duke na kujtuar se ajo që është e madhe, lind nga ajo që, sipas kritereve të botës,
duket krejt e vogël, e pakuptimtë; ndërsa ajo, që për sytë e botës është e madhe,
copëtohet e zhduket. E shikojmë qartë në historinë e thirrjes së Davidit. Më i
riu i bijve të Isait, i cili në atë çast po kulloste grigjën, do të thirrej për t’u
shuguruar mbret, sepse nuk ka pikë rëndësie shtati; rëndësi ka zemra (cfr.1Sam
16,7). E në këtë përfundim arrin edhe Maria në “Magnificat”, kur thotë: “Shfaqi
fuqinë e krahut të vet, i humbi madhështorët në dëshira të zemrave të tyre;
përmbysi të pushtetshmit nga fronet lartoi t’përvuajturit. (Lk
1-52)Varianti i tekstit nga Besëlidhja e Vjetër, në të cilin Betlehemi cilësohet
më i vogli nga qytetet e Judës, e eliminoi vetëm në dukje këtë paradoks. Qyteti i
vogël, i panjohur, që dukej pa pikë rëndësie, tani bëhet i njohur në të gjithë madhështinë
e vet. Prej tij do të dalë Bariu i vërtetë i Izraelit. Në këtë variant të tekstit
duken njëherësh vlerësimi njerëzor e përgjigjja e Zotit. Me lindjen e Jezusit në Shpellën
jashtë qytetit, paradoksi duket përsëri. E me këtë arrijmë edhe tek ngjyrimi i
dytë: Mateu u shton fjalëve të profetit, edhe fjalët e shkëputura nga Libri II i
Samuelit(cfr 5,2). Princi i ardhshëm quhet Bari i Izraelit. Ceket, kështu,
kujdesi plot dhembshuri e zemërbutësia e sovranit të vërtetë, që përfaqëson pushtetin
mbretëror të vetë Hyjit. Mbreti-Foshnjë e ndan kohën në terr e në dritë; e ndan edhe
zemrën e vet ndërmjet njerëzve. Priftërinjtë dhe skribët i tregojnë Herodit jo
vetëm vendin ku ka lindur Mbreti, por i japin edhe shpjegimin teologjik të këtij vendi.
E Herodi, kuptohet, ngutet të marrë masat e duhura. Ndërsa Tre Mbretërit nisen nga
Jeruzalemi, drejt Betlehemit. E edhe ne pas tyre, në emisionin e ardhshëm.