Gjendemi në kohën e Krishtlindjes e vazhdojmë të kundrojmë misterin e mishërimit të
Zotit tonë Jezu Krishtit, vazhdojmë ta adhurojmë Zotin që ka dashur të lind në Familjen
e Nazaretit për të na mësuar edhe ne po ato virtyte që lulëzuan në familjen e Jezusit.
Pra, kjo festë na propozon si reflektim misterin e jetës së Jezu Krishtit. Fjala e
Mishëruar e Hyjit dertoi, u vendos e hyri thellësisht e rrënjësisht në realitetin
njerëzor duke marrë pjesë në të gjitha përmasat. Kështu kjo festë na përkujton edhe
një herë se Familja është e mira më e çmueshme, se Familja është vlera më e shtrenjtë
që njerëzimi ka e prandaj Jezusi, Maria e Jozefi janë shembuj për ne se si duhet të
jetojmë në përkim e dashuri unitetin familjar. Kremtimi i festës së Familjes
së Shenjtë në të dielën e parë pas Krishtlindjes ka një domethënie shumë të
qartë: Fjala e Zotit duke u mishëruar, ka dashur ta shenjtëroi natyrën njerëzore
në të gjitha aspektet e saj, e mes këtyre aspekteve themelor është ai i familjes. Tema e familjes është jashtëzakonisht aktuale edhe sot, e Fjala e Zotit e kësaj
feste na tërheq vëmendjen tonë të të gjithëve, prindër e fëmijë ndaj vlerave njerëzore
nga të cilat duhet të burojnë sjelljet dhe veprimet e mira e të drejta, në mënyrë
që çdo familje të jetë e denjë të quhet Familje; vend i formimit të personit, vend
i kultivimit dhe i rritjes e rrezatimit të vlerave njerëzore, shpirtërore, shoqërore,
kulturore, kombëtare e botërore. Ne nga një herë Familjen e Shenjtë e shikojmë
me admirim e smirë të shenjtë duke menduar e konsideruar atë si familje të “privilegjuar”
në krahasim me familjen tona të zakonshme. E kjo bëhet për ne një alibi i lehtë për
të arsyetuar realitetin tonë familjar. Mirëpo, duke lexuar më vëmendje pjesën e Ungjillit
të kësaj feste marrë nga Mateu, zbulojmë se as Familja e Shenjtë e Nazaretit nuk është
kursyer e as ruajtur prej vështirësive që të gjithë ne kemi e përjetojmë. Jezusi
jo vetëm që lind i varfër e larg prej vendit e tokës së tij, por qysh i vogël është
refugjat, detyrohet të emigroj. Të qenurit të tij Bir i Zotit nuk e ka vënë në strehim
e as ruajtur prej vështirësive e problemeve, madje ky fakt i ka shkaktuar probleme
edhe më të mëdha e të reja. Në të vërtetë Jezusi nuk emigron për shkaqe ekonomike
apo për arsye të fatkeqësive natyrore apo nga lufta: emigrimi i tij nuk është llogaritje
apo leverdi njerëzore e menduar e përgatitur. Është engjëlli që i tregon udhën për
një sistemim të përkohshëm për ti shpëtuar persekutimit e vdekjes. E gjithnjë është
engjëlli përherë emisar i Zotit, këshilltar i çmueshëm i shpirtit ai që e ndihmon
Jozefin me familje të kthehet në vend të sigurt për Foshnjën Hyjnore. Pengesa e problemi
është Herodi, vendimet dhe përcaktimet e tija çnjerëzore realizojnë profecitë. Ai
urdhëron masakrën e fëmijëve të pafajshëm duke synuar asgjësimin e Foshnjës së Betlehemit. Po
Familja e Shenjtë është “në udhëtim”, shpëton, e përjeton shtegtimin e fesë, zhvendoset
në përkim me shenjat e Zotit. “Merre
me vete fëmijën dhe nënën e tij e ik në Egjipt”. (Mt 2,13-15.19-23). Ka lindur
një fëmijë: dëshiron të thithë jetën, ndërsa rreth tij mbretërit përgatisin e përhapin
vdekjen. Tregimi i pjesës së Ungjillit të Mateut ((Mt 2,13-15.19-23) dëshmon se Fjala
e Zotit jo vetëm që është bërë mish i brishtë prej fëmije, por është mish i kërcënuar,
i rrethuar, i sulmuar, i ekspozuar ndaj të gjitha forcave të verbra që e bëjnë të
angështuar jetën e njerëzve. Është Krishtlindja që vazhdon: është Zoti që mishërohet
ende më tepër e më tej, edhe më thellë, në mishin e pasigurisë, të angështimit, të
mundimit, të ankthit, të gulçimit. Pse Zoti urdhëron të iket pa garantuar një të
ardhme, pa shënjuar udhën e caktuar datën e kthimit? Pse lejon që Biri i tij të persekutohet
e të emigrojë? Dashuria nuk mbron por ekspozon, vënë në rrezik. “Ik në Egjipt!”
Por Egjipti nuk është shpëtim, është skllavëri për Izraelin. Dhe ja Jezusi e ripërshkon
udhën e popullit të vet, zbret e ngjitet nga vdekja që është në Egjipt. Hyji ndërhyn
por jo ashtu siç e prisnim. Ndërhyn, sikur thotë Izaia, duke u bërë “forca ime e kënga
ime” (12,2). Ja: mbretërit urdhërojnë masakra, Jozefi ëndërron. Një kokërr ëndrre
bie brenda ingrazhanit e brenda rrotave të historisë, e megjithëkëtë e aftë të ndryshoj
rrjedhën. Herodi dërgon ushtarë e vret, por diçka i zbulon e asgjëson planet e tij.
Zoti nuk dërgon ushtarë as vrastar, por një engjëll brenda udhës së përvujtë e të
thjesht të ëndrrës. Engjëlli ka një detyrë, e nuk është ajo e shmangies së azilit,
as e shmangies së vështirësive por për ti dhënë forcë Jozefit që të mos dorëzohet
në shkretëtirë, që të mos dorëzohet para frikës, që të mos dorëzohet para emigrimit
e të lulëzojë shpresa për çdo njeri që na është dhuruar në Krishtin e mishëruar. Kisha
kërkon që çdo familje të marrë si shembull familjen e Nazaretit, duke i qëndruar
forcave që duan ta shkatërrojnë e ta minojnë themelet e shenjtërinë e saj. Pikërisht
në ditën e festës kushtuar Familjes së Shenjtë, Kisha i lutët Zotit duke kërkuar mbrojtjen
e shën Marisë e të shën Jozefit për çdo familje, veçanërisht për ato që janë në vështirësi.
I ndihmofshin familjet, që të dinë t’u qëndrojnë shtysave shkatërruese të një lloj
kulture bashkëkohore, që minon bazat e vetë institucionit familjar. I ndihmofshin
familjet e krishtera të jenë, në çdo anë të botës, pasqyrë e shembull i gjallë i dashurisë
së Zotit e solidaritetit ndërnjerëzor. Në këtë kohë të Krishtlindjes,solemniteti
i Familjes së Shenjtë jehonë në një kornizë me të vërtetë magjepsëse, pranë Betlehemit,e
pikërisht aty duket një model familjeje, së cilës nuk i ka kaluar aktualiteti e as
moda që mëse 2 mijë vjet. E pikërisht tek ajo familje e Shenjtë e Nazaretit duhet
t’i kthejnë sytë familjet e sotme sepse: Familja e Shenjtë e Nazaretit është vërtetë
“prototipi” i çdo familjeje të krishterë, e cila, e bashkuar nëpërmjet Sakramentit
të martesës dhe e ushqyer nga Fjala e Ungjillit e Eukaristia, është e thirrur të realizojë
misionin e mrekullueshëm për të qenë qelizë e gjallë jo vetëm e shoqërisë, por edhe
e Kishës, shenjë dhe mjet bashkimi për të gjithë njerëzimin. Edhe vet Jezusi ka
qenë një fëmijë që i ka dëgjuar prindërit, të cilët e kanë edukuar, para së gjithash,
me shembullin e tyre. Pra prej tyre, prej kësaj Familje shembullore e të Shenjtë,
Jezusi mësoi se si t’i bindej vullnetit të Zotit Atë, por edhe se lidhja shpirtërore
vlen më shumë se sa lidhja e gjakut. Po të shohim Ungjijtë, nuk gjejmë fjalime mbi
familjen, por një ngjarje, që vlen shumë më tepër se çdo fjalë: Zoti deshi të
lindë e të rritet në një familje njerëzore. Në këtë mënyrë e ka shuguruar e shenjtëruar
si rrugë të parë e të zakonshme për takimin e tij me njerëzimin. Në jetën e kaluar
në Nazaret, Jezusi e ka nderuar Virgjërën Mari dhe Jozefin e drejtë, duke mbetur nën
autoritetin e tyre për gjithë kohën e fëmijërisë dhe të adoleshencës. Në këtë mënyrë
ka vënë në dukje vlerën primare të familjes në edukimin e personit. Të dashura
familje, mos lejoni të ligështohen dashuria, dëshira për jetën dhe lidhjet e bukura
e të pakrahasueshme, që bashkojnë familjet tuaja. Kërkoni vazhdimisht Zotit, lutuni
Atij të bashkuar, që qëllimet tuaja të ndriçohen nga feja e të kaliten nga bekimi
hyjnor në rrugën drejt shenjtërisë. Kështu, duke ndarë bashkë gjithçka me frymën
e dashurisë, do t’i jepni botës një dëshmi të bukur, duke u treguar të gjithëve sa
e rëndësishme është familja për njeriun e për mbarë shoqërinë. Kisha është përkrah
jush, duke iu lutur në mënyrë të posaçme Zotin për të gjithë ata që, në çdo familje,
kanë më shumë nevojë për shëndet, për punë, për dashuri, mirëkuptim, ngushëllim e
shoqëri.