Atë Gjergj Fishta, figurë e madhe e Kombit dhe Kishës shqiptare! Një ndër
majat më të larta të relievit të letërsisë shqiptare është, padyshim, vepra e Atë
Gjergj Fishtës ( 1871-1940). Ndonse kanë kaluar 72 vjet nga dita kur ai mbylli
sytë përgjithmonë, të rrahurat e zemrës së tij për popullin e Atdheun i ndjejmë edhe
sot në krijimtarinë e pavdekshme që na ka lenë. Kur përceptojmë epopenë madhështore
"Lahuta e Malsisë", këte "Iliadë" të shqiptarëve, siç e kanë quajtur studiuesit e
huaj, përjetojmë thellë ndjenjat e shpirtit heroik të Fishtës. Në "Mrizin e Zanave"
ndiejmë vibrimet e holla të unit lirik të tij, që ngazëllehet nga soditja e flamurit
kombëtar, që valëvitet si krah engjëlli në fluturim në sfondin e kaltër të Atdheut
të çliruar, pas natës së gjatë të robërisë osmane. Të ngrohet shpirti nga zjarri i
dashurisë së zemrës së tij për gjuhën shqipe, tiparet e së cilës i krahason me gjumin
e embël të foshnjes së pafaj, me dritën e shpresës, me të qeshurën e çiltër të njeriut
të mirë, por edhe me shkrepjen e rrufesë e me tronditjen e tërmetit. A mund të shprehet
emocionalisht më kapshëm butësia e brishtia e gjuhës shqipe se sa kur përfytyrohet
si një fllad i lehtë pranveror që lëmon gjinjtë e trëndafilit? A nuk na duket se ndjejmë
në lekurën tonë shpimin e gjëmbave të mprehtë të satirës së Fishtës, kur lexojmë "Anzat
e Parnasit" e "Gomarin e Babatasit"?
Nga të gjitha këto që thame arrijmë në
përfundimin se, kur futemi në univrsin artistik të Fishtës, bindemi plotësisht se
zemra e tij rrahu fort për Shqipërinë gjatë gjithë jetës, deri në frymëmarrjen e fundit,
kur përpara saj bëri betimin solemn, si biri para nënës: Dersa t’mundem me ligjrue
E sa gjallë me frymë unë jam, Kurrë, Shqipni, s’kam me t’harrue, Edhe
në vorr me t’përmend kam. Paradokse e (zh)vlerësimit Personalitet jo
i zakonshëm, me talent e aftësi të rralla, me energji e prirje të gjithanshme, Fishta
tërhoqi që herët vëmendjen e bashkëkohësve, brenda dhe jashtë vendit. Ai qe jo vetëm
poet i përmasave të mëdha, por edhe njeri i veprimit shoqëror e politik, atdhetar
i flaktë, tribun i popullit, mbrojtës i vendosur e sypatrembur i çështjes kombëtare,
për të cilen ngriti zërin në shumë mbledhje ndërkombëtare, si perfaqësues i Shqipërisë,
duke stigmatizuar fqinjët grabitqarë dhe fuqitë e mëdha që qëndronin pas tyre. Megjithatë,
sot është koha që pohime të tilla nuk duhet të mos deklarohen, po të provohen me argumente
të pakundërshtueshme, për arsye se, deri tani, jeta dhe vepra e Fishtës kanë kaluar
dy periudha vlerësimi: Në të parën, sa qe gjallë, Fishta arriti apogjeun e vlerësimit,
duke u ngritur në piedestalin e lartë të Poetit Kombëtar. Në të dytën, vetëm katër-pesë
vjet pas vdekjes, jeta dhe vepra e Fishtës u përbaltën në mënyrën më të pashembullt,
me synimin që ai të varrosej njëherë e përgjithmonë, ose, e shumta, të mbetej si një
njollë e zezë dhe e turpshme në historinë e letërsisë shqiptare. Të hiperbolizosh
vlerat e tua kombëtare, është një veprim i kuptueshëm, ndonse jo i drejtë; kurse t‚i
zvogëlosh ato, t‚i mohosh, apo, çka është edhe më keq, të arrish deri aty sa t‚i përçmosh,
t‚i përbaltësh, siç u veprua me Fishtën, është veprimi më i pakuptueshëm, më paradoksal,
që mund të mendohet! Është thenë se personalitetet e mëdha kalojnë nëpër tri periudha
vlerësimi: në të parën, himnizohen, pastaj mohohen, për të arritur, më në fund, në
përcaktimin e vlerave objektive të tyre. Në qoftë se kjo është e vërtetë, kohës sonë
i bie detyra e vështirë dhe më e rënda me një përgjegjësi të madhe e vendosjes së
Fishtës në piedestalin që i takon. Kuptohet se kjo është një punë shumë e mundimshme,
gjatë së cilës u duhet rikthyer të gjitha atyre që janë thënë për té, mirë apo keq
qoftë, duhet "rilexuar" vepra e Fishtës, për t‚u thelluar në analizën e poetikës dhe
të problematikës, për të nxjerrë së andejmi mesazhin që u solli bashkëkohësve, kur
u botua si dhe atë që marrim né sot prej saj. Natyrisht, nuk kam asnjë iluzion
se mund të plotësohet një detyrë kaq e vështirë dhe me një përgjegjësi të madhe në
caqet e këtij artikulli modest popullarizues. Kryerja e saj në nivelin e dëshiruar
mund të arrihet me përpjekje të përbashkëta të forcave shkencore më të afta, me studim
të gjërë të monografive, ku vepra e Fishtës të vështrohet nga të gjitha anët. Duke
shfaqur ndonjë mendim për vlerësimet dhe zhvlerësimet që i janë berë Fishtës në dy
periudhat që përmendëm, deshëm vetëm të ndihmojmë sadopak për të sensibilizuar studimet
tona për t‚u përqendruar mbi këtë figurë të madhe të letërsisë shqiptare, që të përcaktojmë
drejt vendin dhe rolin që luajti në pasurimin dhe në zhvillimin e saj. Mendoj se koha
kërkon me ngut të hidhet dritë mbi disa vlerësime kontradiktore, diametralisht të
kundërta, që janë bërë për Fishtën dhe veprën e tij. Nga njëra anë është thënë
se është poet i madh, Homeri apo Tirteu i Shqipërisë. Nga ana tjetër është mohuar
talenti poetik i tij, është denigruar si vargëzues i rëndomtë, madje është edhe akuzuar
si përvetësues ikrijimtarisë popullore, pra si plagjiat i saj. Cila është e
vërteta shkencore? Kryevepra e Fishtës, "Lahuta e Malsisë", nga njëra anë
është vlerësuar si apologjia artistike më e fuqishme që i është bëre Atdheut të rrudhur
e të copëtuar nga fqinjët grabitqarë, nga ana tjetër është akuzuar për frymë shoveniste?
Përsëri: Cila është e vërteta shkencore? Tokat e kujt synon Fishta të rrëmbejë,
i shtyrë nga shovenizmi i tij? A nuk kanë parasysh autorët e akuzes se shovenizmit
se né jemi i vetmi vend në Evropë i rrethuar nga të gjitha anët me vetveten? A mund
të quhet shovenist Fishta pse denoncoi padrejtësitë që i janë bërë Atdheut tonë nga
armiqtë dhe nxori në shesh ëndrrat e tyre për të copëtuar e për të rrëmbyer përsëri
trojet tona? Nga njëra anë është thënë se Fishta gjatë gjithë jetës ka luftuar
për të drejtat e Shqipërisë e të shqiptarëve, nga ana tjetër është trumbetuar me forcë
e kundërta: se ai ka qenë i shitur jo tek një po tek shumë të huaj, madje, për të
mos lënë pikë dyshimi, është thënë se vetë Fishta ka pohuar publikisht se nuk është
shqiptar! A mund të besohet një gjë e tillë?! Këto duhen ndriçuar. Për Fishtën
është thënë, përsëri pa asnjë argument, se ka pasur paragjykime fetare edhe krahinore,
që ia kanë mjegulluar vështrimin atdhetar. Mirëpo, edhe me një arsyetim fare të thjeshtë,
kam përshtypjen se akuza të tilla bien menjëherë. Po të kishte pasur Fishta paragjykime
fetare, si do të shpjegohej që personazhe të shumtë të krijimtarisë së tij janë "të
fesë tjetër", madje dhe kryeheroi i kryeveprës së tij, Oso Kuka, të cilin e ka përjetësuar
në një nga tablotë më madhështore dhe më emocionuese të letërsisë shqiptare, edhe
ky është i "fesë tjetër"? Po të kishte pasur paragjykime krahinore At Fishta,
si shpjegohet që binomi poetik, që përshkon nga fillimi në fund krijimtarine e tij
ka gjymtyrë vëllezërit Toskë e Gegë, të cilët me të njejtin krahasim i karakterizon
me dy rrufe që çajnë qiellin si shpata dhe zharisin armiqtë? Po të kishte pasur
Fishta vizion të ngushtë provincial, si do të shpjegohej që ndërmjet pseudonimeve
të shumta që përdori, me i parapëlqyeri prej tij qe Gegë Toska me të cilin nënshkroi
kryevepra të tilla si "Gomari i Babatasit"? Jo, jo! Akuza të tilla janë fare të
pathemelta! Siç ka vërejtur me mprehtësi shumë kohë më parë Prof. Eqrem Çabej, vështrimi
artistik i Fishtës ishte i tillë që niste tek malësori i moçëm Marash Uci dhe vinte
gjithnjë duke u shtrirë, deri sa arrinte tek Abdyl Frashëri, tek Lidhja e Prizrenit,
për të rrokur, më në fund, tërë Shqipërinë, të gjitha trojet tona etnike nga Veriu
në Jug, nga Perëndimi në Lindje. Këto janë vetëm pak gjëra nga shumë e shumë të
tjera që janë thënë për Fishtën në të dy periudhat: të vlerësimit dhe të denigrimit
të tij. Në këtë mënyre figura e madhe e Fishtës është veshur me një mjegullnajë, që
duhet të zhdavaritet nga kritika dhe nga shkenca letrare objektive. Nga sa është
thënë deri sot për Fishtën del se vlerësimet e larta që i janë bërë përgjithësisht
janë konkluzione të nxjerra nga analiza e jetës dhe e veprës së tij, kurse mohimet
dhe denigrimet, deklarata aprioristike të paargumentuara. Le të arsyetojmë mbi ndonjërën
prej tyre. Në rast se Fishta nuk do të ishte poet i madh, si mund të flasin me superlative
për te autoritete të tilla të artit e të shkencës, vendas dhe të huaj, si virtuozi
i fjalës poetike Lasgush Poradeci, që e quan me gjuhë metaforike "shkëmb të tokës
dhe shkëmb të shpirtit shqiptar", që shpreh me art ndjenja dhe ideale të mëdha atdhetare?
Në rast se nuk do të ishte gjeni i letrave shqipe, nuk do të ishin mahnitur aq shumë
nga vepra e tij Aleksander Xhuvani e Maksimilian Lamberci, Eqrem Çabej e Norbert Jokli,
Faik Konica e Anton Harapi, Jolanda Kodra e Kolë Kamsi, Gabriele d‚Anunzio e Kostaq
Cipo. Nuk ka dyshim se mendimet e tyre janë shprehje e çiltër e ndjenjave që u ka
përftuar vepra e Fishtës. A mund të besohet se Fishta ishte i shitur tek të huajtë,
pra antikombëtar, kur në momentet më të vështira, në mbledhjet më të rëndësishme ndërkombëtare
në Paris, në Athinë, në Stamboll, kur fatet e Atdheut ishin në rrezik, ai u dërgua
si përfaqesues i vendit tonë për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve?
Prandaj, shkenca dhe kritika letrare kanë mundësi dhe detyrë parësore të rrëzojne
me argumente këto fyerje qellimkëqia dhe në të njëjtën kohë, të zbulojnë fondin e
pasur të vlerave artistike, shoqërore e politike të këtij personaliteti të gjithanshëm
të kombit tonë, për të cilat kemi aq shumë nevojë sot. Nga buronte urrejtja
për Fishtën? Duke pasur bindjen e palëkundur se Fishta është një figure ndër
më të ndritura të kombit, natyrshëm lind pyetja: ku e kishte burimin gjithë ajo urrejtje
patologjike kundër tij, që çoi në trillime e shpifje aq monstruoze e njëherësh, banale
sa të mos besoheshin? Megjithëse për këtë problem deri tani janë dhënë disa shpjegime,
kam bindjen se përbaltja e Fishtës u bë për arsye të koniukturave politike. Dhe nuk
kishte si të ndodhte ndryshe. Në vitet e para, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore,
kur Jugosllavia ishte "miku" ynë i ngushtë, nuk mund të qëndronte Fishta dhe vepra
e tij, që demaskonte nga fillimi deri në fund padrejtësitë dhe coptimin e trojeve
tona nga sllavët. Pastaj, në kohën e miqësisë me Bashkimin Sovjetik nuk mund të qëndronte
Fishta dhe vepra e tij, që e shihte Rusinë si tutor të armiqve tanë dhe këta të fundit
i cilësonte shprehimisht "klyshë të Rusisë". Në kohën kur dy miqësitë e sipërme
u kthyen në armiqësi, Fishta as atëherë nuk mund të rehabilitohej më, për arsye se
ishte hedhur shumë baltë mbi të. Rruga për tek Fishta Në fund të këtij
njëzetëshekulli që po përcjellim, rruga për tek Fishta u hap. Hapat e parë në këtë
rrugë u hodhën nga një turmë e madhe njerëzish që e prisnin me padurim këtë ditë,
ndërmjet të cilëve spikatën Injac Zamputti, Pal Duka-Gjini (At Danjel Gjeçaj), At
Zef Pllumbi, Aurel Plasari, Engjëll Sedaj, Sabri Hamiti, Tonin Çobani, Stefan Çapaliku,
etj. Që atëherë kanë filluar të organizojnë veprimtari shkencore dhe të shkruajnë
artikuj përkujtimorë me raste përvjetorësh të lindjes dhe të humbjes së tij.Ribotohen
vepra pak të njohura për publikun. Megjithëse të gjitha këto janë të dobishme dhe
organizatorët e tyre meritojnë përgëzime, mendojmë se puna për të arrijtur tek zbulimi
i plotë i vlerave të Fishtës mund dhe duhet organizohet më mirë. Së pari, kusht
i domosdoshem është botimi shkencor i veprës së plotë të Fishtës. Nuk ka se si të
bëhet studimi pa pasur në dorë objektin e plotë të tij. Së dyti, Fishta duhet
të zërë vend denjësisht në programet shkollore, si një nga autorët më përfaqësues
të letërsisë shqiptare. Së treti, në këtë periudhë, kur ende nuk kemi punime të
plota shteruese, kritikët dhe studiuesit tanë më të përgatitur mund të përmbushnin
nevojat e tanishme të ngutshme që ka shkolla dhe publiku lexues për njohjen dhe interpretimin
e veprës së Fishtës. Natyrisht, puna e deritanishme ka qenë e dobishme dhe do
vazhduar me veprimtari dhe shkrime, edhe të thjeshta, si kjo skicë jetëshkrimore që
po paraqesim në mbyllje të këtij artikulli. Pak biografi Rrjedha e
jetës, krahas rregullsive, sjell me vete edhe mjaft rastësi, roli i të cilave në zhvillimin
e mëtejshëm të saj, shpesh herë nuk mund të parashikohet. Kështu, askujt nuk mund
t‚i shkonte nëpërmend se fëmija që lindi me 23 tetor 1871 dhe që u pagëzua Zef, do
të vinte një ditë që do të bënte të njohur në gjithë vendin dhe me përtej fshatin
e vogël Fishtë të Zadrimës, të padëgjuar fare deri atëherë. Askush nuk mund të parashikonte
në atë kohë se nga ky Zef i vogël do të dilte më vonë At Gjergj Fishta i madh. Zefi
i vogël , i dalluar që herët për shkathtësi dhe zgjuarsi, tërhoqi vëmendjen e famullitarit,
prandaj e çuan në kolegjin françeskan të Shkodrës e pastaj në Troshan, për ta përgatitur
për frat. Pas mbarimit të shkollës fillore e dërguan për studime të mëtejshme në Bosnje,
ku u laurua për filozofi dhe teologji. Atje, ndërroi emnin e pagëzimit (sipas rregullit
të urdhërit françeskan), duke u quajtur tani e tutje Gjergj. U bë frat dhe tha meshën
e parë me 25 shkurt 1894. Pas kthimit nga Bosnja, punoi për disa vjet si profesor
në kolegjin françeskan të Troshanit, pastaj, disa vjet tjera shkoi si famullitar në
Gomsiqe. Atje ai i kushtoi vëmendje të veçantë njohjes dhe përvetësimit të frazeologjisë
popullore, të cilën do ta përdorte më vonë me mjeshtri të rrallë në kryeveprën e vet
"Lahuta e Malsisë". U shqua si pjestar i shoqërisë letrare "Bashkimi" e cila qe
themeluar më 1899 nga Imz. Preng Doçi. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit
dhe u zgjodh kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe, që kemi
sot. Më 1902 qe zgjedhur drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, në të cilën futi
për herë të parë shqipen si gjuhë mësimi. Më 1913 po në Shkodër, themeloi dhe drejtoi
sa qe gjallë revistën "Hylli i Dritës". Në vitet 1916-1918 krijoi dhe drejtoi "Postën
e Shqipnisë". U emrua kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit, më
1919. U zgjodh deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit shqiptar më 1921. U
dërgua anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën Ndërballkanike në Athinë më 1930,
pastaj më 1931 në Stamboll dhe prap në Bukuresht më 1932. Më 1931 qe ftuar dhe qe
caktuar anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në New Jork, ku përfaqësoheshin
60 shtete. Veprimtaria letrare e Fishtës është e gjerë dhe e gjithanëshme. Lëvroi
të gjitha gjinitë e zhanret: lirikën, epikën, dramën, satirën, publicistikën, polemikë
e oratori, vepra agiografike, përktheu e përshtati nga letërsia botërore. Ishte shumë
aktiv në jetën letrare, shoqërore e politike të kohës. Kjo shprehet në bashkëpunimin
me të gjitha revistat e gazetat që dilnin, në të cilat botoi mbi 200 e sa shkrime.
Krijimtaria poetike e Fishtës arrin në rreth 50.000 vargje, kurse në prozë mbi 700
mijë faqe. Vetëm "Lahuta e Malsisë" ka 30 kangë me 15.563 vargje. Fishta botoi rreth
40 vepra sa qe gjallë dhe 30 tjera i la të pabotuara. Veprat kryesore të Fishtës janë:
"Lahuta e Malsisë", "Anzat e Parnasit", "Mrizi i Zanave", "Vallja e Parrizit", "Gomari
i Babatasit", "Juda Makabe", "Mojs Golemi i Dibrës dhe Deli Cena", "Shqyptari i gjytetnuem",
"Ifigjenia në Aulli". Për këtë veprimtari letrare, shoqërore e politike, Fishta
qe nderuar me dekorata, si: Kurorë Argjëndi, nga Klubi "Gjuha shqipe" i Shkodrës
(1911). Dekorata Mearif, nga Mbretëria Turke (1912). Dekorata Ritterkreuz,
nga Mbreteria e Austrisë (1912). Penë floriri, nga qyteti i Beratit (1913). Medaglia
di Benemerenza, nga Papa Piu XI (1925). Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit
françeskan (1929). Dekorata Phoenix, nga Greqia (1931). At Gjergj Fishta
vdiq në Shkodër me 30 dhetor 1940. ....si Shqipnia vend nuk ka! (fragmente
nga krijimtaria) GJUHA SHQIPE Porsi kanga e zogut t’verës, Që vallzon
në blerim t’prillit, Porsi i ambli fllad i erës, Që lmon gjijtë e drandofillit,
Porsi vala e bregut detit, Porsi gjama e rrfesë zhgjetare, Porsi ushtima
e një tërmeti, Njashtu asht gjuha jonë shqiptare. SHQIPNIA E LIRË Po,
por nesër, me ndihmë t’Zotit, Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë Prej Prevezet
m’Leqe t’Hotit, Prej Tivari në Manastir, Edhe Flamuri Shqipnisë Si flakë
mnijet e Perëndisë Do t’valvitet në Kaçanik. HIMNI I FLAMURIT KOMBËTAR Porsi
fleta e Ejllit të Zotit Po rreh Flamuri i Shqipnisë E thrret t’bijtë e Kastriotit
Me u mbledhë tòk ndër çetë t’ushtrisë. Bini Toskë, ju bini Gegë, Si dy
rrfé, që shkojnë tue djegë! A ngadhnjyes a t’gjithë Dëshmorë, Trima mbrendë!
Me dorë, me dorë!.... NJË GJAMË DESPRIMI Me parzmet tona n’ata t’hershmit
mota, Mburojë iu bamë Evropës, pa dijtë shka asht tuta Atbotë kur pallën Skanderbeg
Kastriota Sillte si rrfeja, e përmbi shtroje te buta Dridhej një Sulltan,
që aso here Bante m’u dridhë botën mbarë prej mnere. Po, na tue dredhun si
dragoj çelikun, Shtegun me kurma shqiptarësh ia zumë Tartarit, e prej Evrope
larg rrezikun Për disa kohë e mbajtëm, e poshtnuem, Por kurrë Evropa në ndihmë
një ushtar s’na nisi, Kurr punët mbas fjalëve që na dha s’ujdisi. ........ E
mallkue kjoftë Evropa! Atë e vraftë Zoti, E shoftë me fise, popuj e qytete Edhe
premtoftë që dersa t’endet moti, Kurrë lufta mos iu daftë për tokë e dete.
Selitë
e saj grimë me grimë u thejshin, Me gjak t’popujve t’vet sunduest iu ushqejshin!
Pse krahët pa dhimbë Shqipnisë me ia thye E prej Lirie me ia ndalun hovin?
Gopsia e kujt n’Malsi ka mujtë m’ushqye? Po a Hoti e Gruda mund ta mbajnë
Moskovin? Nuk duhet jo, që të mëkambet Shqiptaria, Qé pse po i lshohet Malit
t’Zi Malsia. ........ ATDHEU Në ty mendoj kur agon drita, Kur
bylbyli mallshëm kndon, N’ty mendoj kur soset dita Terri botën kur e mblon.
Veçse ty të shoh në andërr, Veçse ty, t’kam n’mendim, Ndër t’vështira
ti m’je qandër, Për ty i lehtë m’vjen çdo ndëshkim. NGA PUBLICISTIKA E
FISHTËS: "Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizim të një shteti
civil një njeri malok, matrahul, që mezi, ndoshta, ka krye dy a tri klasë fillore
dhe që djersitet kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradita shpijake
dhe edukata familjare, që shumë kend ndër ta, e ban krejt të neveritshëm dhe ekscentrik.
Ky, babën gjaksë, gjyshin katil, stërgjyshin mizuer; rritë me katila, me gjaksë, me
mizorë, me intrigantë batakçi, me vagabondë, rrugaçë, me njerëz hasëm të kulturës
e të qytetnimit, si mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e një
kombi ende primitiv ? Për me sundue një shtet nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga,
batakçilleku, rrena, tradhtia. Duhet nderë, dije, urti, burrni, qé se çka duhet. Po,
por dija, urtia, ndera, burrnia mësoheshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë
e jo ndër kafeshantana të Evropës e në mejhanë e paçaxhihane të Tiranës, tue luejtë
tavëll e bixhoz e tue pi mastikë. Po qe e vërtetë që një grup njerëzish këso dore
mund të mëkambin shtete konstitucionale e mund të bajnë të lumtun popuj e fise, atëherë
kisha me dashtë me thanë se historia nuk asht mâ "magistra vitae" e se virtyti, dija,
burrnia, urtia nuk janë themelet mbi të cilat mbahen shtetet e qytetnueme". ***
Portreti i nëpunësit të shtetit, që synon vetëm të zhvatë sa ma shumë prej tij,
për me sigurue për vete një jetë të qetë e të rahatshme: "....Ju kryetar këtu, drejtor
atje, mbasandej, kur të huejtë na u hoqën deret, Ju sot senator, nesër deputet, mbasnesër
ministër, tjetërmbasnesër prefekt, prap ministër, prap deputet: me kësulë në njanin
sy, endu-çendu në shpinë të automobilit: tungatjeta! Në të djathtën, selamalekum!
Në të majtën; ky hiq kësulën, ai hiq kapelen: zgërdhiju njanit; gërmushju tjetrit
- Ministër, madje!..." *** Ja si i përshkruan meskinitetet e klikave të atëhershme:
"U shpërnda, pra, parlamenti dhe ish-parlamentarët e Shqipnisë kthyen ndër kafe
e mejhane të qyteteve e të fshatrave të veta, ku menjëherë filluen veprimin e vet:
kafe,llafe, mastikë, tavëll, bixhoz. -"Jo, unë jam nacionalist. Ata janë "tradhëtorë",
të poshtër, të shitur, maskarenj. Une kam shpëtue Shqipninë në ditën ma të ligë. Unë
e mbys opozitën. Ahmet Zog e s‚ka! Kam bërë Hukukun në Stamboll; kam Malsinë në dorë;
kam Zadrimën me vete; ia kam bâ e kthye opozitës...". *** Kështu u heq maskën
prapaskenave parazgjedhore: "Ahmet Zogu lëshoi zagarët e vet elektorale në të katër
qoshet e Shqipnisë. T’u lëshuen, bre bir sâme, prefekt e nënprefekt, t’u shpërvolën
kryetarë bashkishë, krahinorë, se-kretarë e t’u zgaqën kopista e arkivista...." ***
Ja si i stigmatizon feudalët e mbrapambetun, që damtonin çështjen kombëtare: "...Ky
asht një analfabet, gjysë idiot, dembel, shumë herë sarahosh, gati gjithmonë kumarxhi,
njeri pa fytyrë; pse, sadoqë poligam, prej tij s‚ka guxue vajzë me dalë te dera, djalë
me u endë sokakut, nuse me shkue te burri. Mendjemadh, dorështrejtë, qelepirxhi, ky,
për një çiflik, për një rybe, ka pështy në Fé e në Atdhe, i ka ra mohit kombësisë
së vet, kè, shqiptar tue kenë, e quejti veten "turk"... Ma tepër ka vra njerëz me
u pushtue tokën; ka vra bujqit e vet për me u grabitë gjinden e shpisë, për me u marrë
bagëtinë, për shêj pushke. Myzeqari prej tij s‚ka guxue me mbajtë armë, me shkue në
kal të shalës, me ngreh oxhak mbi pullaz të shpisë...". VLERËSIME PËR FISHTËN
DHE VEPRËN E TIJ "Me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se,
sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e spartanëve, njashtu edhe epopeja e "Lahutës",
odet dhe elegjitë e "Mrizit të Zanave" e të poezive të tjera, kanë mbjellë në zemër
të djelmnisë sonë dashurinë e pamasë për truallin e të parëve dhe për gjuhën amëtare.
Njikëto dy ideale: atdhedashtnia dhe ruajtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi dhe
përparimi i saj kanë qenë polet, rreth të cilave shtrihej gjithë vepra e çmueshme
e Fishtës". Prof. Aleksander Xhuvani "Fishta është "shkëmb i tokës dhe
shkëmbi i shpirtit shqiptar". "Gjithë vepra poetike e shoqërore e At Gjergj Fishtës
u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe
ndjenjë më të madhe, më të denjë për të derdhur dhe kënduar në art, se sa ideja e
Zotit, ideja e Atdheut!" Lasgush Poradeci "At Gjergji ka qenë për
ne, deri ditën që mbylli sytë, patriarku i letrave shqiptare e poeti ma i madh i vendit
tonë." Kostaq Cipo ”Kot përpiqën grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë
e tyre një vepër më të plotësuar se "Lahuta". Faik Konica Fishta "Poeti
i Madh i popullit të shquar shqiptar". Gabriele d’Anunzio "Patër Fishta
njihët si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli...
Si këte kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranath Tagora." Erwin Stranik "I
rrënjosur krejtësisht në popullin e vet, Fishta ka dashur të përgjonte si flasin burrat
e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e nëmëve, të mallkimeve e të urimeve
dhe çdo gjë e ka shkrirë me mjeshtri në poezitë e veta". ..."Koha e ardhshme ka
me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij
të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna." Prof. Dr. Maximilian Lambertz
"Shqipnia qe ideali i tij, për te punoi, për te vuejti e me emnin e saj në
gojë dha frymën e fundit." Prof. Karl Gurakuqi "Patër Fishta...me veprat
e tij në poezi e në prozë arriti të kurorëzohej me dafinë si më i madhi poet kombëtar,
ai është tharmi i poezisë popullore shqiptare dhe më i kulluari shkrimtar i Arbërisë."
Anton Baldacci "Një ndër gurrat e trajtimit të tij (të Fishtës) letrar
kjenë jo vetëm klasikët e letërsisë greke, latine, franceze e sllave, por edhe klasikët
gjermanë, spanjolë e anglezë..." At Pal Dodaj "....prodhimi poetik
e letrar i Fishtës, prodhimi i pasun, i ndryshëm, origjinal, i frymëzuem prej botës
fizike e morale të Atdheut. ....çmohet edhe si prozatuer elegant: sidomos në prozën
politike e polemike asht i gjallë, i kjartë e shumë i rrebët." Prof. Kol Kamsi
"Poemi epik "Lahuta e Malsisë" asht një vade mecum i çdo atdhetari."
Don Kolec Prennushi "Lahuta e Malsisë" mund të qëndrojë përkrah veprave poetike
më të shquara të popujve të tjerë." M. A. Freün von Godin (albanologe
gjermane) "Tingulli i lirës së tij (Fishtës) gjithmonë i gjallë, ka për të vazhdue
të mbajë në kambë kombësinë e gjuhën tonë." Prof. Filip Fishta "Pas
vdekjes Fishta...nisi të jetojë ma me gjallni në shpirtin e në zemrën e kombit: u
përjetsua nga Kombi që ai përjetësoi në vepra të pavdekshme." At Viktor Volaj
"Kam ardhur të gjej letrarin shqiptar dhe gëzohem se gjeta oratorin, filozofin
e pedagogun." Eqrem Çabej (1908-1980) shkruante: I rrënjosur thellë
në vendin e tij, të cilin e linte vetëm për pak, për t'u kthyer gjithmonë rishtas
atje, Fishta fuqitë e tija njerëzore e poetike i thithi prej kësaj toke. Atje te godina
e dytë e Kuvendit, që ndodhet jashtë qytetit të Shkodrës, ku pemë të lashta japin
një qetësi të ëmbël, atje jetoi jetën e tija dhe përgjoi frymëzimet e qeta të zanavet.
Ay nuk qe asish shkrimtarësh jo aq të rrallë në Ballkan, të cilët më të shumtën e
jetës së tyre e kalojnë nëpër qytete të mëdha të viseve të huaja. Ay qe një nga ato
natura, të cilat ngrihen e rriten dalngadal prej qarkut të tyre. Në këtë qe një bir
i vërtetë i polemit (popullit) të tij dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet
ay u bë, në një tjetër kuptim sesa Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqipërisë. Një shkrimtar francez, pas takimit me Fishtën. "At Gjergj Fishta nëpër ma
të mëdhatë qytete të botës, përpara mija e mija poetësh, njerëzish të naltë, shkencëtarësh,
diti me qitë në pah e me naltsue vetitë ma të rralla të kombit shqiptar, historinë
lumniplote e traditat shekullore të tij." Nush Topalli "At Fishta asht
e duhet të mbetet poeti i forcës, i njaj force primordiale e kaotike. Përshkrimet
e tij kanë gjithmonë një ngjyrë apokaliptike, e ndër to, një frymë misterioze përplas
njerëz e sende." Prof. Pashko Gjeçi "Mbreti i poetëve shqiptarë, Patër
Gjergji qe i pari që vuri në shkollë gjuhën shqipe dhe mbrojti me trimëri të drejtat
e Kombit tonë në çdo konferencë ndërkombëtare dhe është i pari që me vepren e vet
poetike i fali shqiptarit epopenë, historinë e përpjekjeve të tij për liri. ...At
Fishta...nuk jetoi në "kështjellen e fildishtë", por u hodh me entuziazëm djaloshar
nga një mision në tjetrin për të mirën e kulturës e të racës shqiptare... Fishtën,
me temperament thjesht klasik nuk do ta frymëzonte asgjë me parë se Atdheu. Gati krejt
vepra e tij i është kushtuar Atdheut." Lefter Dilo "Fishta, tue kuptue
mirë randësinë që ka bashkimi, edhe si plotësim në mungesën e fuqive, deshi t‚u vinte
breznive ma të lashta bashkimin si veti të trashegueme, megjithëse jo aq të spikatun,
me të cilin të parët tonë përballuen çdo rasë e peripeci." At Konrrad Gjolaj
"Fishta është "një nga ata njerëz të rrallë që duken në qiellin e një kombi
e lënë pas vetes një dritë, që ngroh zemrat e brezave të shumë shekujve." Terenc
Toçi "Fishta mori prej popullit gjithçka që gjet të hijshëm, të madhnueshëm
e të fuqishëm, e porsi një piktor i zoti, e shndrroi në shpirtin e vet, tue e riprodhue
në një mënyre e cila asht vetëm e tija, prandej, origjinale." At Anton Harapi
"Lahuta asht një pinakotekë e artit kombëtar, ku poeti pikturon gjallë tipat,
personat, skenarët e kostumet; një depozitë motivesh kombëtare u lihet piktorëve shqiptarë." "...At
Fishta, ky gjeni me rrënjë në tokën amëtare të popullit shqiptar, që për shkak të
njohjes së thellë që kishte mbi letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtërore
të kombeve të Evropës u ngjit deri në majat më të larta të kulturës." Prof.
Dr. Norbert Jokl "...me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u
ba zojë. Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit u caktue njëherë e përgjithmonë
një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen. Me At
Gjergjin zuni fill shkolla me shqipen gjuhë mësimi.... Stili i At Gjergjit, stil
burrash e krejt shqiptar, të ushton hijshëm e fuqishëm në të njëjtën kohë. Sado që
studimet e veta i bani të gjitha në gjuhë të huaja, sado që zotnonte ma së miri italishtën,
frengjishtën, slavishtën e latinishtën, shkrimeve të tij kaq u vjen era shqip, sa
me t‚u dukë se nuk ka ditë veç gjuhën e vet. Poezinë e tij e shijon jo vetëm njeriu
me shkollë, por edhe i pashkolli." At Mark Harapi S.J. E keqja mâ e
madhe qi i ka ardhë Fishtës prej vjetëve të komunizmit âsht qi sot, mbas gjashtëdhetë
e sa vjetësh prej dekës së tij, të gjithë e admirojnë por pak kush e lexon. Dr.
Ndue Zef Toma
Kush âsht P. Gjergj Fishta per brezin
mâ te ri? E keqja mâ e madhe qi i ka ardhë Fishtës prej vjetëve të komunizmit
âsht qi sot, mbas gjashtëdhetë e sa vjetësh prej dekës së tij, të gjithë e admirojnë
por pak kush e lexon. Fishta âsht nji fenomen i papërsëritshëm për shpirtin shqiptar,
pse ai ka mbërrit me kene njiherit poet, njerí i Zotit, humanist, patriot, burrë i
virtytit e i vlerave qytetare – e këto cilësina, ndër ne, janë të rralla, te nji njerí
i vetëm. Shuma e vargjeve të Fishtës âsht realiteti shqiptar i çdo kohet, prandej
asnji njerí i letrave shqiptare nuk mund të hjedhin nji rresht pa e pasë lexue fund
e maje veprën e tij. Shumëkush sot, po t’a lexonte Fishten - jo se do të mësonte me
shkrue – por të paktën do të bindej qi âsht mâ mirë mos me shkrue mbas Fishtës. Guralecat
e letersise shqipe s’kane mujtë me i bâ gja atij Mojzehi të gjuhës qi âsht Fishta,
por shumë keq mundet me i ba injoranca e brezave te sotshme tue mos e lexue atë. Pse
duhet lexue Fishta? Ai duhet lexue pse âsht nji klasik i letërsise tonë, e nji klasik
s’prane kurre së thanuni atë qi ka për të thanë – në çdo kohë e secilit prej nesh.
Klasiku âsht ai – për cilin ti ndien qi e çojne në qiell, por kur e lexon- ti vete
njitesh në qiell. sht fat me e lexue Fishten tue kenë në gjendje me e shijue, por
me e shijue duhet të paktën me pasë dishirin me u drejtue kah arti i tij. Fishta âsht
nji shkrimtar i tille – qi po u lexue njihere – njeriu kupton se çka jane kenë librat
tjere qi ka lexue para tij. Në fakt tanë letërsija shqipe – para e mbas Fishtes –
nuk âsht tjetër veçse nji pregatitje e nji jehone e këtij fenomeni sublim të shpirtit
njerzór. Fishta âsht i papërkthyeshme – pse shpirti i tij nuk ka zâdhanës, ai,
si Mojzehi, ka qitë gjuhën e letrat shqipe prej robnisë e me pendën e tij ka bâ me
burue mâ të kulluemin ujë – qi ka për të shue përherë etjen e atyne qi dojnë atdhé,
kulturë e besim në Zotin. Lahuta e tij âsht skulptura epike e gjuhës shqipe, vepra
e tij satirike âsht portreti mâ realist i shqiptarit të gjithmonshëm, lirika e tij
âsht i vetmi vend ku qielli i toka shqiptare bashkohen në tinguj të ambel muziket
të amshueme. Prandej, mbas Fishtes âsht e veshtire me thanë ndonji gja të ré në letërsinë
tonë. Të gjitha përpjekjet me e “përshtat” Fishten mbas gjuhës së sotshme, të bdarun
e të bastardhueme, janë të dështueme pa dalë në dritë, nuk bahet fjalë me e ul Fishtën
te masa injorante e dembele, duhet qi këta me u mundue me i ngjitë te Fishta. Intuita
e popullit i ka paraprí intelektualve, pse njerëzit e thjeshtë Fishtën e kanë mësue
gjithmonë përmendsh; por, edhe nji here të vetme me u takue me nji shkrimtar si ai,
mjafton për me kuptue të paktën se çka âsht nji klasik i letërsisë. Dr. Ardian
Ndreca Romë, 2001