Atë Gjergj Fishta, në 72-vjetorin e kthimit tek Ati qiellor.
Kanë kaluar 72 vjet nga dita e kalimit të Atë Gjergj Fishtës në shtëpinë e Atit Qiellor,
nga dita e 30 dhjetori i vitit 1940 që e mbyti në lot gjithë Shqipërinë. Gjithë vendi
gjëmonte, në sa i jepte lamtumirën e fundit fratit e poetit të vet Kombëtar! Por
personalitete si Atë Gjergj Fishta nuk janë për t’u vajtuar. I përkasin asaj race
njerëzish, që njeh vetëm një datë: atë të lindjes. Poeti kombëtar e françeskani
i jashtëzakonshëm rrethohet me dhurata, në këtë përvjetor të madh: françeskanët në
Shqipëri ia kanë ribotuar pothuajse plotësisht veprën. Kanë ribotuar edhe monografinë
Atë Gjergj Fishta “Jeta dhe Vepra” të Atë Daniel Gjeçajt; përmbledhjen me shkrime,
që pasqyrojnë pikërisht ngjarjen tragjike të dimrit, 72 vjet më parë, nën kujdesin
e Atë Benedikt Dema. E po kështu edhe një vepër tjetër e Atë Benedikt Demës: “Fjalori
i mitologjisë dhe i emrave të përveçëm në Lahutën e Malcís”. Si françeskanët, edhe
opinioni publik shqiptar gjatë këtyre mase 20 vjetëve pas shembjes së komunizmit zyrtar
në Shqipëri, i kushtojnë vëmendje të veçantë Atë Gjergj Fishtës, sikur të ishte ende
gjallë e të vijonte krijimin e veprave të reja. E kjo dëshmon se shkrimet e tij jo
vetëm që nuk vjetrohen kurrë, por rinohen në rrjedhë kohe. Mbeten gjithnjë të reja,
aktuale, sepse vijojnë t’ i këndojnë me një art të pashembullt pikërisht shpirtit
të Kombit Shqiptar. Aktuale edhe vargjet monumentale të Poetit Kombëtar, drejtuar
Zanës së tij: “Veçse po, moj bjeshkatare Krah m’krah bashkë na tue
këndue, Ndertue kem’ ‘i pomendare, Rr’fe as mot mos m’e dermue!”.
Është Vepra që na la trashëgim, përmendorja e vërtetë e Atë Gjergj Fishtës, ndonëse
e ka edhe një tjetër, moderne, në mermer, në qendër të Shkodrës. Vepra fishtjane
tashmë është bërë shkollë kombëtare e vatër kulture, është kthyer në armë lufte e
fitoreje, në mjet mbrojtës e shpartallues kundër cenuesve të idealit të shenjtë fetaro-kombëtar.
Ajo sot na paraqitet porsi një kuadër klasik i një piktori në zë, ku lëvizja e penelit
dhe talenti i artistit luftojnë krah për krah për të shprehur sa më gjallë e më saktë,
jo një vizion, jo një pamje, por një periudhë, një shekull, një botë. E mund të
pohohet se vepra e Poetit Kombëtar është si një damar floriri, që shtrihet deri në
zemrën e Tokës shqiptare, qeveria duket se nuk ka kohë të merret me më të madhin Kangatar
të vendit, mbi të cilën sundon. E tregon fakti se ngaAtë Fishta i madh na kanë
arritur pak e aspak relikte. Vdekja e tij na rikujton sot Shkodrën, ku kaloi pjesën
më të mirë të jetës e ku krijoi disa nga kryeveprat. E stuhitë që shfrynë mbi qytetin
verior, duke përlarë, pa shpresë kthimi, kujtime me vlerë të paçmuar për historinë
kombëtare, për shoqërinë shqiptare, për njerëzit, pra qytetarë e për Shtetin Shqiptar
që Fishta na i përshkruan kështu: “Gjindja janë ndejë hijeve, pa punë, tuej pritë
me gojë hapët, si zogj pllumbash, pale çka po na bjen nana, vida Europë:.. Për Shqipni
s’po ka punë e për atdhetarë s’po ka pare” (Hylli i Dritës, I, 1913, fq 25). E
duke iu referuar Shtetit, Fisha shkruan :“Një shtet i rí në të ziem, si ai i Shqipnisë
më ketë periudhë, ka nevojë për të mirën e përbashkët e jo për kulltuqe. Ky shtet
dhe këto auktoritete - pohon - kanë kenë andërra e idealit të gjithë jetës sonë”
(HD. IX, 1923. 395). E në shkrimin "Hominem non habeo" (HD. IX, 1923, 386-400)
- "Nuk kam njeri" - penda mësimdhënëse e të Fishtjanit vërteton me fakte në dorë
se Atdheu ynë, deri në kohën e këtij shkrimi, s'pat, mjerisht, një njerí që " me i
dhanë Shqipënisë përparim moral e material; përsè termometri i aftësisë së njerzëve,
qi kanë auktoritetin në dorë, âsht tryeza (sofra) e katundarit dhe e bakallit - gjendja
ekonomike e popullit qi lán e kján. Po kje se buka i âsht shtue popullit - e me bukë
autori këtu nënkupton mbarë nivelin ekonomik ose mirëqenien e gjithanshme të nënshtetasve,
pa dallim klase a shtrese - don me thanë se Shqipënija ka njerí, se sunduesat e sajë
kanë dijtë me kqyrë interesat e vërteta të saja" … Për t'ia mërrijtë këtij qellimit,
Fishta thrret në ndihmë “mësimdhânësat ndër shkolla, nëpunësat ndër zyre, intelektualët
e, mbi të gjithë, njerëzit e pendës ndër fletore e të përkohshme, ndër libra e shkrime
të tjera”: "Nepër armë kemi pështue ekzistencën tonë, nepër pendë do t'ia
sjellim të mbarën e të mirën Atdheut" - pohon solemnisht. Cilësitë e para të
kulturës i gjen Atë Gjergji në psihen e Shqiptarit. E njëmend: "Për kulturë duhet:
mendja e shquet, vullnesa e fortë e zemra bujare. Të trija këto cilsí Shqipëtari i
ka (ibidem)". Nevojitet, prandaj, të lavrohen me kujdes dhe ë drejtohen me urtí. Prandaj
themelon ‘Hyllin”, duke premtuar: “porsi Hylli i Dritës me fërfllim t'ambël
të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme,
(ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjáll shpënesën
ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë"
(H.D. I. 1913, 4-8). Këtij qellimi shkrimtarit… "i levduem a i poshtnuem, i
nderuem a i harruem… nuk do t'i bâjë zemra me iu largue kurr" (shih: "Shkrimtarët
tanë" në HD, I, 1914, 265). 1.c.). 72 vjet pas vdekjes, Poeti Kombëtar meriton
të njihet nga afër, të depërtohet thellë në mendje (fjalët) të tij e deri në sopirti
e tij, për të zbuluar thesare të vjetëra e të reja, thesare të dobishme për shoqërinë
e sotme të popullit shqiptar.