2012-12-27 13:24:17

150 mijë të krishterë të mbytur në vitin 2012.


Kisha festoi dje Shën Shtjefnin, martiri i parë i cili, në sa mbytej me gurë, i kërkoi Zotit të mos i fajësonte ata, që po ia merrnin jetën aq mizorisht. Mendimi të shkon menjëherë tek të krishterët në mbarë botën, për t’u ndaluar posaçërisht tek ata, që edhe sot e kësaj dite vijojnë të persekutohen, të merren nëpër këmbë e edhe të mbyten vetëm e vetëm pse besojnë në Jezu Krishtin. Për të vërtetuar sa i përhapur vijon të jetë ky fenomen i dhimbshëm, ftuam në mikrofonin tonë koordinatorin e Vëzhguesit të lirisë fetare në Itali, Masimo Introvinje:

Përgjigje: - Qendra ndoshta më e përparuar e statistikës fetare, është ajo e SHBA, e themeluar dhe e drejtuar nga David Barret, deri në vdekjen e tij, më 2011. Sipas kësaj qendre, edhe këtë vit, 2012, flitet për vrasjen e 105 mijë të krishterëve, vetëm për shkak të besimit të tyre në Krishtin. E kjo do të thotë se çdo 5 minuta, gjatë vitit që po përfundon, një i krishterë ka gjetur vdekjen. Përpjestimet janë vërtet të frikshme…


Pyetje: - Ka vende, si Nigeria, ku për shkak të dhunës fondamentaliste të Boko Haramit, është e rrezikshme deri të nisesh për në kishë. Sepse kur nisesh, shkon me mendimin se mund edhe të mos kthehesh më i gjallë…

Përgjigje: - Zonat, ku jeta e të krishterëve rrezikohet, janë të shumta, por këtu po kujtojmë tri kryesoret: vendet me prani të fortë islamike, si Nigeria, Somalia, Mali, Pakistani e edhe disa zona të Egjiptit; vendet ku sundojnë akoma regjime totalitare të tipit komunist, me në krye Korenë e Veriut dhe vendet, ku ka nacionalizma etnike, që e identifikojnë kombësinë me një fe të veçantë, duke i parë të krishterët edhe si tradhtarë të kombit e të atdheut. Mjafton të mendojmë për ushtrimin e dhunës në shtetin e Orisës, në Indi. Sigurisht në shumë nga këto vende, të shkosh në Meshë ose edhe në katekizëm – në Nigeri janë masakruar disa fëmijë, që shkonin në katekizëm - është bërë vërtet diçka e rrezikshme.

Pyetje: - Në Pakistan ligji mbi blasfemninë për të krishterët përbën vërtet një rrezik të madh… Na kujton Asia Bibi-n, nënën e pesë fëmijëve, gjithnjë në burg, dënuar me vdekje pikërisht në emër të këtij ligji….

Përgjigje: - Italia ishte vendi i parë, që e bijësoi Asia Bibin. Sigurisht këto përpjekje ia kanë shpëtuar jetën deri më sot, por nuk duhen harruar ekzekutimet e linçimet, sepse nganjëherë vetë turma – e nxitur nga ndonjë prediktar - e mbyt të akuzuarin, para se të dënohet. Skena të tilla në Pakistan, për fat të keq, janë të zakonshme e nuk është vetëm rasti i Asia Bibit.

Pyetje – Sipas jush, pse gjithë kjo urrejtje kundër të krishterëve, aq sa të jenë grupi fetar më i persekutuar?

Përgjigje: - Nga njëra anë jemi përballë persekutimit të egër, vdekjeve, vrasjeve, torturave, që lindin nga disa ideologji të veçanta: ideologjia e fondamentalizmit islamik fanatik, variantet më agresive të etno-nacionalizmave e, natyrisht, gjithçka ka lidhje me ideologjinë e vjetër komuniste, që nuk jep shpirt aq lehtë. Pa i vënë në të njëjtin plan të vdekurit – gjë që do të ishte e gabuar – duhet të kujtojmë se fenomenet e intolerancës, fakt kulturor ky, ashtu si diskriminimi përmes masave ligjore të padrejta, vërehen edhe në vendet tona, edhe në perëndim, siç e kujton Ati i Shenjtë në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2013. Nuk është e rastit që në fjalimin drejtuar pak ditë më parë Kuries Romake, Papa u ndalua tek rreziqet e tek një lloj diktature kulturore, që ushtrohet nga disa ideologji, e, posaçërisht, nga ideologjia e “gender”. Këto ideologji, natyrisht, i shqetëson shumë zëri i të krishterëve e zëri i Kishës e, prej këndej, lobet e tyre nxisin fushata intolerance e diskriminimi.

Pyetje: - Shën Shtjefni vdiq duke iu lutur Zotit të mos i fajësonte vrasësit e tij si mëkatarë. Nga dëshmitë e mbledhura, vërtetohet se shumë të krishterë, në një çast kaq tragjik, e natyrisht me ndihmën e mëshirës së Hyjit, arrijnë t’i falin persekutuesit e tyre. Si e shpjegoni këtë?

Përgjigje: - Natyrisht, kur flitet për 150 mijë të vdekur në një vit, këta nuk janë të gjithë martirë në kuptimin teologjik të kësaj fjale. Gjithsesi, brenda këtij numri, ka edhe nga ata, që e dhurojnë me vetëdije jetën për Kishën e shpesh edhe luten për vrasësit e tyre, duke arritur deri në aktin sublim të faljes, gjë që, parë me sy thjesht njerëzor, nuk është aspak e lehtë.

Pyetje: - E kjo të prek vërtet në thellësi të shpirtit, sepse t’i falësh persekutuesit, nuk mund të jetë thjesht njerëzore: është vepër që vjen nga Hyji…

Përgjigje: - Duhet të them se kjo është karakteristikë e pashoqe e krishterimit, sepse shumë kultura të tjera – parakristiane e edhe pas-kristiane – e shikojnë hakmarrjen si detyrë nderi. Sipas tyre, njeriu duhet të marrë gjak. Krishterimi pati funksionin qytetërues ta zëvendësojë logjikën e hakmarrjes me logjikën e faljes e të pajtimit, gjë që sot, për fat të keq, ka prirjen të harrohet.







All the contents on this site are copyrighted ©.