Shën Shtjefni dëshmon se Hyji nuk i braktis besimtarët në çaste rreziku
Me shpirtin e mbushur përlotë me mahnitje e dritë që rrezaton e vjen nga Shpella e
Betlehemit, ku Mari e Jozefi dhe barinjtë e adhuruan Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin,
sot përkujtojmë diakonin Shën Shtjefnin, martirin e parë të krishterë. Shembulli i
tij na ndihmon të depërtojmë edhe më shumë e më thellë të misterit të Krishtlindjes
e na dëshmon madhështinë e mrekullueshme të lindjes së atij Fëmije në të cilin shfaqet
hiri i Zotit, bartës i shpëtimit për njerëzit (krh Tt 2,11). Ai që qan në grazhd,
në të vërtet, është Biri i Hyjit bërë njeri, i cili na kërkon të dëshmojmë me guxim
Ungjillin e tij, siç bëri Shën Shtjefni i cili, plot me Shpirtin Shenjt, nuk hezitoi
të jap jetën për dashurinë ndaj Zotërisë së vet. Ai, porsi Mësuesi i tij, vdes duke
falur persekutorët e vet e na bënë të kuptojmë se si hyrja e Birit të Zotit në botë
e në histori njerëzore i jep zanafillë një qytetërimi të ri, qytetërimit të dashurisë,
që nuk dorëzohet para së keqes e dhunës dhe i rezon të gjitha muret dhe pengesat ndërmjet
njerëzve, duke i bërë vëllezër në familjen e madhe të bijve të Zotit.
Shtjefni
është edhe diakoni i parë i Kishës, i cili duke u bërë shërbëtor i të varfërve për
dashuri të Krishtit, hyn dalëngadalë në përkim të plot me Atë dhe e ndjek deri në
dhuratën më të lartë të vetvetes. Dëshmia e Shtjefnit, si ajo e martirëve të krishterë,
bashkëkohorëve tanë shpesh të hutuar e të çorientuar, na tregon mbi kënd ta
mbështesim shpresën për t’i dhënë kështu kuptim jetës. Martir në të vërtet, është
ai që vdes i bindur se është i dashur prej Zotit e për të, asgjë nuk mund ka përparësi
para dashurisë së Krishtit, martiri e di se ka zgjedhur pjesën më të mirë të mundshme. Duke
u shëmbëllyer plotësisht në vdekje të Krishtit, është i vetëdijshëm se është farë
e frytshme e jetës e se hap shtigje të paqes e të shpresës në botë. Kisha, sot, duke
na paraqitur Shën Shtjefnin diakon, po kështu, na tregon në pritjen dhe në dashurinë
ndaj të varfërve, njërën ndër udhët më të privilegjuara për të jetuan Ungjillin e
për ta dëshmuar para njerëzve në mënyrë të besueshme Mbretërinë e Zotit që vjen. Festa
e Shën Shtjefnit na kujton edhe shumë besimtarë tjerë, që në vise të ndryshme të botës,
e edhe në ato shqiptare, i janë nënshtruar sprovave e vuajtjeve për shkakun e fesë
së tyre. Duke ia besuar këta mbrojtjes së tij qiellore, të angazhohemi edhe ne për
t’i qëndruar besnik thirrjes së të krishterë, duke vendosur në qendër të jetës sonë
gjithmonë jetën e Jezu Krishtit, që në këto ditë e kundrojmë në thjeshtësinë e përvujtërinë
e shpellës së Betlehemit. Edhe një herë për shumë Mot Krishtlindjen, e këtyre
ditëve pranë Shpellës së Betlehemit të vështrojmë, admirojmë Marinë e Jozefin pranë
Foshnjës Hyjnore e shembulli i tyre të nxit në të gjitha familjet e Kombet një atmosferë
të vërtetë dashurie, mirëkuptimi e bashkimi që i shërben së mirës së përbashkët të
të gjithëve.