2012-12-26 15:43:04

Shkodër: Koncerti i Krishtlindjes në Katedralen e Shën Shtjfenit


Më 24 dhjetor, në mesnatën e Krishtlindjeve, në pritje të Meshës së Shenjtë, Famullia Kishtre e "Shën Shtjefnit" Shkodër, ofroi për besimtarët e krishterë koncertin tradicional "Krishtlindje 2012".
Ashtu si edhe në vitet e mëparshme, edhe këtë radhë koncerti është mbajtur në mjediset e Katedrales "Shën Shtjefni" të qytetit të Shkodrës.
Krahas besimtarëve të shumtë shkodranë, koncertin e kanë ndjekur nga afër edhe qytetarë të besimeve të tjera, ndërkohë që kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre edhe drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore, deputetë të Parlamentit Shqiptar, përfaqësues të trupit diplomatik që operojnë në rajonin verior etj.
Përmbi një orë, Kori "Nënë Tereza", Kompleksi muzikor "Clasic Sound" dhe Kori "Preng Jakova", të drejtuar nga maestro Gjon Shllaku, interprertuan pjesë muzikore kishtare të autorëve shqiptarë dhe të huaj, ndërkohë që me interes dhe duartrokitje janë pritur edhe shumë këngë kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë.
Koncertet kishtare kanë qënë në traditë të shumë viteve më parë në qytetin e Shkodrës, ndërkohë me iniciativë të famullitarit të Shkodrës, Dom Gjovalin Sukaj, në bashkëpunim me trupat artistike të Shkodrës dhe të tjera të ftuar nga Tirana, por edhe nga jashtë vendit, kjo traditë ka filluar të ripërtëritet sërish në qytetin verior.
Krahas koncertit tradicional të Krishtlindjeve, Famullia e Shkodrës ka arritur të organizojë në këtë katedrale edhe Festivalin Koral, me pjesëmarrjen e koreve të njohura nga vende të ndryshme ballkanike dhe europiane.







All the contents on this site are copyrighted ©.