Në festën e Shën Shtjefnit, Benedikti XVI i fton besimtarët të jenë dëshmitarë bindës
e guximtarë të Krishtit.
Sipas shembullit të Shën Shtjefnit, të japim dëshmi bindëse e guximtare: është ftesa
drejtuar gjithë të krishterëve nga Benedikti XVI në lutjen e sotme të Engjëllit të
Tënzot. “Martir i parë”; “njeri plot me hir”, diakoni Shtjefën punoi, foli e vdiq
i frymëzuar nga Shpirti Shenjt, duke e dëshmuar dashurinë e Krishtit deri në flijimin
e jetës. Realizoi, kështu, plotësisht, kujtoi Benedikti XVI në ditën e festës së Martirit,
premtimin e Jezusit, sipas të cilit besimtarët e thirrur për ta dëshmuar në rrethana
të vështira e të rrezikshme, nuk do të jenë kurrë të braktisur e as të pambrojtur.
Shpirti i Zotit do të flasë me ta. Martiri i parë vuan, duke i përngjarë plotësisht
Krishtit, duke përsëritur, deri në hollësi, mundimet e Tij. Ai është i formuar krejtësisht
nga Zoti, është bërë një me Jezusin. Në fundin e jetës së tij, përsëriten mundimet
e Krishtit. Prej këndej, në çastin e fundit, Shtjefni, i gjunjëzuar, lutet si Krishti
në kryq, duke e lëshuar shpirtin në dorë të Zotit e duke i falur armiqtë. Zot, kërkon
ndër grahma, mos i fajëso për këtë mëkat: “Të tërhiqesh pa ngurrim nga Krishti,
siç bëri Shën Shtjefni, do të thotë t’ia hapësh jetën tënde dritës, që e josh, e drejton,
e bën të përshkojë rrugën e mirë, të ecë sipas planit të dashurisë së Zotit”. Shën
Shtjefni është model për të gjithë ata, që dëshirojnë të vihen në shërbim të ungjillëzimit
të ri: "Ai tregon se risia e kumtimit nuk ka të bëjë në radhë të parë me
metodat ose teknikat origjinale, të cilat natyrisht janë të nevojshme, por me praninë
e Shpirtit Shenjt, me dëshirën për të ecur atje, ku prin Shpirti i Zotit”. Prej
këndej, pohimi se kumtimi mund të përtërihet duke hyrë në thellësi të misterit të
Krishtit, duke e përvetësuar Fjalën e Tij: “Në thelb, ungjillëzimi bëhet
i aftë për t’ua çuar Krishtin të tjerëve në mënyrë të frytshme, kur jetohet në Krishtin,
kur risia e Ungjillit dëshmohet me vetë jetën e njeriut, që e kumton”. Në
përfundim, lutja drejtuar Zojës së Bekuar: “Ta lusim Virgjërën Mari që Kisha,
në këtë Vit të Fesë, të shikojë si shtohen radhët e burrave e të grave që, si Shën
Shtjefni, dinë të japin dëshminë bindëse e guximtare të Zotit Jezus”. Në
fund, pas lutjes mariane, Papa i përshëndeti të gjithë besimtarët e pranishëm fizikisht
në Sheshin e Shën Pjetrit, por edhe ata që, në Shesh shpirtërisht, e ndiqnin nga mjetet
e panumërta të komunikimit masiv, në të katër anët e Planetit:“Të gjithëve,
ju uroj gëzuar festën, në dritën e në paqen e Lindjes së Zotit”.