2012-12-25 16:44:35

Mesha e Natës së Krishtlindjes. Papa kujton refugjatët e emigrantët: ndihma për ata, që vuajnë të ketë epërsi mbi armët e mbi luftërat në emër të Zotit.


Mbrëmë, në Bazilikën e Vatikanit, Benedikti XVI kryesoi Meshën Shenjte të Natës së Krishtlindjes. Në homeli Papa kujtoi rëndësinë e mikpritjes së refugjatëve, të shpërngulurve, emigrantëve dhe i ftoi besimtarët të jenë vigjilentë kundër përdorimit të padrejtë të fesë.
“Vjen përsëri”: Papa e hapi homelinë me këto fjalë, që të kujtojnë bukurinë e pafundme të Krishtlindjes. Bukurinë e Ungjillit, që na i prek përsëri zemrat, një bukuri, që është shkëlqim i së vërtetës. E na prek përsëri fakti, që Hyji bëhet fëmijë, për të na krijuar ne mundësinë që ta duam, e si fëmijë, lëshohet plot besim në duart tona. Hyji gati-gati na thotë: e di se shkëlqimi im të frikëson, se përballë madhështisë sime, ti përpiqesh të vësh në pah vetveten. Prandaj po vij tek ti si fëmijë, që të më pranosh e të më duash!
Kështu vjen tek ne Krishti, paqja jonë e u kumton paqen të afërmve e të largëtve. E ne i lutemi:
“Zot, bëj që edhe sot shpatat të kthehen në parmenda e armët e luftës, në ndihma për të vuajturit. Ndriçoji ata, të cilët besojnë se duhet të përdorin dhunën në emrin tënd, që të kuptojnë se dhuna është absurde e të njohin fytyrën tënde të vërtetë! Na ndihmo të bëhemi njerëz, ashtu si të pëlqen ty! Njerëz, sipas shembëlltyrës sate, njerëz të paqes”.
Sapo engjëjt u larguan, barinjtë i thoshin njëri-tjetrit: “Të shkojmë në Betlehem e të shikojmë atë, që po ndodh për ne. Gëzimi i madh, për të cilin u kishte folur engjëlli, e kishte prekur thellë zemrën e tyre e u kishte dhënë krahë.
Të shkojmë në Betlehem, na thotë liturgjia e Kishës sot, ne. Të dalim nga zakonet tona, nga mënyra si jetojmë e mendojmë e, duke e kapërcyer botën thjesht materiale, të arrijmë tek themelorja, tek ai Zot, që erdhi mes nesh. Ta lusim të na e japë aftësinë t’i kapërcejmë kufizimet tona, botën tonë; të na ndihmojë ta takojmë, posaçërisht kur Ai vetë, në Kungimin Shenjt, lëshohet në duart tona, zbret në zemrën tonë.
Të shkojmë në Betlehem: kur i shqiptojmë këto fjalë, duhet të mendojmë edhe për qytetin konkret të Betlehemit, për të gjitha viset, ku jetoi Zoti i gjallë:
“Të lutemi, që atje të ketë paqe. Të lutemi që izraelitë e palestinezë të jetojnë në paqen e Zotit të vetëm e në liri”.
Kështu u lut Papa për Tokën Shenjte e vijoi të lutet edhe për viset për rreth: Libanin, Sirinë, Irakun, që të krishterët e këtyre vendeve, ku zu fill feja jonë, t’i ruajnë vatrat e, së bashku me myslimanët, të jetojnë në paqen e Hyjit.
Barinjtë ngarendin. Një kureshtje e shenjtë i shtyn. Ndërsa ne, ndoshta tepër rrallë vrapojmë për punët e Hyjit, vërejti Benedikti XVI. Sot Zoti nuk bën pjesë në realitetet urgjente. Gjërat e Zoti, mendojmë e themi, mund edhe të presin. E pra, nënvizoi Papa, ai është realiteti më i rëndësishëm, i vetmi që, në fund të fundit, është me të vërtetë i rëndësishëm. Pse të mos e kemi edhe ne kureshtjen ta shikojmë nga afër e të marrim vesh atë, që na thotë Zoti?
Të lutemi, prandaj, që kureshtja e shenjtë e gëzimi i barinjve të na prekin, në këtë orë, edhe ne e të shkojmë me gëzim atje, në Betlehem, tek Zoti, që edhe sot vjen përsëri mes nesh!







All the contents on this site are copyrighted ©.