2012-12-25 16:45:06

Krishtlindje në Tokën Shenjte. Atë Picabala: më pak shtegtarë, për shkak të krizës në Gazë.


Me hyrjen solemne të Patrikut latin të Jeruzalemit, Fuad Tual, në Sheshin e Grazhdit, në Betlehem, nisën kremtimet e Krishtlindjes në Tokën Shenjte. Kremtimi i parë, ai i Lutjeve Mbrëmësore, që arritën kulmin me Meshën e Mesnatës në Bazilikën e Shën Katerinës. I pranishëm në Meshë, edhe presidenti i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Abu Mazen si dhe kryeministri, Salam Fayyad. Krishtlindja 2012 ka diçka të veçantë, në krahasim me kremtimet e viteve të tjera. Na e shpjegon Rojtari i Tokës Shenjte, atë Pierbatista Picabala, në mikrofonin tonë:
Përgjigje: - Në krahasim me vitet e kaluara, sivjet ka më shumë qetësi, në kuptimin se ka më pak shtegtarë. Pas krizës së Gazës, shumë emra u shlyen nga listat. Prej këndej, situata është fare e qetë. Qetësi, që nuk do ta dëshironim, sepse sikur e tkurr atmosferën e kremtimit të Lindjes së Krishtit. Por me ose pa shtegtarë, Krishti vjen mes nesh e ne nuk mund të mos e kremtojmë me të njëjtin gëzim.

Pyetje: - Kur flasim për Tokën Shenjte, na vjen menjëherë në mendje problemi i paqes. Dëshironi të bëni thirrje për paqe?

Përgjigje: - Po. Mund të duket paradoksale që toka, e cila është zanafilla e paqes, toka, që na dha Princin e Paqes, lindjen e të cilit po kremtojmë, të jetë gjithnjë e tronditur nga konfliktet. Kjo vlen si për Tokën e Shenjtë, ashtu edhe për mbarë Lindjen e Mesme. Besoj se për ne, të krishterët, në mënyrë të veçantë, Krishtlindje do të thotë rifillim. Krishtlindja është lindje, fillim i ri. Jezusi i thotë Nikodemit, në ungjillin e Gjonit, se për të parë mbretërinë e Zotit, duhet të lindësh nga lart. Për ne të krishterët, mendoj posaçërisht për të krishterët e Sirisë, të Egjiptit, por edhe të Tokës së Shenjtë, ka rëndësi të mos pushtohemi nga disfatizmi, të mos mendojmë se nuk mund të bëhet më asgjë, se gjithçka ka marrë fund, se këtu nuk do të ketë kurrë paqe. Duhet të rifillojmë gjithnjë nga e para, t’i shpërvjelim mëngët, të kemi besim, se, edhe pse pak, diçka mund ta ndryshojmë.

Pyetje: - Vijon emigrimi nga Toka e Shenjtë?

Përgjigje: - Emigrimi i të krishterëtve nga Toka e Shenjtë, në këtë çast është ngadalësuar. Mbetet gjithnjë problem, por sivjet gjendja është më e qetë. Më tragjike është në Siri e Egjipt.

Pyetje: - Lajmi, sipas të cilit Izraeli ka vendosur të ndërtojë 2.600 banesa të reja në Jeruzalemin lindor, u prit me reagime të forta nga pala palestineze. Prej këndej, kërkesa për prishjen e vendimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare e edhe në nivel ndërkombëtar, nga ana e OKB-së dhe BE-së. Ç’mendoni ju për këtë? Ju duket problem i mprehtë?
Përgjigje: - Mendoj se po, e edhe se prek një nga aspektet më delikate e më të vështira të marrëdhënieve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve: ardhmërinë e Jeruzalemit. Ky vendim eshtë përgjigjja e Izraelit për njohjen e Palestinës si shtet vëzhgues nga OKB-ja. Uroj të jetë vetëm deklaratë raprezaljeje e të mos vihet në jetë sepse kjo do të krijonte një tension edhe më të madh e të paparashikueshëm në këtë çast.







All the contents on this site are copyrighted ©.