2012-12-25 11:14:01

Krishtlindja me Papën: “Paraqitja e Jezusit në Tempull”


Emisioni i 18 i rubrikës “Krishtlindje me Papën”, na çon në Tempullin e Jeruzalemit, ku vërejmë menjëherë lidhjen e Jezusit me historinë e me Ligjin e Izraelit, gjë që na kujton misionin e tij universal, shëlbimin e mbarë botës. Luka e përfundon rrëfimin kushtuar lindjes së Jezusit me ngjarjen që, sipas Ligjit të Izraelit, ndodhi në ditën e tetë e në atë të dyzetë pas lindjes së Zotit. Dita e tetë është ajo e rrethprerjes, e dyzeta, e pastrimit të Marisë, e shpërblimit të djalit të parë me një flije sipas ligjit dhe e paraqitjes së Foshnjës në Tempull. Në Librin e Levitikut shkruhet: “Djali le të rrethpritet në të tetën ditë, ndërsa gruaja të presë edhe tridhjetë e tri ditë për të pastruar gjakun” (cfr Lv 12,1-4). Më pas duhet të bëjë flijen e pastrimit, një qëngj, një pëllumb ose një turtull për mëkatin. Të varfërit mund të flijojnë dy turtuj ose dy pëllumba”.
Maria mblaton flijen e të varfërve (cfr Lk 2,24). I gjithë Ungjilli i Lukës përshkohet tejembanë nga teologjia e të varfërve dhe e varfërisë, përmes së cilës kuptojmë se Jezusi kishte lindur në një familje të varfër të Izraelit e se pikërisht ndërmjet të varfërve mund të përmbushej premtimi. Ndërsa përmes pastrimit të Marisë, që nuk kishte aspak nevojë të pastrohej, kuptojmë ç’do të thotë të lindësh ‘nën Ligj’. E ajo i nënshtrohet Ligjit, sepse vetëm kështu mund të arrihej në përmbushjen e premtimit. Pastrimi i Nënës së Virgjër sjell pastrimin e botës.
Tek Ungjilli i Shën Lukës, kujton Benedikti XVI në librin e tij “Fëmijëria e Jezusit”, gjejmë edhe hollësira të tjera, si pagesa e pesë siklave për të Parëlindurin, veçantia e Foshnjës, që nuk dorëzohet në tempull nga prindërit, por nga vetë Ati Hyjnor, paralajmërimi i Profetit Simeon e i profeteshës Ana, frymëzuar nga Shpirti Shenjt, thellimi i shpjegimit të fjalës ‘i drejtë’ si dhe i fjalës ‘ngushëllim’ (paráklesis), përmes së cilës jehon zëri i Shën Gjonit: “Ai është Parakliti, Hyji ngushëllues”.
Lutja e Simeonit
“Tashti merre, o Zot, shërbëtorin tënd
sipas Fjalës sate, në paqen tënde;
sepse sytë e mi panë shpëtimin që vjen prej teje,
atë shpëtim, që ti e caktove të jetë për mbarë popujt, mjet shëlbimi,
dritë për gjithë kombet
e lumni për popullin tënd, Izraelin!”,
kështu si na e transmeton Luka, në Kishat e Lindjes e të perëndimit, bën pjesë në lutjen liturgjike të natës. Njëherësh me Benedictus e Magnificat, i përket trashëgimisë së lutjeve të Kishës më të lashtë judeo-kristiane.
Në këtë himn, shkruan Papa, gjejmë dy pohime kristologjike. Jezusi është ‘Dritë për gjithë kombet’ e ‘lumni për popullin e Hyjit, Izraelin' (Lk 2,32), të dy, pohime që i gjejmë tek Izaia Profet (42,6;49,6). Kështu dy profetët kujtuan rrethin e shpresave të premtuara e gjetën fillin e humbur në Tempull, në pikën e ndaljes së Dritës.
Duhet ta kemi mirë parasysh se këtu nuk flitet për të kaluarën, na kujton Papa Ratcinger. Të gjithë e dimë se Krishti sot është shenjë kundërshtie e se vetë Hyji shikohet si kufi i lirisë sonë, kufi që duhet zhdukur, në se njeriu dëshiron të jetë plotësisht vetvetja. E kjo, sepse Zoti, me të vërtetën e tij, i kundërvihet egoizmit, marrëzisë së madhështisë, prirjes për të mashtruar, për të kapërcyer kufijtë e ndaluar mes qiellit e tokës.
Zoti është dashuri. Por dashuria mund edhe të urrehet, atje ku dilet nga vetvetja, për të shkuar përtej vetvetes. Dashuria nuk është ndjenjë romantike e mirëqenies, nënvizon Papa, e shëlbimi nuk ka të bëjë fare me vetëdashjen, me vetëpërkëdheljen, me vetëdukjen, por pikërisht me çlirimin nga mbyllja në vetvete, nga vetëpëlqimi. E ky çlirim nuk është aspak i lehtë: paguhet me çmimin e mundimeve e të gozhdimit në kryq. E edhe me shpatën, që përshkon tej për tej zemrën e Marisë. Profecia e dritës dhe fjala kryq shkojnë krah për krah. Teologjia e lumnisë lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me teologjinë e Kryqit, na kujton Papa, në sa vepra e tij Fëmijëria e Jezusit hap para syve tanë skenën e re të shtegtimit të Mbretërve Dijetarë, prirë nga Kometa, drejt Shpellës së Betlehemit.







All the contents on this site are copyrighted ©.