2012-12-24 12:46:52

‘Buzmi’ dhe ‘Buka e lamit’ tradita të Krishtlindjes ndër shqiptarë


Natën e Shenjtë të Krishtlindjes ndër shqiptarë shënohet edhe nga tradita e ‘Buzmit’ dhe në agim të 25 dhjetorit nga ‘Buka e lamit’. Mund të themi se janë tradita të përshpirtshme popullore shqiptare, që na çon përsëri në kohë te lashta, kur njeriu fliste me sendet që e rrethonin, e më pas, në kohë më të reja, kur malësori shqiptar mësoi të fliste me Zotin që bëhet njeri edhe për të, e sidomos për të, për bukën e tij të përditshme të lamit e të shpirtit.

N’agshol të dritës do të bahet lami. E Zoja e shtëpís, mbas mjesnate do të gatuejë bukën e lamit. Prap nji akt liturgik, qi do t’a kryejë i zoti i shtëpís në mjedis t’arës.
I zoti i shtëpís merr nji krah tallë 6 dhe i shkepë në mjedis t’arës rreth vehtes, tue përftuem nji rrotullak, e pret prap kryq me tallë. Nji njeri i shtëpís i bjen bukën e nxehtë me nji pjesë djathë sypri më njenën dorë e më tjetrën majet e buzmavet të ndezun, të cilat në mjedis të lamit i a dorzon të zotit të shtëpís. Ky merr unat e ndezuna e tue i qërfatë 7 së pari përmbi bukë e djathë, thotë kto fjalë: Falna o Zot bukën e përditshme ! Mandej tue u sjellë rreth atij lami, qërfatë pa pushim unat tue përsëritë kto urime: gacë e karricë 8 ! Si të sillet gjithkund rreth talles, therë tokën për me mbytë urin mos të bâjë dam. Then bukën e nji grimë djathë e i a nep ati qi e prûni, tjetrën e merr e shtjen në shtëpí e unat i a nep bariut. Ky ulet në burg të gjâs e tue qërfatë unat rreth e rrotull, thotë vijanos këto fjalë: gacë e delme, gacë e dhì, gacë e lopë, e kështu tue njehë nji nga nji emnat e gjâs së gjallë qi dishron të i a falë Zoti në jetë të ré. Atëherë bariu njitet nalt e të gjith zbashku n’agshol të dritës hanë bukën e lamit, bukën e jetës së ré.
Porsa të hanë bukën, dy burra shtëpije dalin jashtë; njêni merr do tallë e tjetri nji këmesë e nji gjylpanë të madhe në dorë për me trêmbë pemët e buta. Ai qi ka këmesën, porsa t’i afrohet pemës, i turret tue e pyetë shoqin tri herë rresht: A e pres ? – Mos e pre, se bân, i përgjegjet tjetri. Mbas tri heresh bân kinse po e thérë me gjylpanë, tue pyetë shoqin prap tri herë rresht: A e theri ! – Mos e thér, se lidhë. Mbas së tretës herë, ai qi ka tallën, e lidhë pemën qi të bâjë kokrra. Kështu i kerkojnë të gjitha pemët e buta me rend. Mbas përbetimit të pêmvet, të gjith do të lahen shtetsh në nji uj qi hecë.
Ditën e Maranajvet, të gjithë pjestarët e shtëpís, në Dukagjin, nuk shtijnë gjâ në gojë deri të kthehet dita, pse zgjidhen shpirtënt e të vdekunvet n’atë jetë. Në fillim të secilës vjeshtë nepër Dukagjin lutet dita e qiravet, për gjith fis me fërlikë për të vdekun të trollit.
(Atë Bernardin Palajt, OFM)

Ja disa shpjegime të domethënies së fjalës së vjetër shqipe “Kershendella”. Atehere sipas profesor Eqrem Çabejt* fjalën Kershendelle, Mikloshiçi e Majeri e nxjerrin nga latinishtja: Christi Natalia, ndërsa Atë Gjergj Fishta na e shpjegon këtë fjalë me mjetet e shqipes: Krisht – kendelle “Kendellja e Krishtit- e Atë Bernardin Palaj e quan Sh’ Kndella, që do të thotë këndellje apo përtëritje e çdo gjeje. Gjithsesi ndikimi i emrit Krisht me etimologji popullore nuk mund të mohohet. Për herë të parë fjala përdoret në veprën e Buzukut mbas Kreshendellsh”; Budi e përdor në trajtën Natece Kershendellese.

Pra fjala “Kershendelledo të thotë të lemit e Krishtit”. Në Jug të Shqipërisë, sipas Hahnit, Kërshendellat janë gjashtë javët e kreshmeve që para Këshendellave e deri të Teofania. Fjala Krishtlindje, që përdoret sot rëndom për kremtimin e lindjes së Krishtit, pas gjase është një perkthim, një kalk i ri i fjalës grekë.

A është traditë e lashtë shqiptare e festë? Pikërisht janë Kërshendellat që zëvendësuan festën e moçme të Natës së Buzmit, trashëguar që prej kohëve të lashta. Buzmi, simbol i jetës së re, i kthimit të motit kah pranvera, u bë simbol i Hyjnisë që lind, i Krishtit. Krishti vjen për t’i dhënë fund së vjetrës e të gjithë të këqijave të saj. Krishti rrafshon të vjetrën. E nis jeta me urimin e së resë: me gjeth e me bar, me qengja e me tambël të bardhë, me shpresë për një të ardhme më të mirë.

Poeti Don Prenke Ndrevashaj i këndon kështu në poemthin “Buzmi”**:
"Ushton flaka lakmueshem e i perqafet
Njanit unak here tjetrit,
Si Foshnja Ejllore;
Rroket me zemra te pergjumshme
e u uron kenaqe e bekim!”
Kështu, festa pagane e buzmit u kristianizua dhe në Shqipëri; që shumë kohë para pushtimit otoman, u kremtua festa e madhe: lindja e Zotit tonë Jezu Krishtit që, siç shkruan dom Ndrevashaj, nuk harron më u ndalur çdo vjet mes rranxave të vetmueme:
O Nate e bardhe, me shekuj t'u bame flí
te keto rranxa te vetmueme, ne lufte me jete,
E me duhma t’ortekut ktu per bri!
Veç ti s’harron me u ndale te na çdo vjete!







All the contents on this site are copyrighted ©.