2012-12-24 18:14:49

Protagonistët e Krishtlindjes: Maria, Jozefi, barinjtë e …


Në festën e Lindjes së Krishtit Zot pyesim: kush janë protagonistët e kësaj ngjarje të jashtëzakonshme e madje vendimtare për fatin e mbarë njerëzimit. Duke shikuar e kundruar Foshnjën Hyjnore të vendosur nga nëna Mari në grazhd të një shpelle në Betlehem, s’ka dyshim se të vegjëlit, të varfërit në shpirt: këta janë protagonistët e Krishtlindjes, si dje ashtu edhe sot; protagonistë të vërtetë të historisë së Zotit, ndërtimtarë të palodhshëm të Mbretërisë së Tij të drejtësisë, të dashurisë e të paqes.
Të përvuajturit, si Maria, që besoi në fjalën e Zotit dhe e para e adhuroi, e përkulur mbi grazhd, Frytin e kraharorit të saj; si Jozefi, njeriu i drejtë, që pati guximin e fesë e i duk më e arsyeshme t’i bindej Hyjit, sesa të ruante namin e vet të mirë;
si barinjtë, të varfrit, njerëzit e panjohur, që pranuan kumtin e lajmëtarit qiellor dhe u nisën për ngut drejt Shpellës ku gjetën Foshnjën e sapolindur dhe, të mrekulluar, e adhuruan, duke lavdëruar Hyjin.
Me Marinë, Jozefin e barinjtë, me mbretërit dijetarë e aradhet e pafundme të adhuronjësve të përvujtë të Foshnjës së sapolindur, të cilët gjatë shekujsh e pranuan mesazhin e Krishtlindjes, edhe ne, vëllezër e motra të trojeve shqiptare, ta lëmë dritën e kësaj dite të përhapet kudo.

Vetëm drita e madhe që u duk në Krishtin mund t’u dhurojë njerëzve paqen e vërtetë. Ja pra pse - çdo brezni është e thirrur ta pranojë Zotin, i cili në Betlehem u bë njëri nga ne. Por, kush është gati t’ia hapë portën e zemrës? Kush rri zgjuar në natën e dyshimit e të pasigurisë? Kush e pret agimin e ditës së re duke e mbajtur të ndezur flakën e fesë? Të gjithëve Krishti vjen t’u dhurojë vetveten si shpresë e sigurtë për shëlbim. E të gjithë, si Maria e Jozefi, si barinjtë e Mbretërit dijetarë, mund të bëhen protagonistë të Krishtlindjes!







All the contents on this site are copyrighted ©.