2012-12-23 18:23:25

Nga Pema e Krishtlindjes dhe Shpella e Betlehemit buron mesazhi i vëllazërisë, që e davarit trishtimin.


Një simbol, që e pasuron vlerën simbolike të Shpellës së lindjes së Jezusit e që, së bashku me ikonën e Betlehemit, i flet njerëzimit për shpresë e paqe. Kështu mund ta përshkruajmë Pemën e Krishtlindjes që lartohet e stolisur nëpër vatra familjare, shesheve të qyteteve e rrugëve të fshatrave, në male e fusha e deri në skajet më të largëta, ku ndërrohen stinët e bredhi vezullon herë nën dëborë e herë nën rreze tropikale diellore.
Edhe në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Bredhi i Krishtlindjes rrëfen simbolikën e vet shpirtërore të lashtë e përherë të re për shtegtarët, besimtarët e turistët që kalojnë aty pranë.
Shpella e Betlehemit dhe Pema e Krishtlindjes, na bëjnë të reflektojmë mbi kuptimin që kanë e mbi mesazhin që përçojnë: atë të Dashurisë Hyjnore që Mishërohet në Jezusin, për ta treguar e ripohuar se Zoti është me ne.
“Bredhi i Krishtlindjes pasuron vlerën simbolike të Shpellës së Betlehemit, që është mesazh i vëllazërimit e i miqësisë; thirrje për bashkim e paqe, ftesë për t’i bërë vend, në jetën tonë e në shoqëri, Hyjit, i cili na dhuron dashurinë e Tij të gjithëpushtetshme përmes figurës së brishtë të një Foshnje, sepse dëshiron që dashurisë së tij t’i përgjigjemi lirisht me dashurinë tonë” (Benedikti XVI).
Pema, e prerë pa dëmtuar jetën e pyllit dhe e zbukuruar këndshëm, së bashku dhe pranë Shpellës së Betlehemit, gjatë festimeve të Krishtlindjes, që admirohen nga besimtarët e shumtë, janë simbol i dritës që Krishti, me Lindjen e tij, i solli njerëzimit për të davaritur errësirën e gabimit, të trishtimit, të mëkatit, të çorientimit.
Shpella e Betlehemit dhe Pema e Krishtlindjes sjellin një mesazh shprese e dashurie e ndihmojnë në krijimin e klimës të përshtatshme për ta jetuar në përmasën e duhur shpirtërore e fetare, misterin e Lindjes së Shëlbuesit të njerëzimit, Jezu Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.