2012-12-23 14:05:35

Krishtlindja me Papën: “Paqja e Krishtit”


Në emisionin e 16-të, duke vijuar shfletimin e librit të Papës, ndalohemi tek fjala ‘paqe’, një nga më të rëndësishmet në ‘Himnin e Lavdisë’, kënduar Hyjit. Është aspekti tjetër i lajmit të Engjëllit. Përmes këtij himni, rikujtohen kategoritë themelore, që karakterizojnë perceptimin dhe vizionin, që kishte për botën perandori August: sōtēr (shpëtimtar), paqe, ekumene. Këtu, natyrisht të zgjeruara përtej botës mesdhetare, nënkuptojnë qiellin e tokën. Së fundi, Benedikti XVI ndalet edhe tek fjala ‘lajmi i mirë’ (euangélion). Këto paralelizma, sigurisht, nuk janë të rastit. Luka dëshiron të na thotë: ajo që perandori August pretendoi ta realizonte vetë, u realizua në mënyrën më të lartë përmes Foshnjës, që lindi krejt e pambrojtur e pa kurrfarë pushteti në Shpellën e Betelehemit, mysafirët e të cilit ishin barinjtë e varfër.
Reiser nënvizon me të drejtë se në qendër të të dy mesazheve, është paqja e se Pax Christi mund të mos jetë në kundërshtim me paqen e Augustit. Pa harruar se paqja e Krishtit ia kalon paqes së Augustit, aq sa qielli, që lartohet përmbi tokë (cfr Wie wahr ist die Weihnachtsgechichte?, fq. 460). Ballafaqimi ndërmjet dy llojeve të paqes, nuk duhet parë në mënyrë të njëanshme, vetëm në këndvështrim polemik. E duhet kujtuar se Augusti solli dyqind e pesëdhjetë vjet paqe, siguri juridike e mirëqienie, të cilën sot, shumë vende të perandorisë së lashtë, munden vetëm ta ëndërrojnë, por jo ta sigurojnë (ibid, fq 458. Politika ka ndikimin e vet jo të paktë, e edhe përgjegjësinë e vet. Por pa harruar kurrë se atje ku perandori hyjnizohet e paraqitet me cilësi hyjnore, politika i kapërcen kufijtë e bën premtime, të cilat nuk mund t’i realizojë në jetë. Në të vërtetë, edhe në kohën e artë të perandorisë romake, siguria juridike, paqja e mirëqenia, nuk ishin kurrë jashtë rrezikut, e as të realizuara plotësisht. Mjafton t’i hedhim një sy Tokës Shenjte, për t’i prekur me dorë kufizimet e pax romana.
Mbretëria e kumtuar nga Jezusi, mbretëria e Hyjit, është krejt e ndryshme. Ajo nuk interesohet vetëm për pellgun mesdhetar e as për një epokë të caktuar. Interesohet për njeriun, duke hyrë në thellësi të shpirtit të tij. Interesohet t’i hapë njerëzimit udhën, që e çon kah Zoti i vërtetë.
Paqja e Jezusit! Përputhen kohët, në këtë fjalë, ku nisin e sosin dy jetë: një me cak e një pa cak. Paqja e Jezusit është fjalë, që sqaron qiell e dhé bashkë. Me rrënjë në urtinë e kthjelltë si loti, largon mjegullën sysh e ndjell në shpirtin njerëzor, qetësinë e shekujve.
Paqja e Jezusit është një paqe që bota nuk mund ta japë (cfr Gjn 14,27).Në fund të fundit këtu është fjala për t’i dhënë përgjigje pyetjeve ç’do të thotë shpërblim, çlirim, shëlbim. Një gjë është krejtësisht e sigurtë: Augusti i përket së kaluarës, ndërsa Jezu Krishti është e sotmja dhe e ardhmja: i njëjtë, dje, sot e përgjithmonë e jetës” (Heb. 13,18). Me Të, shpirti i njeriut i përket hapësirës, copë harmonie mes vdekjes e jetës. Secili nesh është ky shpirt.







All the contents on this site are copyrighted ©.