2012-12-23 14:06:39

Krishtlindja me Papën: “Lajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzuesit e i Jezusit”


Pasi shfletuam Kapitullin I të librit të Benediktit XVI “Fëmijëria e Jezusit”, arrijmë tek Kapitullit II me temë: “Kumtimi i lindjes së Gjon Pagëzuesit dhe i vetë Jezusit”.
Papa Ratcinger na kujton se Zoti kërkonte një hyrje të re në botë, përmes një gruaje. Për ta çliruar njeriun nga mëkati, shkruan Benedikti XVI, duke cituar Bernardin e Kjaravales, Hyji ka nevojë për njeriun, që i nënshtrohet lirisht vullnetit të tij. Duke krijuar lirinë, në një farë mënyre, u bë vartës i njeriut. Pushteti i Tij lidhet me pranimin e lirë të njeriut, të cilin nuk dëshiron ta detyrojë të thotë ‘po’. E kështu, falë miratimit të Marisë, mund të fillonte historia e shëlbimit. Por lajmërimit të Marisë i paraprin një lajmërim tjetër, ai i Zakarisë, prift i klasës së Abisë, bashkëshort i Elizabetës, edhe ajo prej një fisi priftërinjsh, atij të Aronit. Sipas së drejtës së Besëlidhjes së Vjetër, shërbimi i priftit kryhej pikërisht nga të bijtë e Aronit e të Levit. Prej këndej, Gjon Pagëzuesi është prift. Në të, meshtaria e Besëlidhjes së Vjetër shkon drejt Jezusit; kulti flijues i Besëlidhjes së Vjetër, drejt kultit shpirtëror të Besëlidhjes së Re.
Zakaria hyn në tempull, në një mjedis të shenjtë, ndërsa populli rri jashtë e lutet. Është ora e flijimit mbrëmësor, kur ai hedh kemin mbi thëngjijtë e ndezur. Parfumi i kemit, që lartohet drejt qiellit, është simbol i lutjes: “Lutja ime ardhtë para Teje, si fjollë kemi”- këndon Psalmisti (Ps 141,2).
Libri i Zbulesës, kujton Papa, e përshkruan kështu liturgjinë e qiellit: “Kur (Ai që rri në fron) e mori librin, katër Gjallorët e njëzet e katër udhëheqësit ranë përmbys para Qengjit. Secili kishte në dorë harpën dhe një kupë ari plot me kem, dmth me uratat e shenjtorëve. Këndonin një këngë të re… për atë që me gjakun e vet shpërbleu njerëzit e gjithë fiseve, gjuhëve, popujve, kombësive”(Zb 5,8).
Pikërisht në orën e muzgut, kujton Papa, kur liturgjia qiellore e ajo tokësore bëhen një gjë e vetme, priftit Zakari i duket një Engjëll i Zotit, emri i të cilit atë çast nuk kujtohet. Rri drejt në anën jugore të shandanit me shtatë krahë, në sa në anën veriore është tryeza me bukët e mblatës. Vendi e ora janë të shenjta. Në tempull, vijon të përshkruajë Benedikti XVI në librin e tij “Fëmijëria e Jezusit”, pikërisht gjatë liturgjisë, nis e reja, duket me forcë vazhdimi i historisë së Hyjit me njerëzit. E gjithë kjo pamje përkon plotësisht me fundin e Ungjillit të Lukës, ku Krishti, në sa ngjitet në qiell, i urdhëron dishepujt të kthehen në Jeruzalem, për të marrë dhuratën e Shpirtit Shenjt e për ta përhapur, që aty, lajmin e mirë në mbarë botën.
Por njëkohësisht, vijon të shpjegojë Papa, duhet të shikojmë edhe ndryshimin ndërmjet lajmërimit të Zakarisë për lindjen e Gjonit e lajmërimit të Marisë, për, lindjen e Jezusit.
Zakaria, babai i Gjon Pagëzuesit, është prift e lajmin e merr në tempull, gjatë liturgjisë së tij,
Prejardhja e Marisë nuk përmendet. Kryeengjëlli Gabriel, që i duket, është i dërguar nga Zoti. Ai hyn në shtëpi të saj, në Nazaret, qytet i panjohur në Shkrimin Shenjt; në një shtëpi, që duhet ta përfytyrojmë tejet të përvujtë, tepër të thjeshtë.
Nuk mund të ketë kontrast më të fortë, sesa ky, ndërmjet dy skenave, thekson Papa në rrëfimin e tij për fëmijërinë e Jezusit. Nga njëra anë, Tempulli madhështor, liturgjia, prifti i mirënjohur; nga ana tjetër, një Vashë e re, e panjohur, një qytet, po aq i panjohur e një shtëpi private edhe më e panjohur. Shenja e Besës së Re, që nis të lidh njeriu me Hyjin, është përvujtëria. Gjithsesi të dyja skenat shkojnë krah për krah: vazhdimësia e thellë e historisë së veprimit të Zotit e risia e farës së fshehur të senapit.
Kështu, pas shpjegimit të shkurtër, por tejet të qartë e ndriçues të teksteve e të rrënjëve të tyre, që nisin nga Besëlidhja e Vjetër, Benedikti XVI vë ballë për ballë lajmërimin e Zakarisë për lindjen e Gjon Pagëzuesit me lajmërimin e Marisë, duke i paraqitur ngjarjet si përmbushje të parafoljeve të lashta, të cilat deri në atë çast ishin në pritje të protagonistit të tyre të vërtetë.
Me thellësi teologjike e aftësi të madhe shkencore, Jozef Ratcinger vë në dukje, edhe përmes vlerësimeve shumë personale, aspektet e ndryshme të reagimit të Marisë e të Jozefit, përballë lajmit të madh, të çuditshëm, të papritur e të padëgjuar të Kryengjëllit, lajm përherë i ri në rrjedhë shekujsh, i cili vijon të na interesojë të gjithëve, edhe në këtë Krishtlindje, që po afrohet, duke na i rikujtuar skenat e lashta, përherë të reja, që përshkruhen në Librin e Papës. Reagimit të Marisë e të Jozefit përballë lajmit të Kryeengjëllit, i kushtohet emisioni ynë i ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.