2012-12-21 16:35:43

Papa në “Financial Times”: të krishterët impenjohen në botë, të lirë nga ideologjitë dhe kompromiset


“Kohë impenjimi për të krishterët në botë”: ky është titulli i artikullit të Papës Benedikti XVI, publikuar të enjten e kaluar në gazetën angleze “Financial Times”. Në këtë “editorial për Krishtlindjen”, Ati i Shenjtë nënvizon se të krishterët kanë një botëkuptim kaq fisnik mbi fatin e fundëm të njeriut, sa të mos pranojnë kompromise me asgjë, që mund ta cënojë atë. Artikulli i Papës, informon Salla e Shtypit e Vatikanit, lind nga dëshira e vetë gazetës angleze me karakter ekonomik, e cila, duke marrë shkas nga botimi i librit të Benediktit XVI mbi fëmijërinë e Jezusit, i kërkoi Papës një reflektim për Krishtlindjen. Ati i Shenjtë pranoi me gjithë qejf. Edhe në të kaluarën, Papa u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të mediave - si për shembull BBC-ja, apo Radiotelevizioni Italian - pikërisht në periudhën e Krishtlindjes. Për Benediktin XVI, ky është rast për të folur mbi Jezusin dhe mesazhin e Tij para një publiku të shumënumërt, siç është ai i mediave.
“Jepini Çezarit, atë që është e Çezarit dhe Zotit, atë që është e Zotit”. Niset nga ky pohim themelor i Jezu Krishtit, artikulli i Papës në “Financial Times”. Benedikti XVI pohon para së gjithash se këto fjalë na thonë të kemi kujdes të madh, si para “politizimit të fesë, ashtu edhe para hyjnizimit të pushtetit kohor e kërkimit të palodhur të pasurisë”. Në artikull, Papa nënvizon lindjen e përvuajtur të Krishtit dhe e jep si shembull, që duhet të na nxisë të mendojmë mirë cilat janë vërtet gjërat më të rëndësishme në jetë, cilat janë vlerat, sidomos në fund të një viti, që ka sjellë probleme ekonomike për shumë vetë. Çfarë mund “të mësojmë nga përvuajtëria, varfëria, thjeshtësia e skenës së grazhdit?” pyet Papa. Krishtlindja, përgjigjet, “mund të jetë kohë, gjatë së cilës mësojmë ta lexojmë Ungjillin, ta njohim Jezusin, jo vetëm si Foshnjën në grazhd, por si Ai, në të cilin Zoti u bë njeri”.
E në Ungjill, shkruan Benedikti XVI, “të krishterët gjejnë frymëzim për jetën e përditshme e për punën e tyre në botë, kudo ku ta kenë, në Parlament, apo në Bursë”. Pastaj, paralajmëron: “Të krishterët nuk duhet t’i ikin botës; përkundrazi duhet të impenjohen në të”. Por, saktëson Ati i Shenjtë, “përfshirja e tyre në politikë e në ekonomi duhet t’i largohet çdo forme ideologjie”. Ja përse, nënvizon, “kur të krishterët refuzojnë të përulen para zotave të rrejshëm, propozuar në kohët tona, nuk e bëjnë këtë se kanë ndonjë këndvështrim të vjetëruar mbi botën… Kjo ndodh, sepse janë të lirë nga zinxhirët e ideologjisë e frymëzohen nga një botëkuptim kaq fisnik për fatin e njeriut, sa nuk mund të pranojnë kompromise me asgjë, që e cënon atë”. Kjo ka ndodhur nganjëherë në histori, kur të krishterët “nuk kanë mundur t’i pranojnë kërkesat e Çesarit”, komenton Papa, duke iu referuar sërish frazës së famshme të Jezusit. Nga kulti i perandorit romak tek regjimet totalitare të shekullit të kaluar “Çesari është përpjekur t’i zerë vendin Zotit”.
Të krishterët, shkruan akoma Papa, “luftojnë kundër mjerimit, sepse i njohin çdo njeriu, krijuar në ngjashmëri me Zotin dhe i caktuar për amshim, dinjitetin më të lartë”. Të krishterët, ngul këmbë Benedikti XVI, “punojnë për shpërndarjen e barabartë të pasurive të tokës, sepse janë të bindur që, si administratorë të gjithësisë së krijuar nga Hyji”, e kanë për detyrë “të kujdesen për më të dobtit e më të brishtët”. Të krishterët, përsërit Ati i Shenjtë, “janë kundër lakmisë dhe shfrytëzimit, me bindjen se bujaria” dhe dashuria, që na ka mësuar Jezu Krishti, “janë udha, që na çon drejt plotësisë së jetës”. Feja e krishterë, vazhdon Papa Racinger, përmban në vetvete urgjencën e nxitjes së paqes e të drejtësisë për të gjithë. Këto qëllime, lexohet në artikullin e botuar në gazetën “Financial Times”, i kemi të përbashkëta me shumë të tjerë, prandaj bashkëpunimi i të krishterëve me të tjerët është gjithnjë i mundur. Benedikti XVI e përfundon reflektimin e tij duke kujtuar se lindja e Foshnjës Hyjnore “shënon fundin e rendit të vjetër”. Tani, shkruan, “kemi një mbret të ri, i cili nuk përdor forcën e armëve, por fuqinë e dashurisë”. Në fund, urimi i Ati i Shenjtë që nga grazhdi, Krishti t’i frymëzojë të gjithë të jetojnë si qytetarë të Mbretërisë së Tij Qiellore, të cilën çdo njeri vullnetmirë mund të ndihmojë të ndërtohet edhe në Tokë.







All the contents on this site are copyrighted ©.