2012-12-21 13:32:09

Krishtlindja me Papën: “Gloria: Himni i lavdisë”.


Në emisionin e 15-të, kuptimi simbolik i Himnit të Lavdisë, që këndojnë engjëj e barinj në natën misterioze të Betlehemit, rreth Shpellës së varfër, ku është mishëruar Zoti. Në librin kushtuar ‘Fëmijërisë së Jezusit’, Papa na fton të rikthehemi tek teksti , që përshkruan pikërisht natën e madhe: “Engjëlli i Zotit iu afrua barinjve dhe lavdia e Hyjit i shndriti e ata u trembën për së tepërmi (Lk 2,9). Po Engjëlli e davariti frikën e u kumtoi gëzimin e madh, që do ta pushtonte mbarë popullin: “Mos kini frikë”, u tha, sot në qytetin e Davidit lindi për ju Shëlbuesi, Krishti Zot (Lk 2, 10). E u tregoi edhe shenjën për ta njohur: një ferishte mbështjellë në shpërgënj, vënë në një grazhd.
E njëherësh me engjullin u duk një ushtri qiellore, që madhëronte Zotin e brohoriste: “Lavdi Hyjit në më lartin qiell, e paqe mbi tokë njerëzve që i ka për zemër”(Lk 2,12-14).
Ungjilltari thotë se engjëjt flasin. Por, qysh në zanafillë, të krishterët, njerëz të dhënë pas këngësh, me mijëra zëra natyre në kokë, që sot i gjejmë në tekstet e moçme, thellë në pergamena biblike, e dinin se të folurit e engjëjve është këngë, sepse gjuha e lashtë e tekstit mund të shijohet edhe si tingull. Prej këndej doli muzika e u lidh me dritën e gjithësisë, Dashurinë. Prandaj përmes saj përceptohej e përceptohet plotësisht gëzimi i pashoq i kumtimit. E kështu që aso kohe kënga me të cilën engjëj e barinj madhëruan Zotin, nuk pushoi kurrë më në rrjedhë shekujsh, me forma gjithnjë të reja. E edhe sot në kremtimin e Lindjes së Krishtit, tingëllon mahnitshëm në vetëdijen e njerëzve. Kuptohet menjëherë se populli i thjeshtë i besimtarëve i dëgjoi duke kënduar edhe barinjtë e deri më sot, në Natën e Shenjtë, bashkon zërin me meloditë e tyre, për të shprehur me këngë gëzimin e pafund, dhuratë për të gjithë, që aso nate, e deri në mbarim të kohëve.
Por, ç’këngë kënduan, sipas Lukës, engjëjt? Ata e lidhën lavdinë e Hyjit me më të lartin qiell e me paqen e njerëzve mbi tokë. Prej këtyre fjalëve Kisha krijoi një himn të tërë.
Gjithsesi duhet kujtuar se përkthimet e ndryshme të fjalëve të engjëllit, i bien ndesh njëri-tjetrit. Teksti latin, shumë i njohur e i përdorur deri pak kohë më parë, ishte: “Lumni i qoftë Hyjit në lartësi të qiellve, e paqe në tokë njerëzve vullnetmirë”. I papranueshëm, për ekzegjetët modernë, ky përkthim, e jo pa arsye. Lavdia e Zotit nuk është diçka që mund ta prodhojnë njerëzit. Nuk mund të përdoret folja ‘qoftë’, sepse lavdia e Zotit është, Zoti është i lavdishëm, e ky është vërtet burim gëzimi; ekziston e vërteta, ekziston e mira, ekziston bukuria. Këto realitete janë në Zotin, të pashkatërrueshme.
Më i dukshëm është ndryshimi i pjesës së dytë: në përkthimin gjerman, “paqe në tokë njerëzve, që ai i ka për zemër”; në atë italian “njerëzve, që ai i do”. Lind sakaq pyetja: “Kush janë njerëzit, që ai i do? E kush, ata që nuk i do? Thua nuk i do Zoti të gjitha krijesat e tij? E njëjta gjë mund të thuhet për të dy përkthimet. E njëjta pyetje, në të dy rastet.
Për ta kuptuar këtë shprehje na ndihmon Besëlidhja e Re. Në rrëfimin mbi Lindjen e Jezusit, Luka kujton se në sa Zoti po lutej, qielli u hap e që aty u dëgjua një zë, që thoshte: “Ti je im bir, djali i dëshirit. Ty të përkrah plotësisht”(Lk 3,22). Djali i dëshirit. Njeriu i dëshirit të Hyjit, që Hyji e do, është ai që, si Krishti, jeton plotësisht për Atin, me sy të mbëthyer tek Ai, në bashkim të plotë me vullnetin e Tij.
Në ndryshimin e përkthimeve, shikojmë edhe lidhjen ndërmjet Hyjit e lirisë njerëzore. Mund të na lindin dy ide të skajshme: ideja se gjithçka varet nga Zoti, dhe ideja se, në fund të fundit, gjithçka vendoset përmes vullnetit të lirë të njeriut. Kështu mund të keqkuptohet përkthimi i vjetër. I riu, në kah të kundërt, na shtyn të mendojmë se gjithçka varet vetëm nga paracaktimi i Zotit.
E gjithë dëshmia e Shkrimit Shenjt na çon, pa dyshim, në përfundimin se asnjë nga të dy qëndrimet nuk është i drejtë. Hiri e liria depërtojnë njëri tek tjetra e nuk mund t’i shprehim me formula të qarta.
Është e vërtetë se nuk mund ta duam Zotin, po të mos na dojë Ai vetë i pari. Hiri i Zotit na paraprin, na pushton, na mban në këmbë. Por është e vërtetë edhe se njeriu duhet t’i përgjigjet kësaj dashurie, sepse nuk është mjet, pa kurrfarë vullneti, në dorë të Zotit. Njeriu mund ta dojë Zotin, por mund edhe ta mohojë.
Përsa i përket lavdisë së Zotit, këtu ka rëndësi të dorës së parë përdorimi i foljes “është”. Zoti është i lavdishëm, është e vërteta e pashkatërrueshme, Bukuria e amshuar. E kjo, edhe siguria themelore e ngushëlluese e fesë sonë. Por nuk na përjashton aspak nga detyra e impenjimit, që lavdia madhe e Hyjit të mos njolloset e të mos shpërfytyrohet në botë, e madhështisë së tij dhe vullnetit të tij, të mos i mungojë kurrë himni i lavdisë, ashtu si e meriton.Lavdi! Lumni! Këndojnë engjëjt në kor në Parajsë, rreth Shpellës së Betlehemit, rreth Shpellave tona e kudo kënduan e këndojnë barinjtë. E fryma e Fjalës bleron tokën e njeriut, duke lidhur një fryt, që nuk vdes kurrë më!







All the contents on this site are copyrighted ©.