2012-12-21 16:58:01

Atë Lombardi për fjalët e Papës para Kuries Romake, për urimet e Krishtlindjes: Familja dhe e vërteta!


Të premten, Papa Benedikti XVI shkëmbeu urimet me kardinajtë e punonjësit e Kuries Romake, që e ndihmojnë Atin e Shenjtë në qeverisjen e Kishës në mbarë botën. Dy temat themelore, që përshkuan fjalën e Papës, qenë familja dhe dialogu. Sipas tij, thelbi i vërtetë i lirisë njerëzore është mbrojtja e familjes, brenda së cilës luhet fati i njeriut. Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, ia kushton këtij argumenti komentin e sotëm:
Fjalimi i fundvitit para Kuries Romake, për urimet e Krishtlindjes, është gjithmonë një ndër më personalët e më të studjuarit e Atit të Shenjtë. Reflektim për vitin e kaluar, por edhe thellim në temat, që Papa i konsideron më urgjente e më aktuale. Janë gjëra, për të cilat e ndjen si detyrë të japë mendimin e tij, me themel, me qartësinë e guximin, që e karakterizojnë: është detyra e tij ndaj Kishës dhe njerëzimit, megjithëse kjo mund të shkaktojë kundërshti, ose reagime negative. Temat e zgjedhura për këtë vit janë dy: familja e dualiteti i burrit e i gruas; si edhe dialogu e kumtimi i fesë.
Përsa i përket familjes, Papa nuk hyn në diskutime për legjislacionin e për martesat ndërmjet homoseksualëve, e nuk përmend as edhe fjalët e paharrueshme të afërsisë me çiftet në vështirësi, të shqiptuara gjatë lutjes në Milano (Takimi Botëror i familjeve), por pohon se sot është në lojë thelbi i çështjes “kush është njeriu”. Dualiteti i burrit dhe i gruas është thelbësor për qënien njerëzore. Prej tij lindin marrëdhëniet themelore ndërmjet babait, nënës e fëmijëve. Dualiteti është i shkruar në natyrën e njeriut, në planin e Zotit Krijues. Mohimi i tij shkon kundër së vërtetës, pohimi se është vetë qënia njerëzore, ai që e përcakton identitetin e vet, është një hap shkatërrimtar, që i hap rrugën manipulimit arbitrar të natyrës, me pasoja shumë të rënda për dinjitetin e njeriut; duke filluar nga dinjiteti i bijve, konsideruar objekt i kësaj së drejte e jo subjekt të drejtash. Në “luftën për familjen” pra, është në lojë vetë qenia njerëzore. Papa u referohet gjerësisht shkrimeve të Rabinit të Madh të Francës, duke dëshmuar se qëndrimi i Kishës nuk është thjesht konfesional, por ka të bëjë me arsyen, e cila është e përbashkët për traditën e madhe judeo-kristiane.
Edhe tema e dytë, në të cilën ndalet Papa, shkakton diskutime. Është tejet aktuale e lidhet me të parën: i krishteri hyn në dialog si bartës i shpresës së madhe të njerëzimit, parë në dritën e fesë, duke e ndjerë veten përgjegjës për vlerat më të çmuara e më të qëndrueshme, përtej zgjidhjeve thjesht pragmatike. E hyn në dialog me besimin se kërkimi i së vërtetës nuk do ta vërë kurrë në diskutim identitetin e tij të krishterë. Sepse e vërteta nuk zotërohet me krenari prej nesh, por na thërret e na udhëheq, ashtu si Krishti, që na merr për dore. Edhe ky është urim për Krishtlindje. I thellë, sfidues, aktual.







All the contents on this site are copyrighted ©.